DEVALVIMI I TITULLIT “AKADEMIK” APO METAFORIKA E LIBRIT SI HU I GARDHIT / Nga: Kadrush RADOGOSHI

DEVALVIMI I TITULLIT “AKADEMIK” APO METAFORIKA E LIBRIT SI HU I GARDHIT

 

Nga: Kadrush  RADOGOSHI

Nuk ka mbetur vlerë pa devalvuar në Kosovën e pasluftës. Ashtu si çdo shoqëri, që ka një nivel elementar të qytetërimit edhe shoqëria kosovare, sado me vështirësi, pat arritur ta krijojë një nivel të lakmueshëm qytetërimi, pa marrë parasysh vakumet e shumta, që kishte në aspekte të ndryshme. Duke qenë një shoqëri e etshme për emancipim ekonomik, politik, arsimor e kulturor ajo krijoi simbolet apo “mitet” e veta të këtij emancipimi. Kjo vetëdije emancipuese la gjurmë të pashlyeshme edhe në gjuhë, prandaj fjalët mësues, profesor, mjek, inxhinier, shkrimtar, intelektual, akademik në shoqërinë shqiptare të Kosovës jo vetëm vlerësoheshin, por edhe mbështilleshin me një vel të caktuar adhurimi, pra mitizoheshin. Arsyet për një fenomen të tillë ishin të njohura: ishim një shoqëri, që nguteshim të ndiqnim modelet më domethënëse të qytetërimit evropian. Titulli akademik nënkuptonte anëtarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, i cili në të shumtën e rasteve kishte dëshmi valide të rezultateve shkencore apo artistike të krahasueshme me kolegët e tyre të Evropës Juglindore e më gjerë.
Pas luftës dhe çlirimit të Kosovës nga pushtimi gati njëshekullor serb, kur menduam se energjitë e dëshmuara, por të penguara të popullit tonë, do të jepnin rezultate në shtetndërtim dhe në zhvillim të hovshëm në të gjitha sferat e jetës shoqërore dhe individuale, ndodhi uzurpimi apo privatizimi i sakrificës gati njëshekullore të popullit tonë për liri. Konkretisht u privatizua lufta e UÇK-së nga një grup komandantësh dhe kuazikomandantësh. Poashtu u privatizua trashëgimia e lëvizjes paqësore të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të XX nga klani i Isa Mustafës. Ky fenomen ndodhi me qëllim të rrëmbimit të pushtetit me mjete kryesisht të pandershme dhe kuazidemokratike. Pushtetin e marrun me frikësime, premtime boshe, me vjedhje apo blerje votash dhe spekulime tjera e privatizuan, duke e kapur çdo institucion të shtetit. Këta njerëz, kur hynë në politikë apo në drekë, siç thoshte poeti ynë i mirënjohur Ali Asllani, qenë të pabrekë, kurse nata i zuri milionerë. Ashtu siç u uzurpua çdo vlerë në shoqërinë kosovare u uzurpuan edhe gradat dhe titujt shkencorë. Dëshmia më e mirë e fenomenit të devalvimit total të titullit akademik ishte gjesti prej rrugaçi i Kujtim Shalës (akademik dhe nënkryetar i Parlamentit) së bashku me cinikun arrogant Arben Gashi (Kryetar i Grupit Parlamentar të LDK-së), kur e sulmuan deputetin e LVV Gazmend Gjyshinca në korridorin e Parlamentit. Për të dëshmuar se ky veprim i këtyre dy deputetëve të LDK-së nuk është i rastit mjafton të lexohet deklarata e “akademikut” Isa Mustafa e publikuar në murin e tij në Facebook. Kjo deklaratë, ky margaritar i zi futë i politikës kosovare flet vërtetë shumë. Në radhë të parë tregon mendësinë tribale me të cilën qeveriset Kosova, prandaj është me rëndësi ta analizojmë në vijim të këtij shkrimi.
Fjalia e parë “Kështu është, kur nuk e kupton gjuhen intelektuale të Akademikut Kujtim Shala.” Mendja “akademike”, që e ka formuluar këtë fjali nuk është shërbyer me ndonjë model idiomatik nga sfera e shkencës dhe kulturës, por është shërbyer me konstrukte leksikore të tribalizmit karakteristik për viset primitive shqiptare: “Mirë ta paska bo që të ka rrah djali jem”, i thotë babai atij që e ka rrahur djali i tij apo “Kështu të gjonë, kur nuk më ngon mue” (e blla…blla tjera), shprehje që i thuhet viktimës pasi të jetë rrahur apo torturuar keq. Kuptimi është ky: kështu të gjen (kuptohet pas rrahjes) kur ti, njeri qyqan apo njeri i kategorisë së dytë, më kundërshton mua trimin, djalin tim apo njeriun e kategorisë së parë. Se viktima e “akademikëve” është e kategorisë më të ultë, pra është jo vetëm e padenjë për respekt, por meriton të ndëshkohet me mjetin e grushtit, kapjes apo shtyrjes “akademike”: ” Nuk ke kapacitet të mendosh dhe ta kuptosh se çfarë tha dhe thua me rrahu Kujtimi”. Pra sipas mendimit të Isa Mustafës deputeti Gazmend Gjyshinca nuk e ka pasur nivelin për ta kuptuar sulmin fizik të “akademikut”, i cili i ka të gjitha premisat për të qenë “orakull” apo “shenjtëri” e shkencës dhe politikës kosovare.
