PERLA NË GJERDAN (Meditim për artin e popullit) / Nga: Kolec P. Traboini

PERLA NË GJERDAN
– Meditim për artin e popullit –

 


Nga: Kolec P. Traboini

Sa herë që dëgjojmë këngët e Atdheut këtu në largësitë e mërgimit, ndjejmë një mall të zjarrtë të na pushtojë mendjen e zemrën. Përpara atyre këngëve lëshohemi me krahë të kapitur sikur të ishim akoma vogëlushë që përkundemi nën magjinë e ninullave.
Atëherë na bëhet se, kaluar sipër reve dhe hapësirave gjigande e të pamata të Atlantikut, nisin revanin kujtimet për vendlindjen, shtëpitë, fshatin, rrugët, qytetet, ditët e zhurmshme dhe netët me zërin e bulkthit nën strehët e çative. Se atje, edhe buzëmbrëmja vjen ndryshe e bulkthi ndryshe këndon. Ndodh si në atë çudinë e madhe të legjendës sonë, ku Konstandini shaloi gurin e varrit si kalë për të mbajtur amanetin, ashtu vinë shaluar kujtimet e largëta nëpër hapësira dhe vite për të përmbushur pengun e shpirtrave tanë, amanetin e ndërsjellët midis mërgimtareve dhe vendlindjes.
E kështu, nëpërmjet këngëve e valleve tona, nëpërmjet shpirtit të popullit derdhur në art, vjen mëmëdheu për të përmbushur amanetin e dashurisë së vendlindjes për bijtë. Vjen pambarimisht sepse, siç shkruan Marin Barleti shekuj të shkuar, kur ishte në mërgim larg Atdheut në Venecia, në vitin 1504, “Gjithsekush shkon në rrjedhën e gjakut të kombit të vet”.
Natyrisht, jo çdo këngë e çdo varg ka atë peshë emocionale sa për të tronditur e prekur ndjenjat ashtu si drita thyhet e përthyhet në një gotë kristali, por janë perlat ato që shkëlqejnë si mrekulli të artit të këngës dhe të valles që mjeshtri popullor i ka krijuar në çaste gëzimi a dëshpërimi të madh.
Në fëmijërinë time të largët, kisha dëgjuar nga goja e një gruaje të vjetër nga Postrriba e Shkodrës me emrin Cule Plori, një këngë për dhëndrin që u vra në grazhd të kalit ditën e dasmës. Emrin e kishte Rexho.
Sa drithërime e trishtim më ngjallte ajo këngë edhe pse nga goja e një fshatareje që kurrë nuk kishte parë drita skene. Mua gjithnjë me ngjallej në përftyrimin fëminor, një kalë që qëllonte pambarimisht me thundër dhëndrin Rexho dhe, aty pranë, motërzezat që qanin vëllanë e vdekur. Kur e kam dëgjuar këtë këngë pas dhjetë vjetëve nga e mrekullueshmja këngëtare nga Kosova Nexhmije Pagarusha, më mbeti fryma pezull. Ajo artiste e madhe ditur ta ngrejë dhe ta shfaqë në dritë të diellit atë perlë të artit të popullit, që një artist i panjohur, gjatë shekujve të harruar, e kishte krijuar prej një dhimbjeje të jashtëzakonshme. Ajo këngë-vaj dhe ato vargje kishin mbetur disi të pluhurosura ashtu si librat e vjetër e shumë të çmuar në raftet shekullore të tempujve të moçëm, derisa doli një artiste e madhe për ta nxjerrë në dritën e diellit margaritarin vezullues të asaj elegjie të pavdekshme.
Kur krijuesit e brezave të shkuar, apo edhe bashkëkohorë, gjenin dhe vazhdojnë të gjejnë një përputhje harmonike të potencialit të vet krijues me artin e madh të popullit, atëherë në gjerdanin e Atdheut ndrisin perlat.
