Poezi nga Merita Paparisto

Poezi nga Merita Paparisto

 

Ajo tjetra …

…Shemra ime, dashuron si e marrë burrin tim
shputat mbars në gjëmba xhelozie,
të pjellat shpërndan në tokat e mia.

Ajo tjetra në zjarr ferri i mpreh thonjtë
që të prijë kopenë,
zemrën ia shpon natës me shkëlqimin e syve,
ditës i hakërrohet…

Ja …u zgjua, gishtat zhyt në kripë,
sytë e përgjumur njom me to.
Shqep vargonjtë e dritareve,
do dritë… Dritën njëlloj si terrin dashuron.

Ajo tjetra… brenda meje!

©M.P. ( nga vëllimi me poezi “Solstice” 2020)

 

Ndjesi

Ai-
nuk harron asnjëherë
të vendosë lule dhe vargje
në gurin e ftohtë të stolit të mungesës.

Ajo-
fshehurazi nuhat dhe vështron
me një kureshtje prej fëmije
si lulëzon dhe erëmon
një burrë i dashuruar.

©M.P. ( nga vëllimi me poezi “Solstice” 2020)

 

Do përplasemi?

Qytezë brënda kështjellës
e ndërtuar me kube
nga fëmijëria…
me udhëza të ngushta,
shtëpi me avlli e dyer druri,
dritare me qepena…
në krye të rrugës,
kënga misterioze e muezinit…

Labirinthet janë të pjerrët dhe dinakë…
do përplasemi?

Do përplasemi një ditë, si zaret me ngjyra
në lojën e fëmijërisë, veç për një çast,
për tu shtyrë më pas
në drejtime të kundërta…
Zaret e vegjël të hedhur nga duart e imta
të fëmijëve, që jemi vetë ne.

Do përplasemi? Vetëm për një çast
se çast është lumturia…fije drite…
çdo gjë që zgjat më shumë se aq,
humbet në labirinthin pa dalje
të pyetjeve që kurrë nuk kanë përgjigje…

Dhe drita është zjarr si të gjithë zjarret
me fatin të shuhet një ditë…
Vetëm lumejtë rrjedhin përjetë
lumenjtë që fillojnë të rrëmbyer
dhe shtrohen e hapen në deltë.

Hajd’ përplasemi pra….
Vetëm për një çast.
Si zaret e qelqtë me ngjyra…

©M.P. ( nga vëllimi me poezi “Solstice” 2020)

 

Moskato

1.
Verë e ëmbël me xixa,
shija e rrushit shtrydhet në gojën time.
Cili diell të poqi, cilat duar të volën
a u puthën dashnorët në muzg
në vreshtë, nën veshulët e rrushit?
Cilat këmbë të shypën duke ngritur
fustanin mbi gjunjët?
Druri i fuçisë që të mbajti
sa dimra, sa pranvera, sa stuhi kishte parë?
Te gjitha shtrydhur ne gojen time
Moskato e ëmbël e bardhë.

2.
I jepem, veres se embel me xixa
zhytem në gotën me shkëndija
kërkoj magjinë aq shumë të munguar
shkendijat që nuk munda t’i ndez tek ty
nga që refuzoja të bindesha
që ti ishe vetëm një përrua
i egër i zhurmshëm me gurgullimë kërcitëse
zbritur furishëm nga kreshtat
ndërsa unë – guralecat e vegjël nën ujë
që përpiqeshin të qetësonin rrjedhën.
Pi verë me shkendija, duke kërkuar magjiken…
Moskato të ëmbël të tejdukëshme të rrjedhëshme.

©M.P.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s