Pasi i qëron hesapet me deputetin Gazmend Gjyshinca në paragrafin e parë, ( e ka ndërtuar vetëm me dy fjali edhe pse nxënësve në shkollë fillore dhe të mesme iu mësohet se një paragraf shkrimor duhet të ketë më së paku 3-5 fjali), Isë “akademiku” ua tërheq vërejtjen të gjithë udhëheqësve dhe anëtarëve të LVV me dhjetë fjalitë e paragrafit të dytë, të cilin për korrektësi dhe interpretim po e sjellim në vijim: “Akademik Shala mund ti rrahë me dije e me argumente prej të parit deri në të fundit të VV-së dhe të gjithë së bashku. Ai ka dije e mendjehollësi; ka më shumë libra të botuara sesa VV-ja deputetë.Frikësohem se nëse deputetët e VV-së i lexojnë librat e Kujtimit dhe nuk i marrin vesh, pasi janë vetëm zhurmues, do ta thërrasin një helikopter, jo makinë të ndihmës së shpejtë, para ndërtesës së Kuvendit. Deri sot i kanë bërë të gjitha të zezat, e sot improvizojnë se i sulmuan deputetët e LDK-së, sepse duan të luajnë rolin e viktimës.”
Sintaksën shqipe apo modelet e saj më të mira nuk i kanë krijuar idiotët me apo pa tituj akademikë, por mendjet e kthjellta apo të hapura të popullit shqiptar. Struktura sintaksore e shqipes paraqet strukturën e të menduarit shqiptar. Në këtë kontekst mund të themi se subjekti apo kryefjala “LIBËR” zakonisht kërkon një kallëzues të ndërtuar nga një numër i caktuar foljesh si p.sh. trajtoj, rrëfej, tregoj, përshkruaj, kujtoj, dëshmoj, analizoj, sintetizoj, vlerësoj e të tjera, por është e panatyrshme të përdoret folja rrah, kur nënkupton rrahjen fizike si veprim. Kjo më së miri kuptohet kur kjo fjala libër përdoret si plotësor mjeti në fjalinë, e cila e ka për kallëzues foljen “rrah”. Duke u nisur nga teksti i Isa Mustafës, këtij farë akademiku të përçudshëm, mund të pyesim: Me çka i rrahë akademiku Kujtim Shala të gjithë anëtarët e Vetvendosjes? Përgjigjja e Isës është: I rrahë me libra. Pra libri në gojën e Isa Mustafës është mjet për të rrahur kundërshtarët politikë. Kur shqiptari përmend rrahjen menjëherë i shkon mendja te mjetet me të cilat rrahet njeriu duke filluar nga shuplakat e deri te huri i gardhit. Pra, Isa jonë “shkollovan” librit i jep një simbolikë të re, simbolikën e hurit të gardhit. Kjo metaforikë tribale thërret për konflikt qytetar në mes të shqiptarëve, sepse i adresohet partisë më të madhe në Kosovë Vetvendosjes. Edhe po t’i adresohej partisë më të vogël apo edhe vetëm një individi kjo simbolikë apo ky metaforizim tribal dëshmon ekzistimin e tribalizmit në skenën politike të Kosovës.
Të shohim se ç’thotë paragrafi i tretë i deklaratës së Isa akademikut, i cili librat i shndërron në hunj të gardhit me të cilët i rrah jo vetëm të gjithë anëtarët e Kryesisë së Vetvendosjes, por edhe diplomatët e huaj, të cilët po sillkan demarsh në LDK: “Tani po pres, që ndonjë diplomat i jashtëm, përkëdhelës i VV-së, të ma sjell një “demarsh” në LDK; ata që u mërzitën shumë kur e prishëm koalicionin me VV-në?! IM”. Shtrohet pyetja se kush janë diplomatët e huaj, të cilët kanë dërguar “demarsh” në LDK? Dihet që aludimi është te Angela Merkel e Emanuel Makroni. Isa jonë është trim sepse e ka sejmen akademikun Kujtim Shala, i cili i rrahë me librat-huj gardhi edhe diplomatët e huaj. Një horror të tillë politik mendja normale nuk mund ta paramendojë, i cili, për fat të keq, i ka rënë hise Kosovës së shkretë. Paramendoni deklaratat e tyre se ata janë duke i përmirësuar marrëdhëniet e Kosovës me faktorin ndërkombëtar, të cilat, sipas tyre, ua pat prishur Vetvendosja pse kërkonte drejtësi e dinjitet.
Për përfundim mund të themi se titullit shkencor “akademik” i kanë dhënë kuptim dhe e kanë nderuar në të njëjtën kohë intelektualët: Esad Mekuli, Ali Hadri, Gazmend Zajmi, Fehmi Agani, Idriz Ajeti, Rexhep Qosja, Dervish Rozhaja, Pajazit Nushi, Esat Stavileci e të tjerë si këta, kurse tani këta kuazi intelektualë e kanë zbrazur nga përmbajtja dhe e kanë shndërruar në një leckë, që është ulur këmbëkryq në selinë e LDK dhe së bashku me komplotistët e luftës prodhon krizën e gjithanshme, e cila e ka shndërruar Kosovën në një vrimë të zezë në Evropë, pikërisht ashtu siç i nevojitet politikës antishqiptare serbe.

1. 8. 2020

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s