Mjafton të themi dy fjale a ndofta një titull kënge popullore dhe mendja na shkon tek një meteor që kaloi dhe u shua fatkeqësisht shpejt në qiellin e artit shqiptar. Kujtojmë këngën “Kroi fshatit tonë” apo një tjetër perlë, si “Kur më vjen burri nga stani” dhe na shfaqet fytyra e madhërishme e Tefta Tashko-Koços, këngëtares që e kujtojmë gjithmonë me një dashuri ngjizur me dhimbje. Tek ajo shkrihej mrekullisht talenti i madh i sopranos në fushën e interpretimit të veprave muzikore klasike me interpretuesen e papërsëritshme të këngës popullore shqiptare.
Koha, bashkë me të, nxori legjendën Marie Kraja (Paluca), si dhe interpretues të tjerë të mëvonshëm që ia përkushtuan jetën dhe talentin artit popullor, si Fitnete Rexha, Bik Ndoja, Shyqyri Alushi, Hafsa Zyberi, Luçie Miloti, Ibrahim Tukiqi, Demir Zyko i Skraparit, mjeshtri i kabasë Laver Bariu, Naile Hoxha e deri tek këngëtarët e sotëm që vazhdojnë traditën e krijuar, si e përkushtuara e këngës popullore Merita Halili, Frederik Ndoci, Bujar Qamili, Eli Fara, Parashqevi Simaku, Ermira Babaliu e Kleopatra Dokle. E, në këtë vazhdimësi artistësh shquhet edhe Fitore Mamaqi, një kualitet i lartë i skenës operistike dhe nxënëse e Marie Krajës, që i këndon këngët popullore me shumë pasion, e plot të tjerë, të cilët nuk i lodh e nuk i mundon tundimi i artit të tregut, por ai i artit të vërtetë. Këtu, ndoshta është me vend të kujtojmë se sot, kur shteti shqiptar për shkak të zhvillimit të dobët të ekonomisë nuk është në gjendje të bëjë as atë që mund të bëjë një individ i vetëm a një institucion i pavarur privat, i bie për detyrë biznesmenëve shqiptarë, kudo ku ndodhen: në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Europë, Amerikë, Kanada apo Australi, që t’i paguajnë “haraçin” artit të popullit që i ka lindur dhe të cilit, edhe në paçin shtetësi tjetër, shpirtërisht i përkasin Shqipërisë.
Nuk mund të ketë zhvillim të kulturës dhe traditave kombëtare pa ndihmë dhe pa mbështetje. Nuk mund të mburremi mbi përkatësinë kombëtare këtu në Amerikë e gjetkë, për individualitetin e artit tonë në gjerdanin e kulturës botërore, në qoftë se nuk japim kontributin tonë. Festivalet shqiptare në New York, në këtë qytet gjigand, metropoli më i madh i ekonomisë, i artit dhe masmedias së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, japin një ndihmesë jo vetëm për çështjen shqiptare (duke shtuar dashamirësit e kombit tonë), por edhe që brezat e rinj, lindur e rritur në mërgim si qytetarë amerikanë, të ruajnë e të forcojnë identitetin si shqiptarë, duke siguruar kështu vazhdimësinë.
Jemi një popull që, megjithëse i vogël, kemi bërë traditë duke nxjerre figura në historinë e artit dhe kulturës botërore. Mjeshtri i madh i muzikës bizantine, i njohur në historinë e muzikës botërore për krijimin e ruajtjen e thesareve të muzikës mesjetare, Jan Kukuzeli, ishte një arbër nga Durrësi. Marin Barleti me “Historinë e Skënderbeut” u bë shkrimtari më i përhapur në Europë në kohën e vet. Ndërsa bashkatdhetarët e tij, që bashkë me Barletin morën udhën e mërgimit në Venedik, krijuan atje një lagje shqiptare. Në atë lagje u lindën dijetarë të shquar dhe artistë të mëdhenj, nderi dhe krenaria e Europës, si piktori i madh i rilindjes Viktor Karpaci (Carpaccio), piktori Mark Bazaiti, poeti Mikel Maruli, skulptori Gjon (Gianbattista) Albanesi (që rridhte nga një familje e tërë artistësh të quajtur albanezët e Viçencës), arkitekti i bregut dalmat Andrea Aleksi nga Durrësi, e deri tek astronomi e pedagogu i madh i Universiteteve Leonik Tomeu, mësuesi i Kopernikut, me zbulimet e të cilit zë fill shkenca moderne e astronomisë.
