Fati i paracaktuar, kurorë e gjembtë mbi fitoret e ditës (Mendime rreth romanit “Shtatë shpirtrat e Terezës” të Raimonda Belli Gjençaj) / Nga: Zhuljeta Grabocka Çina

Fati i paracaktuar, kurorë e gjembtë mbi fitoret e ditës
 
Mendime rreth romanit “Shtatë shpirtrat e Terezës” të Raimonda Belli Gjençaj
 
 
….. Bota është një vend i rrezikshëm, jo për shkak të atyre që kryejnë veprime të liga, por shkak të atyre që bëjnë sehir dhe s’bëjnë asgjë.
Albert Anjshtanji
 
 
Edhe pse pak kohë ka që ka dalë nga shtypi romani “Shtatë shpirtrat e Terezës” i Raimonda Belli Gjençaj, ka tërhequr vëmendjen e lexuesit. Dhe pse i shpërndarë miqësisht nuk kanë munguar vlerësimet.
Epidemia e leximit të karantinuar solli në vëmendje dëshirën për t’i listuar njeri – tjetri veprat e klasikëve të letërsisë botërore, duke harruar, se proza e gjatë shqiptare me botimet e reja, po shkund pluhurin mbi tema delikate, etiko morale të sizmiologjisë së njeriut të kohës.
“I dashur lexues, do të shkruajë autorja në hyrje të librit, ndërsa je duke lexuar këtë libër mund të mendosh se njëri nga personazhet është fqinji yt….”
… Gëzimi i mendtë i lajmit të fillimit të një shtatzanie na çon në “përroin e ndërgjegjes” që davarritet si mjegull e bardhë për gjatë romanit, pa mundur ta shohim foshnjën në prehërin e Tereza Shkrelit. Kush është Tereza? Përgjigja është e thjeshtë. Vajza e gjashtë e Kol Shkrelit me fat të paracaktuar! Edhe si në tragjeditë antike presim të shohim aktet ku luhet agonia e shtatë shpirtrave të saj!
Shumë larg për të qënë një Mede!
Ajo kishte lindur në një vend ku më shumë qeshnin malet se sa njerëzit, dhe kumti i pritjes së një foshnje, zbehet dilemës se e ardhmja do të ishte më e errët se jeta e nënës së saj. Autorja me empatinë e kudo shprehur për protagonisten e drejton lexuesin pa i imponuar pikëpyetjet, dilemat e ndëshkimin. Raimonda mjaftohet me nënshtrimin e ndjesinë e fajit. E lumturohet me ndjesinë e faljes, pa mundur të realizojë një përballje të fuqishme zgjidhjeje. Kjo sipas autores i takon lexuesit, “të gjykojnë një lepur me çorape të bardha, topth me gëzof gri, që vrapon e rrukullisej sa mundej por çizmet e zeza e arrinin gjithmonë! “
Fati i Velës, fundi tragjik i shemrës së saj, nënës së Terezës, prej së cilës mori edhe emrin, mësuese Marina, tutorja Sina, murgeshat janë modelim që nuk mund të sjellin ndryshimin. Statukuoja ndikohet fuqishëm nga fijet e jetës e mendësitë e ligjeve të pashkruara prej shekujsh, në një realitet bashkëkohor ku mungon drejtësia e ligji!
Lexuesi kridhet në rrëfimin e ajërt përhapur gjithkund në të gjitha hapësirat e kohëve rrëfimtare, duke sjellë lehtësisht retrospektivën e ngjarjeve, mbresëlënës me të gjitha detajet ekspozuese e kulminante. Bukuria e rritjes në moshë, fëmijëria, adoleshenca, rinia përkunden prajshëm lirizmit të ndjerë ekzistencial mes zhgjendrrës e pafajësisë të ëndrrave të pakoha. Në një vend ku levën e Makiavelit, e kanë ligjvënësit, qëllimi justifikon mjetin, përballë qytetarit dhe pushtetit. Sarkazma është nënteksti i pafuqisë së individit, rrëfimtarja e njeh mirë këtë mjeshtëri. Raimonda ka realizuar një roman të suksesshëm. Loja elektorale e Gjok Shkrelit dhe çmimi i kthimit nga mali i Kol Shkrelit, janë “asi” i fshehur nën mëngën e xhaketave të vjetra të kohës. Ajo ka marrë shtijat të kapë lakun e shthurrjes së fijes së perit, e bindur se nuk ka shpëtuar të gjithë rrjedhën. Ky konstatim është i pashmangshëm, fajtorë jemi të gjithë. Kub me brinjë të barabarta!
Romani strukturohet duke ruajtur sensin e masën, pa stërhollime të kota. Suspansi të bën të mos e lëshosh librin nga dora. Koloriti i karaktereve zbulohet mes pranvënieve e kontrasteve, bash si pahu i bardhë i miellit të grurit. Në çdo fjalë ndihet bukuria e gjuhës së shkruar. Edhe në kuptimin mistik të tri gjashtave, mes jetës së murgeshave, ëndrra për t’u mësuese, puna si përkthyese janë faqe që i shtohen letërsisë shqiptare, me forcën e mjeshtërisë për të krijuar tablo përgjithësuese e të fuqishme. Alternimi i kohëve brenda dramës së një personazhi, tek ekspozeja e rrëmbimit të Terezës, është një gjetje e goditur artistike, me frymëmarrje të shëndetshme, që i krijon autores mundësinë për të shtjelluar të gjitha mikrofabulat e tjera, që nga shkërrmoqja e ëndrrës së lindjes së djalit të Shkrelëve, deri tek fataliteti i pashmangshëm në fundin e nënkuptuar të mësuese Marinës, dhe pesë vajzave të tjera të Shkrelajve. Toni, Nik, noter Sherifi etj. janë episode që sfumohen nga prozaizmi i jetës.
Tereza me shtatë shpirtrat e saj, është gota e helmit që duhet të pijë pa iu bërë gjyq si Sokrati, duke mbajtur mbi kokë kurorën e gjembtë me fitoret e ditës!
 
 
Nga: Zhuljeta Grabocka Çina

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s