Poezi nga Rexhep Shahu

Poezi nga Rexhep Shahu

 

Njerëz pa dhëmbë

Këtu kemi mbetë ne njerëzit pa dhëmbë, zemra ime
Dhëmbërënë me duda të vrame
As kore buke nuk mundemi të hamë.
Hamë qull dhe përshesh qeverie me mbetë gjallë.

Ata që hanë hekur me dhëmbë kanë vdekë ose kanë ikë
Larg atdheut, marrë peng prej hajnave që zgrapin lekë e dashnore.
Në bulevard lëvizin hije frike me kryet në tokë e bythë përpjetë
Me rrathë xunkthi në qafë bien në gjunjë para qeverisë.

Këtu kemi mbetë ne dhëmbërënët.Zoti ynë i rremë
Na thotë, jeni të lumtur e të lirë, ne themi, po, jemi
Me flatra gomari fluturojmë në qiell.
Çdo burrë e grua si pemë frike lëkundet në erë
Hije të shëmtuara që i tremb stuhia.

Në qiellin tonë, zemër, nuk ka shqiponja që shkojnë mbi re
E si rrufe të zbresin nga qielli, t’ia marrin ujkut prenë në gojë
Jo ! Shqipja sot ha miza toke. Edhe hardhucat ka frikë t’i hajë.

 

Ndoshta më ke dashtë

Dikur besoja se në çdo vend që të puthja mbinte nga një lule
Dhe ti bëheshe tufë lulesh shumëngjyrshe.
Në krahët e tu që po thahen, në duart e tua që puthja e ia mbështillja fytyrës
Ka filluar vyshkja, po plasaritet lëkura
E ashpër e krahëve tu që ma gërvisht qafën e kujtimeve.
Ku vija bërrylat e duart të duket se po bëhën gropa në tavolinën para teje
Ti rri e i pastron vendet ku vija duart e nuk fshihen gjurmët e mia
Se duart e buzët i vija dhe në gjinjtë e tu, në kofshët e tua
E s’ka lot që i lan ato gjumë malli.
Sendet e vendet dhe vetja jote kanë filluar me tu dukë pa vlerë
Tash që jam larg teje e vetes drejt të shumtëve
Mungesa jotë që më ka zënë frymën dhemb sa vetmia, deri në qiell.
Ti vështron gjurmët e këpucëve të mia qe nuk duken, shenjat që kam lënë në dysheme
Gjurmët e hapave që kam lënë kur ecja nëpër vend e rrija me ty
E më thoje, akoma nuk ike… kur të dhimbte dhe ty pamundësia e puthjeve
Ik se u bënë shtatë orë që ti rri këtu e bota thonë…
Bëja të ikja por shpesh ndoshta pa mendje më shtërngoje dorën e më tërhiqje të rrija
Tash që s’jam më krijon mbi ato gjurmë malli, më mbjell e më rrit para syve tu
Që shpesh djegin por i përtyp lotët e nxehtë të mos lënë gjurmë diegie në faqe.
Tani nuk bën më sikur nuk më shikon me vemendje deri në imtësitë më të vogla
Edhe pse bëje sikur nuk i vije re vogëlsitë e mëdha, nuk i ngrije sytë të më shihje në sy
E kur ta kërkoja se doja të shihesha aty, ti qeshje si ti, vetëm si di ti dhe bota bëhej dritë…
Tani që nuk jam, rrekesh të më krijosh, të më nxjerrësh para teje
Prej syve të mallit, por tash jam veç prej ajri
Nuk kam më krahë përqafimi as buzë për puthje
Kam veç mall edhe pse më ke bërë të padukshëm
Hije që endem në ty pa mundë me dalë jashtë teje…

 

***
Unë nuk vdes dot vetëm
Duhet të vdes me ty
Se nuk e kam unë veten time
Është në ty.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s