Një ndërtues i ri shqiptar bie rob i Sulltan Mehmetit që kishte pushtuar tërë Ballkanin, e, pikërisht ky shqiptar, për shkak të talentit të tij të madh u zgjodh si i vetmi në gjithë perandorinë otomane për të projektuar xhaminë e madhe Mehmedije, kryevepra dhe krenaria e Stambollit edhe sot pas pesëqind vjetësh. Edhe emri i arkitektit i tillë mbeti: Arkitekt Sinani, që përkthyer në shqip do të thotë “skllav i liruar”. Pas tij do të vinte shqiptari tjetër arkitekt, Kasëmi, pasuar nga 40 vezirë (kryeministra) bashkëkombas shqiptare që drejtuan perandorinë otomane me dorë të hekurt, të cilët për keq apo për mirë historia i njeh.
Populli shqiptar ka krijuar edhe nën robëri por edhe në liri. Këtë e tregon mrekullia e piktorit Onufri, ndër më të shquarit në historinë e artit ikonografik mesjetar. Kur një portret gruaje të këtij artisti të madh nga Shpati i Elbasanit, gjetur në një derë hauri, e çuan në një ekspozitë ikonografike në Paris, një kritik francez e quajti Xhokonda e Lindjes. Portreti i Davidit, megjithëse i dëmtuar, mbetet padyshim kryevepra e tij. Kryevepra janë edhe miniaturat me të kuqen e papërsëritshme onufriane.
Nga gjiri i popullit tonë kanë dalë heronj me përmasa europiane si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Papë të nderuar si Klementi i XI, dhe shenjtorë të përvuajtur të kohëve moderne si Nënë Tereza. Ishin dy bij të Hotit historik, Hotit të Ded Gjo Lulit, ata që të parët hodhën idenë fisnike dhe patën bujarinë të sponsorizonin lartësimin në bronz të kësaj bije shqiptare në sheshet e Tuzit dhe të Prishtinës, pa pritur që të shenjtërohet, duke i kujtuar e sjellë ndërmend mbarë njerëzimit që përgjërohet për këtë nënë të madhe, se ajo është bijë e popullit shqiptar. Vëllezërit Lek e Pashk Gojçaj, edhe pse biznesmenë, kanë bërë investimin më të shkëlqyer në jetën e tyre në një fushë ku përfitimi është moral dhe shumë më i çmuar e i pavdekshëm se çdo lloj kapitali tjetër .
Po, a ndiqet gjithnjë kjo udhë, përveçse në ndonjë rast sporadik? Sa financohet arti dhe tradita në terren të tillë si Amerika, ku mundësitë janë të jashtëzakonshme për zhvillimin e kulturës dhe artit të komuniteteve? Sa libra janë sponsorizuar nga pronarët e picave dhe të restoranteve? A kanë shkak të mburren këta biznesmenë në tubime a gazeta, thjesht pse punojnë për të mbushur xhepat dhe depozitat e tyre në banka pa e vrarë mendjen se, edhe pse shumica e tyre nuk kanë shumë kulturë, duhet të ndjejnë detyrimin moral për të paguar një “haraç” sado të vogël për artin dhe kulturën. Këta duhet të ndjejnë sadopak detyrimin për të sponsorizuar veprat e artistëve dhe shkrimtarëve të komunitetit, të ardhurat e të cilëve janë modeste dhe larg mundësisë për të përballuar publikimin e veprave të tyre.
Nuk mund të mbështetet arti popullor, apo edhe ai i kultivuar, në ca minikoncerte restorantesh nën ritmet e përplasjeve të pjatave e pirunëve, apo meraklinjve të verës, rakisë apo kafesë dhe shoqëruar me gromësitje stomakësh të tejngopura.
Nëse duhet t’i tregojmë ndonjëherë botës identitetin tonë, nuk duhet të kursejmë. Ne jemi, për fat të keq, një komunitet pa histori, jo sepse na mungojnë reliket historike, por sepse jemi dorështrënguar e nuk japim para për një muzeum të Komunitetit Shqiptar në Boston apo për një qendër të kulturës shqiptare në Nju Jork. Iniciativa të tilla mbetën në letër, jo vetëm sepse askush nuk jep, por edhe sepse organizatorët, mesa duket u lodhën duke trokitur në derë të shurdhër, ose-ose nuk e panë me leverdi të vazhdojnë të merren me atë punë.
