Poezi nga Teuta Dhima
LULET E NËNËS
Nenë, në dritaren tënde lulet janë tharë.
Kercelli i gjelbërt i tyre,
t’u bë bastun pleqërie.
Rrezet mëngjesore nuk të hijeshojnë më fytyrën si atëherë, kur me padurim më prisje.
Ato, në floknajën e argjendtë, të bëhen kurorë mbi shtrat.
U ngadalësuan hapat e tu nënë.
U shtuan trokitjet e mia në derë.
U ngadalësuan aq shumë, sa nuk i dëgjoj më.
Nënë!
Tani, në portën e qiellit nuk trokas dot,
por e di që kur të vi, e para do të më presësh.
THIRRE MUZËN!
Thirre muzën!
Ftoje në gosti idesh dhe ulu përballë saj.
Thirre, thirre fort derisa erërat t’ia çojnë pranë zërin tënd.
Bëje shoqe muzën!
Ajo do të ta freskojë shpirtin
si shiu i verës tokën e djerrë.
Vallëzo me të!
Këndoni bashkë këngët e dashurisë.
Mbështillu me krahët e saj dhe lere erën të fryjë, në hapësirën që lë një përqafim.
Thirre, mos ngurro dhe do të shohësh se ç’shkëlqim do të marrin sytë.
Thirre, e do të lumturohesh.
E shumë të tjerë do lumturosh
me perlat, që guacka e shpirtit rrit në shoqërinë e saj.