Poezi nga Nikollë Loka
Në Argjiro(kastër)
Princi Gjin e shkroi emrin mbi gur,
dhe e vendosi sipër derës në kala,
ranë njëqind tërmete
kalanë dot s’e rrëzuan,
por sipër derës emri nuk u pa.
Kaluan vite, dy breza arbërorë,
ai emër në gurë s’po ngjiste,
ndër luftëra gjëmonin bori e tambura,
pas luftës, këngë e ninulla arbërishte.
Në fushën poshtë, bori e hingëllima,
gjyle topash që gurin e digjnin,
del në bedenat e kalasë Argjiroja,
dhe e lë një testament për të birin.
Iku Argjiroja drejt vdekjes së bardhë,
në fushën plot tambur e vringëllima,
u hodh nga kalaja e s’ra përtokë,
qielli e mori lart me vetëtima.
E që atëherë ranë njëqind tërmete,
po guri mbi kala as s’u fshi e as s’u shkul,
Gjini i Bua Shpatajve iku prej legjendave,
e në faqe historie u ul.
Princesha Argjiro u kthye në legjendë,
miti i saj na ndjek, na bën më ëndrrimtar.
Teksa e kërkojmë nëpër qytet,
në Argjiro(kastër)
e ndjejmë frymën e saj.
Xhindët
Xhindët e detit përkunden,
dremisin e nuk flenë,
shohin ëndërra syhapur,
kështjella në rërë
që u prishen,
e gjuajnë bregun me dallgë,
cuname
gjithë natën, gjithë ditën.
Xhindët e tokës përgjumen,
dremisin e nuk flenë.
shohin ëndrra syhapur,
kështjella mbi dallgë
që u prishen,
e gjuajnë detin me zjarr
vullkane
gjithë natën, gjithë ditën.
***
Nata bie mbi det e ulen perdet,
në pamjen që skuqet lehtë…
Shkruajnë nga një varg në ditarin e tyre poetët,
piktorët kompozojnë natyrë të qetë…
Mbrëmja zgjat dhe era lëkund perdet,
një puhi e lehtë bëhet shkumë…
Në krahë mbrëmje duken më të mirë poetët,
piktorët ndihen më të lumtur…
Dy brigjet
Valë mbi valë me thyerje të lehta,
zgjerohet pamja bardh e blu,
por shikimi nuk mund ta kapë bregun tjetër,
një simetri e projektuar diku…
Nuk e di projeksionin e kësaj paralele,
a është plazh a liman!
Nga bregu shqiptar mungon gjysma tjetër,
e bregut italian.
Që nga ilirët, në mes të dy brigjeve,
një urë është hedhur në ajër,
e përshkojnë pulbardhat dhe rrezet e diellit,
e përcjellin mëngjeset dhe mbrëmjet.