Për të parë se çfarë është nderi dhe lavdia e një kombi, duhen hedhur sytë në artin dhe kulturën e tij, në traditën e krijimit, dhe aspak në specialitetet e kuzhinës në restorante, megjithëse edhe kësaj diku ia gjen vlerën.
Çfarë është Dizhoni, ky qytet provincial i Francës, çdo shqiptar e di sepse atje u dha vërtet një shfaqje e madhërishme e artit të popullit tonë që bota e çmoi dhe e vlerësoi me gjerdanin e artë. Dhe aty, në atë grup artistik të këngëve e valleve shqiptare që ngriti peshë me drithërima vibruese ajrin dhe gjithë atmosferën në sytë e qytetarëve artdashës francezë, u derdh talenti i valltarëve si Besim Zekthi e Lili Cingu dhe i dhjetëra anëtareve të grupit të interpretuesve të artit të popullit tonë. Në atë grup që u shfaq aq virtuoz në netët franceze, derdhi talentin e tij një artist i madh si Tish Daija, që e drejtoi ansamblin kombëtar të këngëve e valleve ndër vite mbushur plot punë e pasion.
Çfarë është Bregu i Himarës, çdokush nga ne e di. Është bregu i artë i portokalleve dhe ullinjve, është bukuria magjepsëse ku gjatë verës shkojnë të pushojnë mijëra shqiptarë e të huaj, është një bregdet i virgjër që bashkë me bregun e Sarandës janë mrekulli e natyrës. Gjithashtu, ky është edhe djepi ku janë përkundur trimat dhe këngët gjatë historisë. Mjafton të kujtojmë mrekullinë – këngë “Vajza e Valëve” dhe krijuesin popullor, i cili, edhe pse nuk ka qenë shumë i publikuar në Shqipëri, ishte një artist që në modestinë e anonimitetit të tij mbeti i madhërishëm. Kushdo që ka një mik himarjot, le ta pyesë dhe ka për t’u çuditur me respektin dhe dashurinë e himarjoteve për krijuesin e këngëve popullore, Neço Muka, që krijoj mrekulli dhe vdiq në moshë të re pasi derdhi në këngë gjithë bukurinë e shpirtit.
I madhërishëm si Neço Muka në Jug, ka qenë mjeshtri i madh i interpretimit të këngëve me sharki, Dervish Shaqja që lindi në Kosovë dhe e ngrysi jetën në Rashbull e Shënavlash të Durrësit. Në këngët e tij spikat trimëria e luftëtarëve Azem e Shote Galica dhe brenga e pikëllimi për Kosovën që kish lënë pas, në dimër e dëborë, nën kallkanin e ngricat e pushtimit serb. Këtë vaj dhe pikëllim si një zë prej shekujsh e nxirrte sharkia e rapsodit, të cilin kur shkuam dhe e takuam bashkë me poetin kosovar Adem Istrefi, e gjetëm në prag të derës duke gdhendur sharkinë si më i miri gdhëndës druri. Ishte mjeshtër i këngës dhe mjeshtër shkuar mjeshtri i gdhendjes së sharkive në dru mani. Dervish Shaqja kish lindur si artist dhe deri sa vdiq mbeti i tillë, i admiruar deri në kult, në Shqipëri dhe Kosovë e kudo ku ka shqiptarë, bashkë me mikun e tij të këngëve nga Kosova Demush Neziri, të cilin shumëkush e ka harruar, gjë që nuk duhet të ndodh.
Këta krijues të mëdhenj të artit popullor, të cilët nuk jetojnë më, por që lanë shpirtin e tyre në këngë, meritojnë nderim e respekt. Ata duhet të kujtohen duke evidentuar krijimet e tyre në evenimente kombëtare të artit folklorik, krijime të cilat do të shërbejnë si përvojë dhe shëmbëllesë për brezat e artistëve të rinj që interpretojnë dhe krijojnë nën frymën e artit popullor.
