Fabula nga Iliaz BOBAJ

Fabula nga Iliaz  BOBAJ

 

KËSHILLTARJA

Një laraskë shamatore,
e dërguar që nga lart,
shiste mend në një foltore,
tundu, shkundu, moj lofatë.
-Ç’detyrë ke? – i tha një zog.
Ajo duke tundur bishtin:
-Në qeveri këshilltare,
këshilloj kryeministrin.
Mëllenja me qetësi:
-Mjerë ti e mjerë ai!

 

ANKESA E FSHATARIT

-S’po na mbetet një gomar,
ta tërheqim nga kapistra.
-Pse,- e pyetën,- ç’ka ngjarë?
-Vijnë i marrin për ministra.

 

DASHI I KOPESË

Dashi, i pari i kopesë,
djathë, qumësht, mish e lesh,
dhentë prodhonin, ai shiste,
lekët i fuste në xhep.

I tha derri tregëtar:
-Kij mendjen, i mjeri ti,
lekët ndaji me kopenë,
se do japësh llogari.

Po dashi qe dreqi vetë:
-Mbaje mend,- tha,- fjalën time,
sa të jenë dhentë në gjumë,
nuk më preket as një qime.

 

MIU ME MACEN

Jashtë, sa për sy e faqe,
grindeshin miu me macen.
Miu bënte opozitën
nuk ia kursente kritikën.
Para zgjedhjeve, në heshtje,
bënë fshehur një marrëveshje.
U bënë zgjedhjet, atë natë,
lidhën dhe një aleancë.
Gjithë të tjerët shkulën faqet:
-Aleancë miu me macen…?!
Macja miut i shkel syrin:
-Tani pushteti është yni.
Ku kuptojnë këta të mjerë,
se ç’luhet në prapaskenë…!

 

LUANI DHE MINISTRAT

Luani vuri ministra,
ca kafshë që kishin kapistra.
-Aaaaa, – tha xhirafa një ditë,-
mbreti po ndërron taktikë,
hiqet si bashkëkohor,
të mos i thonë diktator.
Vendimet vinin nga mbreti,
ata zbatonin dhe heshtnin.
Tha fazani:- Jeni kot,
mjerë, ministra për lumë.
Një nga ministrat i thotë:
-Vendimet i merr mbreti,
po ne vëmë firmë e vulë.

 

FLUTURAT DHE QUKAPIKU

Qukapiku shkencëtar,
me titull, me doktoratë,
shkoi vetë në ministri,
për punë në administratë.
Me sa shihte aty brenda,
i lindi njëfarë habije:
në çdo zyrë, veshur me modë,
vetëm flutura si yje.
Nuk ia varën, i dhanë udhët:
-Ik, – i thanë, – shiko punët!
Duke dalë, tha i menduar:
-Kjo kohë qenka vetë çudia,
këtu vendin diturisë,
ia ka zënë bukuria.
Ndërsa dituria e mjerë,
kërkon punë derë më derë…

 

KANDIDAT MAJMUNI DHE DHELPRA

Ish deputetin, majmunin,
si e braktisën ca vjet,
e vunë prapë tani së fundi,
kandidat për deputet.

Thanë:- Votoni pa ngurim,
ka bërë ndryshim rrënjësor,
është një yll gjithë shkëlqim,
me mendim bashkëkohor.

Një dhelpër lëshon ca thumba:
-Prapë me xhaketën e vjetër,
e panë s’i shkonte lëkura,
e kthyen nga ana tjetër.

 

NGARKESA

I zoti kish në stallë kuaj e gomarë,
u jepte tërshërë, krunde dhe bar.
Një ditë ua preu tërshërën.
Kuajt u ankuan:- Padrejtësi!
Gomerët heshtën, s’u bënë të gjallë.
Pas një jave u preu dhe krundet.
-Jo,- thanë kuajt, -s’pranojmë kurrsesi!
Gomerët s’guxuan të thoshnin një fjalë.
Së fundi, për kafshët u pre edhe bari,
gomerët prapë të heshtur si varri.
Kuajt e prenë fjalën si me thikë:
-Po e lëmë punën,- . Dhe në çast e lanë.
I zoti u ngarkoi gomerëve barrën e tyre,
u shtoi dhe ngarkesën e kuajve mbi samar.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s