FRAZËPËRSËRITËSI / Nga: Edmond Llaçi

FRAZËPËRSËRITËSI

 

Nga: Edmond Llaçi

Prania e kamarierit nuk e shqetësoi fare atë. Si klient i përditshëm dhe i rregullt e ndjente veten pjesë të atij ambienti. Gjithmonë do të zinte tavolinën e tij, nëqoftë se ajo do të ishte bosh. Do të ulej në karrike me cigaren e ndezur midis gishtave të dorës së djathtë. Nuk do ta hiqte shikimin prej saj deri sa të bindej se mund ta fikte.
Sot ai kishte ardhur i ndrequr. Diku kishte ndaluar dhe kishte zbrazur kush e di se sa gota me rraki. Ngriti kokën dhe me një buzëqeshje në cep të buzës, por me shumë skërmitje dhe inat, porositi dopjon. Ajo erdhi aty me mezen e preferuar të tij. Këmbë oktapodhi të prera në copa të vogla. E kishte bezdi thikën.
Nisi ta rrotullonte gotën e mbushur me rraki mbi suprinën e tavolinës. Pasi e çukiti mbi të, ktheu në gurmaz gllënkën e parë. Ishte mjeshtër i rakisë. E njihte prej kohësh dhe si me humor thoshte “E sjell unë vërdallë atë, në vënd të më sjell ajo!”. Kishte një ves të habitshëm të cilin e shfaqte pasi kishte kthyer disa gota me rradhë. Në qoftë se veshi i tij do të kapte ndonjë frazë që atij do t’i bënte përshtypje, ai do ta ripërsëriste kush e di se sa herë. Ndoshta deri sa të çohej e të ikte.
Ripërsëritja e frazës së ditës do të kalonte lirshëm nëpër lokal. Ai sikur jetonte dhe ndjente intonacionet dhe koloritin e zërave të bashkë-biseduesve të ndryshëm që ishin ulur e po kënaqeshin me ato që kishin porositur. Do ta ripërsëriste frazën me zërin e dikujt aty pranë dhe duke e parë me bisht të syrit atë, ai, frazëpërsëritësi në tone fare të ulëta do të vazhdonte avazin e tij.
“Sinkronizim i çuditshëm. Ajo do t’i jetë krijuar në një moment të tejskajshëm dehjeje”, mërmëriti kamarieri tek rrinte i mbështetur në banak me shikim nga tavolinat. Andej kontrollonte e ndjente se kush mund t’i kishte nevojën. Ata pothuajse ishin klientë të përhershëm aty dhe ai u a dinte kërkesat dhe shijet.
Me frazëpërsëritësin qëndronte krejt ndryshe puna. Sa e shihte të kalonte pragun e derës e të hynte brenda do të përpiqej të merrej me diçka pasi çdo lëvizje e tij do ta tërhiqte si me magnet. Do të mundohej të mos ta përlaste shikimin me të. Atje tek rrinte pranë banakut do të ndjente t’i lëviznin buzët dhe ta imitonte. Rrëmbimthi do të vendoste dorën përpara me frikë se ato do të lëshonin zë. Sa herë i ndjente ato fjalë t’i lëviznin lirshëm përbrënda tij.
Në një moment tek meditonte për intonacionin e frazës së radhës, frazpërsëritësi ktheu kokën nga kamarieri si për t’i thënë “Rri urtë!” por ndjeu shikimin zhibrues të atij njeriu me papion që i shërbente, sikur t’i thoshte “Ti rri urtë, e jo unë!”.
Heshtja e çastit ishte momenti i përgatitjes së frazës së radhës. Pas asaj, tendosja e brendëshme e tij, e shfaqur në atë fytyrë të shpërbërë nga pija e tepërt, ja hoqi atë buzëqeshje nga cepi i buzës.
-Do të flas e do të bërtas -, nisi ai në fillim me tone të ulëta. Duke i dhënë kamarierit skërmitjen e fundit që i kishte mbetur në cep të buzës, – Do të flas dhe ç’farë të dua unë – vazhdoi ai duke rritur tonin e zërit
Ndërkohë, nga ana tjetër, kamarieri po futej në një duel të pafund me frazëpërsëritësin. Kishte ndo-dhur ajo që ai i trembej vazhdimisht. Efekti i magnetizimit
– Nuk do të flasësh -. Kamarieri duke u drejtuar për nga ai vazhdoi me zë më të lartë, – sepse nuk do të të le unë!.Tërhoqi njerën prej karrikeve që ndodhej aty dhe u ul pranë frazpërsëritësit.
Ai duel i së drejtës së fjalës kush e di se sa zgjati. Klientët e përhershëm të atij lokali përfituan nga rasti dhe u larguan pa bërë zhurmë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s