E konsideroj fat që kam pasur rastin të përjetoj shfaqjet e dy festivaleve kombëtare folklorike, 1978 dhe 1988, dhe të dëgjoj për herë të parë shumë prej këngëve që më pas do të mbeteshin vlera të pakontestueshme të artit folklorik kombëtar. Një grup i vogël këngëtarësh popullorë të Vlorës, kërkuan dhe gërmuan në kujtesën e bashkëvendësve të tyre këngë të vjetra, që ende kishin mbetur në sëndukët e kujtimeve të pleqve tanë të mirë. E, pasi dëgjuan shumë prej tyre, pasi e mbushën shpirtin me frymëzim disi hyjnor duke përjetuar dramën e popullit të tyre, rikrijuan një këngë vaji përmbi vaje: “Janino”.
Ajo këngë mbeti një perlë që la pa mend shumë studiues e muzikologë të huaj, të cilët habiten se si mund të krijohen edhe sot kësisoj këngësh me shpirtin dhe frymën e shekujve, këngë të një kohe të shkuar, por që shfaqen si relike të vjetra me vezullim të ri emocionues.
E çfarë mund të thuhet për perlat e Çamërisë, për artin e madh të një popullsie të vuajtur! Kur grupi i vogël çam i Rogozhinës hipi në skenën e festivalit kombëtar dhe këndoi këngën e “Çelo Mezanit”, ra një heshtje akulli. Dhimbja që buronte prej këngës, tablotë që shpaloseshin si copëza historish tragjike dhe të përgjakura, bënë që njerëzve t’u drithëronte shpirti. Ai grup këngëtarësh çamë e ngritën heroin e këngës së tyre nga varri, e megjithëse plot plagë e mbuluar me gjak, mbeti “gjallë ndër të gjallë” në përfytyrimin popullor. Ka kaluar një çerek shekulli. Kush e dëgjon sot atë këngë e nuk rrëqethet!
Osman Taka ka një emër në histori. Osman Taka, nga bashkëfshatarët e tij apo nga banorët e krahinave të jugut ndoshta mund të përshkruhet për bëmat e tij edhe në histori, gojëdhëna a rrëfime popullore. Mirëpo, që nga Çamëria në Kosovë, nga Tetova në Shkodër e Vlorë, në Gjirokastër, në Korçë e Diasporë, Osman Taka është ajo vallja burrërore që nuk ka të krahasuar me asnjë valle në botë për nga ritmi, forca, gjallëria e lëvizjeve dhe fantazia e mrekullueshme popullore e krijimit të figurave me një plasticitet befasues e të jashtëzakonshëm.
Është ajo valle që ve përballë provës së vështirë edhe valltarët më virtuozë dhe që, në Diasporën shqiptare në Amerikë, e ka sjellë për të parë skenën e shqiptarëve të Bostonit, koreografi Bashkim Braha. Edhe pse ajo valle nuk luhet nga emigrantët e rinj me atë virtuozitet sa në Atdhe, përsëri ajo i mbushi shqiptarët e Amerikës me një krenari të ligjshme për popullin e vet, që përveçse ka treguar trimëri kur zëri i Atdheut e ka thirrur, ka krijuar edhe një art të madh. Prandaj, kur themi që nuk duhet t’i harrojmë artistët që artin e popullit e kanë ngjizur me shpirtin dhe ndjenjat e veta dhe e kanë shfaqur mrekullisht në skenat dhe podiumet bashkëkohore, nuk duhet të harrojmë një këngëtar me zemër të madhe. Mendoj se kushdo që i lexon këto shënime, sjell në përfytyrimin e tij portretin e njeriut të thjeshtë, gjeni të këngës dhe të skenës shqiptare, Mentor Xhemalin që derdhi talentin e tij pa u kursyer në Teatrin Kombëtar të Operës dhe në grupin e sazeve të Përmetit. Ai, edhe pse ishte mjeshtër në interpretimet e roleve në opera, gjeti kohë e frymëzim krijues për t’u bashkuar me grupet popullore folklorike, sepse një artist të vërtetë, arti i popullit e ngre lart. Vaçe Zela, kjo këngëtare e madhe e papërsëritshme në skenën shqiptare, erdhi tek kënga e kultivuar nëpërmjet këngës myzeqare që e këndonte kush më mirë se ajo, kur bashkohej në duet me vëllanë e saj këngëtar, Hysni Zela.
