Poezi nga Fatbardha Sulaj
Pakt
A bëjme pakt sot
pakt se si do joshësh botën…
Le të ndërtojmë
ferre dhe parajsa
si kulte të syve
pa shpirtra…
(Ah Mefistofel)
Gjindshëm me prada të shoh
në hyrje të botes,
Gjindshëm me prada në hyrje të arsyes
më prit për një luftë të afërt…
“Miledi”
Përulu,
Shiler,
përulu para miledit tënd,
dhe po munde shkruaj një dramë të re…
përshtatur për kohë ufosh….
Përulu Shiler
para miledit tënd
bota është një vagon që ndryshket…
Etyd kalimtar
Si në arrati vjen një cicërimë zogu,
si të luaj një etyd kalimtar
i thërret ndoshta llojit të vet,
ndoshta nuk i thërret askujt .
Mbase ndjen gëzim tek sheh botën
nga lart,
mbase shqetësohet për holokasustet
e çuditshme.
Si në arrati vjen një cicërimë zogu
në gjuhë të huaj,
në gjuhë zogjsh…
Fustani zhorzhet
zhurma e takave t’mia mbi bulevardat e zallta
lun me flladin e Shirokës
e njashtu valëzon
fustanin zhorzhet me do lule të pranverta
të harrume
prej zhegut…
E në udhëkryqe
hija tande ecën tuj mat
rruginat ku mund të ecna bashkë
na një tjetër kohë.
Shënim: Sa më i thellë të jetë percepetimi për atë botë që na rrethon e drejton drejt vizioneve, të cilat më së shumti janë meditimi ynë i shprehur në kode të fshehta fjalësh e kuptimesh, aq më i madh është dhe konfuzioni i përballjes, si mendësi e një refleksioni ku njeriu paqyron veten si formë e qenësishme, por dhe si rreth imagjinar që përherë kërkon të kapërcejë kufijtë imagjinarë, drejt atij obsesioni që orienton, por dhe atij absurdi që parafytyrimi e ndjek si në përjetësi dhe e tundon. Paktet e bëra përmes njeriut (autores Fatbardha Sulaj) dhe besimit të saj, janë një pakt joshës mes dhimbjes dhe paqes, kaluar nëpë atë ferrparajsë, që në njërën anë zbret nënkatet e Hadit dhe përballet me mëkatin e vet, ndërsa ana e tjetër e ngre pezm në qiell, gjindshëm deri në pragun e portave që ndajnë, arsyen e përvuajtjes së trupit me atë të shpirtit. Natyralizimi dhe konfiguracioni poetik prek kulte dhe gjendje, hapësirë koherente dhe tejkueshmëri, traskiptim dhe nënide, të cilat me larminë dhe format hermetike ose surreale, apo dhe ardhur si etyde, kanë vetëm një lajmotiv, atë të përcjelljes së ndjeshmërisë estetike, subjektivizmit që shoqërojnë botkuptimet shoqërore dhe prezantimin kontemporan të evolimit mendim, si dije dhe përcjellje e gjurmëve të nesërme.
Agron Shele, shkrimtar