Poezi nga Adem Zaplluzha

Poezi nga Adem Zaplluzha

 

I PAMË SIRENAT E EGRA

Ne i pamë anijet e braktisura
Vdekjet e velave
Zogjtë e nakatosur
Mbi kiçet e kalbura të anijeve

Pamë se si dënesnin
Me ngashërim gratë e marinarëve
Peshkatarët që i hidhnin grepat
Mbi dallgët e dhunuara

Çfarë nuk pamë
Në shtigjet e turbullta të valëve
I pamë sirenat e egra
Dhe Uliksin duke u kthyer në atdhe;

 

MBASE ISHIN SFINKSA TË VDEKUR

Kuajt e mi bardhë e të egër
Pa dizgjin u bëni ballë stuhive
Ju bijtë e mjegullave
Kalëroni përtej shtatë qiejve
E deteve të pafund

Më kujtohet kur ishte vjeshtë
Mbi gjethet e vdekura
Notonte një stinë prej hejeve
Netët ishin të gjata
Si ato të thikave të ndryshkura

Ne pamë edhe më shumë trishtime
Si qanin zogjtë
Nën degët e thyera të mështeknave
Qanin fatin e një fatkeqësie
Pemët dënesin në kor me stuhitë

Nuk lëmë vend pa u ankuar
Qëndruam si statujat antike
Pranë portave shurdhmemece
S’deshi askush ta dëgjoj vajin tonë
Mbase ishin sfinksa të vdekur.

 

SA E ZBRAZËT ËSHTË KJO NATË E TRAZUAR

Sapo nata i lëshoi perdet e zeza
Ky gjumë i përdalë qerpikun rendon
Nuk më lë rehat
Në çdo orë e kohë
Troket mbi dhembjen time

Mbase nuk kam më kohë
Ndjej shterjen e të gjitha lumenjve
Asnjë kokërr uji
Nuk paska mbetur
Në stërkalat e shiut imcak

Sërish e sërish ndjej
Se në këtë zbrazëti të pamat
Fundosen yjet e vdekur
Fundosen edhe zogjtë e fundit
Në përqafimin e sterrës së pafund

Një fërshëllimë e egër
Doli nga rropullitë e erës
Në fund të moçalishtes i pamë plepat
Duke përjetuar grahmën e fundit
Sa e zbrazët është kjo natë e trazuar
Kur ëndërrojmë dritën.

 

U ZHDUK TOK ME ERËN

Nga të katër anët e dynjasë
Po kthehen shtërgjet
Mbi liqenin e artë
Dallgët gjysmë të frikësuara
I ndukin pendlat e zogjve shtegtarë

Kah vrapuan kuajt e mi të egër
Nëpër ajrin e paçjerrë
Vrapuan tej përtejmes
Pas zogjve të vrarë e të plagosur
Dhe kurrë më nuk i dëgjuam hingëllimat

Një zë si nga honi i lashtësisë
Doli dhe sërish u zhduk
Mes tingujve të një balada
U zhduk tok me erën
Malli i një stine që na përvëlonte.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s