Në artin popullor shqiptar kanë gjetur frymëzim edhe kompozitorë që nderojnë historinë e muzikës shqiptare. Le të kujtojmë këngën me titull “Lule bore” dhe në çast, gjithsekush sjell në përftyrimin e vet një këngë aq të ndjeshme dhe aq të afërt emocionalisht, sa të thuash se buron prej kujtesës popullore shkodrane, për t’u përhapur më pas në të gjithë Shqipërinë. E pra, ajo është një krijim artistik me një popullaritet të paparë brenda e jashtë Shqipërisë. E kush nuk e këndoi atë nëpër dasma! Jo vetëm në Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi por edhe në diasporën shqiptare anë e mbanë Europës, në Amerikë e Australi. E këndojnë të rinjtë me dashuri, e këndojnë pleqtë me nostalgji. E me mirënjohje nga zemra, i thonë kompozitorit që nuk jeton më “Të faleminderit, Simon Gjoni!”.
Ia thonë sikur ta kishin pranë. Kush krijues nuk do ta dëshironte një urim të tillë mirënjohës për krijimtarinë e vet?
Kështu ndodh kur artisti përjeton, e për më tej krijon duke ngjizur shpirtin dhe talentin e vet krijues me atë të popullit. Edhe shkrimtarët, që mbase në vështrim të parë duken disi larg prej artit folklorik popullor për shkak të gjinive të ndryshme dhe mjeteve specifike të shprehjes, gjithsesi janë gjendur pranë gurrës popullore dhe “kanë pirë ujë në ato burime” siç thotë kënga e njohur anë e mban Shqipërisë.
Por jo gjithmonë ndodh që artistët apo krijuesit e rinj të kenë pasur sukses në shfrytëzimin e burimeve folklorike për krijime të vlerave të reja artistike dhe emocionale. Kjo mospërputhje e mos gjetje vlerash shfaqet me së shumti në fushën e muzikës së kultivuar. Janë një sërë kantautorësh që në këto vite e kanë mbushur tregun me kaseta e disqe, këngët e të cilëve janë krijuar në stilin e zhargoneve të rrugës apo të këngëve të hershme kafenesh e ahengjesh pa kurrfarë vlere. Përhapja dhe mbushja e tregut po ndodh kur artistë të afirmuar, jo vetëm nuk gjejnë treg, por as mundësi për prodhime disqesh e kasetash, siç ndodh me artin vulgar që pretendon se kultivon frymën masive të këngës.
Artistët e rinj të këngëve të kultivuara, të cilët kinse po krijojnë një art modern paraqesin banalitete, kanë shembuj se si mund të shfrytëzojnë mjeshtërisht frymën e vërtetë të artit popullor në mënyrë krijuese, pa e sakatuar atë dhe pa rënë në folklorizëm.
Në vitin 1994, i ndodhur emigrant në Greqi, në një shtëpi përdhese të lagjes Kesariani të Athinës, në valët e një radiostacioni të huaj dëgjova një këngë që, megjithëse dukej se ishte e huaj, kishte brenda vargje në gjuhën shqipe. Mbeta i befasuar.
Tek e dëgjoja, në vijën melodike e më pas fjalët më bëhej se ishte matjane, Atë këngë e kisha dëgjuar në një festival kombëtar dhe radio Tirana e kishte në repertorin e saj të përhershëm. E këndonte një duet vajzë-djalë, e fjalët që më vijnë ndërmend edhe sot janë “O kam një babë, e s’mund ta la, mor, s’mund ta la…”
Kënga shqiptare ishte në sfond, aq sa mua më dukej se kishte një përplasje a kakofoni stacionesh, por jo. Ritmi dhe orkestrimi që kishin krijuar të huajt ishte një magji që e kishte burimin prej vetë këngës. Kënga shqipe u kishte shërbyer artistëve të huaj jo vetëm si sfond (siç ka bërë edhe këngëtari anglez Sting me një këngë algjeriane), por edhe si burim ritmesh të gëzuara të një kënge moderne ku fjalët ishin në shqip dhe fryma e orkestrimit buronte prej ritmeve dhe melodisë së asaj kënge.
