Poezi nga Lumo Kolleshi

Poezi nga Lumo Kolleshi

 

E DI QË TI DO TË MËRZITESH

E di që ti do të më mërzitesh,
E di që do të më thuash:”Palç!”,
Kur unë prej mijëra e mijëra vitesh,
Të të them se Zeusi ishte një rrugaç.

Kur të të them se në portat e Olimpit,
Zeusi nga vrima e çlësit mbikqyrte perënditë,
Shikonte shalët e tyre prej dylli,
I marrë bëhej e pastaj thërriste orgjitë.

Ti ngriji stuhitë nëpër dete,
Thirr për ndihmë dhe një Poseidon,
Pajto,po deshe dhe një Circe agjente sekrete,
Dridhe një orakull në Delf për gjuhën që helmon.

Prapë do të them që Zeusi ishte një rrugaç,
Më shumë se kaq nuk mund të them më tepër,
Thuaji,po deshe, një Prometeu “plaç!”
Që një shqiponjë mbante mbi mëlçi si skeptër.

 

GJUHA GUGËRISHTE

Gjuhë pëllumbash
As toskërisht,
As gegërisht,
Në gjuhën më të vjetër merren vesh pëllumbat,
Gugërisht.
Nuk ka gjuhë më të bukur në këtë botë e përtej,
Pëllumbisht porosit paqja pajën për dasmën e yjeve nëpër qiej.

 

GJËJA MË E VËSHTIRË

Gjëja më e vështirë në këtë botë:
Të bëhesh apo të bësh njeri.
Për daltën tënde,
Zemrën duhet ta kesh sa i madhi Zot,
Të falësh e të falësh vetëm dashuri.
Plumbin e urrejtjes ta shkrish vetëm me një lot,
Të derdhësh një kambanë për një qiell të ri.

 

HIJA IME

Hijen time gjithmonë e mbaj me vete.
Dhe të dua ta ndaj,
S’më shqitet.
Nuk jepet kurrë me qera,
Kurrën e kurrës nuk shitet.

 

KOHA NË SYRIN E NJË PESHKATARI

E djeshmja:
Troftë e egër që fillin e këput,
Pas ngjiresh humbet
E s’duket më përmbi valë.

E tashmja:
Një ngjalë që nëpër duar rrëshket
Siç di të rrëshkasë veç një ngjalë.

E ardhmja:
Një grep i hedhur në lumë a në det,
Pritje e bukur dhe tymi i cigarit spiral.

 

KI PAK FRIKË NGA E BUKURA

Ty shpesh të ikën mendja te fluturat
E ti për to shpesh bëhesh xhind.
Të them:ki pak frikë nga e bukura,
Ja,hiqi krahët e mbetet një krimb.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s