DESHA TË ÇLODHEM PAK / Nga: Mihal Gjergji

Petrit Ruka

 

DESHA TË ÇLODHEM PAK

Më ndodh shpesh ta filloj një punë dhe ta lë në mes. Për javë të tëra s’ulem në kompjuter. Më pëlqen të meditoj e të bëj atë bashkëbisedimin e çuditshëm me veten time. Kafen e mëngjesit e pi i vetmuar në oborrin e shtëpisë. Vetëm maçoku vjen e më fërkohet pas këmbëve, si për të më kujtuar se dashuria, edhe po vdiq te njeriu, jeton te kafshët. Kohën si amballazh, mundohem ta gris e ta flak matanë. Nuk janë kapriço të moshës, por trille që kushtëzojnë sjelljen e njeriut. Dikur kam lexuar një poezi interesante nga Frederik Rreshpja. Të gjakosin shpirtin fjalët e tij:
“Qysh i vogël e kuptova
Kisha lindur i mallkuar me art
Qante mbi mua nëna, Shën Mëria ime
Mos e pastë njeri këtë fat”
U impresionova nga vargjet e këtij poeti tragjik, sepse gjeta veten aty. Poetët s’mund t’i shpëtojnë këtij mallkimi. Mbase ka edhe mallkime të bukura, si ky për të cilin flas. Këto ditë të nxehta gushti, ndërsa isha ulur për të shkruar disa rreshta, dëgjova zërin e vajzës. Donte të shkonim diku. Lermë të dehem, i thashë.
-Na ka mbaruar rakia, u përgjigj vajza.
Vërtet, mbaron ajo e uruar, sepse e pimë me të tjerët dhe për shëndetin e tyre. Po unë dehesha me fjalën, me bukurinë e saj, me magjinë e krijimit. Lexoja një poezi të Petrit Rukës, pastaj një tjetër…I përjetoj vargjet e këtij poeti të shquar. Poezitë e tij të mbeten gjatë në kujtesë, lënë gjurmë. Daltën e mendimit e ka të mprehtë, fuqinë shprehëse të madhe, idetë – domethënëse. Nuk di pse ndjeva një lloj trishtimi. Fliste për një ikje, apo e paralajmronte atë. Përgatiste gjërat e vogla për udhën e largët, si nëna e tij në boçen që mbante erë ftua. Pastaj kërkonte pjesën e tij nga natyra; përrenjtë, lëndinat apo retë e Golikut, dhe ndalonte të varret: “Do ta fut në xhep varrin e babait, si një kuti shkrepse!” Sa pikëlluese! Atje ku s’e shpie mendimi, poetin e shpie imagjinata. U ktheva dy shekuj mbrapa në kohë dhe solla në kujtesë një ngjarje ndodhur në Thesproti. Prifti Thimio Bllahava guxoi të organizojë një rrebelim kundër Ali Pashë Tepelenës. U mbështet nga Korfuzi (francezët) dhe marshoi në krye të 8000 luftëtarëve. Ali Pasha bashkë me Myftarin dhe Veliun e shtypën rrevoltën. Thimio Bllahavën e zunë të gjallë, e hoqën zvarrë udhëve të Janinës, pastaj e ropën. Lëkurën e tij e hodhi veziri mbi divanin ku ulej. Nga lemeria që panë, shumë familje çvarrosën eshtrat e prindërve. I morën me vete, ato dhe nga një mandile mbushur me dheun e trojeve. S’donin të mbeteshin pa atdhe atje ku do shkonin. Vdekja i ngjyros me zymtësi të gjitha gjërat, aq sa mendon se u dashka të shesësh dhimbjen tënde për të provuar çaste kënaqësie. Edhe Petrit Ruka ngulmon të marrë atdheun pas vetiu, ndryshe do zhuritej nga malli. Fjalët e këtij poeti me ngarkesë emocionale, herë gremisen ledheve të dëshpërimit, herë bëhen muzikë në gjethet e pemëve, herë pikojnë dhimbje buzë filxhanit, teksa ulet për të pirë kafe me nënën, e ajo s’di nga cila botë e ëndërrt pritet të vijë. U këndon vërsnikëve bashkëvuajtës, të cilët i shfaqen si mjergull apo pikë loti dhe rrokullisen pastaj në ujrat e trazuara të Vjosës. Eh! Dhe unë ndaloj e pyes veten: të jetë dëshpërim, rrjedhojë e mosmnirënjohjes? Petriti e di që mirënjohja jeton vetëm në gjirin e aristokracisë shpirtërore. Ne e kemi të kursyer fisnikërinë, sepse i vrau turku, i dogji fqinji jugor, i përzuri sllavi, i prenë luftrat, ndërsa ata që mbetën e lanë frymën e fundit në burgjet e diktaturës. Të jetë revoltë ndaj kohës që e vrau shpirtin njerëzor?-vijon gjykimi im i heshtur. Mbase është kështu. Në kushtet që liritë tona ia kemi dorëzuar shtetit, duhet të pimë edhe kupat e zhgënjimit. Gjetiu desha të ndalem, pikërisht te “Vajtimi i Ajkunës”. Aty ku të bëhet se të flet varri, ku zemrës i vendos 40 kyçe, ku:
“Mbrapa hija, para zija
Anash era, lemeria
Dhe Ajkuna mbi të tria!”
Një baladë që e përpinë e s’ngopesh, qëndisur mjeshtërisht nga dora e Petrit Rukës. Dua të besoj se të gjithë e kemi nga një Ajkunë, apo jo? Edhe mua më ndodh të dëgjoj zëra. Nuk di nga cila galaktikë zbresin tek unë, si thirrje a kujtesë. Më bëhet se dëgjoj vajtimin e mëmës mbi varrin e motrës time që iku 25 vjeçe, apo të dajos që ia vranë ëndrrat, ia grabitën rininë dhe s’mundi të plakej. Ligjërimi lab fsheh brenda vetes (si disku i Festos) misterin e përjetësisë, gdhëndjen në kujtesën e brezave të emrave dhe ngjarjeve. Jo më kot poeti u rikthehet baladave, asaj mbretërie tonës, të cilën s’mundën të na e pushtojnë, as ta rrënojnë.
Ja, kështu bëra. Desha të çlodhesha pak dhe u ndala te baladat e Petrit Rukës.

 

Nga: Mihal Gjergji

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s