Dëshiroja ta incizoja në kasetofon, por valët e radios atë ditë nuk vinin shumë të qarta prej ndonjë qyteti të Europës deri në jug të Ballkanit, në qiellin e Atikisë.
E kam kërkuar në sa e sa dyqane ku shiten kaseta e CD muzikore, por nuk e kam gjetur askund. Dhe ishte një këngë aq e bukur, një ritmike që ta mbushte shpirtin me dritë e dëshirë për ta gëzuar jetën.
Rasti i dytë i befasimit tim nga përpunimi i mrekullueshëm i këngëve folklorike shqiptare në artin e kultivuar, nuk ka qenë nëpërmjet radios, por në internet. Tashmë ndodhesha në Amerikë dhe me kushte moderne komunikimi që s’i pata ëndërruar në Shqipëri dhe as në jetën prej emigranti ilegal në Greqi.Nëpërmjet një veb-siti, mësova për një këngëtare të re shqiptare në Gjermani e cila, si kishte mbaruar konservatorin për muzikë, kishte nisur një veprimtari me koncerte shumë të suksesshme në Europë. Pas një komunikimi me mesazhe, këngëtarja lirike që ishte pëlqyer nga publikun gjerman me interpretime klasike, më dërgoi disqet e saj me krijime muzikore. Ndërsa në diskun e parë kishte interpretime lirike, si arie e romanca, në të dytin, pra diskun e titulluar shqip “Eja” kishte një këngë të gjatë, kompozim të saj mbështetur në krijimtarinë e muzikës popullore qytetare përmetare, pra të qytetit që ishte vendlindja e saj. Dëgjoja këngën, ndërsa në dorë kisha kapakun e diskut mbi të cilin shkruhej emri i kompozitores dhe këngëtares Eda Zari. Këngëtarja e re kishte arritur që, nëpërmjet frymës së këngëve të Përmetit, të krijonte një këngë emocionale me dimensione të mëdha dhe me një ritëm të ri, strukturuar me një stil krejt të padëgjuar në krijimtarinë e këngës së kultivuar shqiptare. Ajo këngë ishte si apoteozë e këngëve përmetare, me një stil krejt modern, që nuk binte aspak më poshtë nga krijimet dinjitoze të mjeshtrave të këngës europiane bashkëkohore.
Nuk rrija dot pa e përshëndetur, pa e vlerësuar e pohuar se ajo kishte krijuar një këngë me vlera të mëdha emocionale, që ngre lart artin e popullit tonë, që me këngën “Eja”, Eda Zari kishte dhënë shëmbëllesën, rrugën që duhet ndjekur nga krijuesit e rinj në Shqipëri dhe jashtë saj, për të mos shpenzuar kohën dhe talentin duke u nëpërkëmbur me vlera gjysmake që sot në Shqipëri kanë mbushur tregun. Eda Zari e kishte ëndërr të vinte e të këndonte në Nju Jork për bashkatdhetarët. Erdhi dhe Komuniteti Shqiptar e përshëndeti për artin e saj të mrekullueshëm që na mbushi me emocione dhe ndjenja të larta atdhedashurie.
E nuk ka si të ndodhë ndryshe kur artisti e njeh artin e popullit të vet, ushqehet prej tij dhe krijon vlera të reja prej atij tabani. Është si me perlat që fshihen në fundin e detit. Shpesh, mbuluar nga myshqet dhe koralet, harrohen, derisa ndonjë dorë e guximshme i nxjerr prej thellësive për të shfaqur të vërtetën e shkëlqimit të tyre.
Shqipërisë kurrë nuk i kanë munguar as perlat thellësive, as artistët e guximshëm që dinë si t’i nxjerrin vlerat prej pluhurit të harresës, prandaj kurrë s’na humbet besimi se do të shohim vazhdimisht perla në gjerdan të Atdheut.

Meditim në Festivalin e 12-të Shqiptar në Nju Jork, 22 tetor 2002.
Shkëputur nga  librit “Bukuri shkodrane” ese, Boston – Tiranë 2007

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s