APOLOGJIA E VËRTETË E VETERANIT PENSIONIST / Fragment nga novela “ZHGËNJIMI” i autorit Kristaq Turtulli

Fragment nga novela  “ZHGËNJIMI” i autorit Kristaq Turtulli

APOLOGJIA E VËRTETË E VETERANIT PENSIONIST

Qysh në mëngjes mu lëndua dita nga grindja me gruan dhe djalin, por nuk e dija se ti o Reshat Meçka do ma vrisje përfundimisht. Frenove makinën me zhurmë përpara meje, më spërkate me baltë, nga koka deri në këmbë, më bëre helaq.
Më ngriu gjuha si cungu i drunjtë i këmbës. Kur pashë që me ceremoni hape derën e makinës dhe zbrite me madhështi…
Vite që se kisha parë. I mbajtur, i fryrë, i shëndoshë. Fytyrëkuq, sikur do të pëlcasë fytyra prej vetëkënaqësisë dhe shëndetit. Më hodhe vështrim përbuzës, indiferent, nënvleftësues, dhe barite gjithë dëngla drejt hotel turizmit.
U zbytha i mjerë. Gruaja Anjeza dhe djali Xhuvi ma shpifën me këtë emër, ma venë si shembull përpara. Ata s’e dinë kush është Reshat Meçka. O nëne, tani i nënvleftësuar dhe i përbuzur gjendem ngujuar, si trung në trotuar, i përlyer me llym nga koka deri në këmbë nga rrotat e makinës së tij. Më bëri të më vijë keq për veten dhe gjithë jetën time. Të më rrëqethet trupi deri në palcë….
Përse më dole përpara o Reshat Meçka, pikërisht tani, kur më është mërzitur tmerrësisht vetja. Më ha dhe më kruan trupi prej marazit. Shkoje ore tutje, qyteti ka boll trotuare ku mund të ndalosh makinën. Ti Reshat Meçka më vështrove me indiferentizëm nga lart poshtë, ngrite krahun dhe shtrove me madhështi ato pesë qime të lyera me bojë, ku në gisht të shkëlqen unaza e artë me gurin e çmuar vezullues e të gjorëve që vrave pa një pikë mëshire. Dua të bërtas në kupë të qiellit. S’ të hyri asgjë gjemb në këmbë o Reshat Meçka; vrave, preve, vodhe, kërdise. Kërceve si karkalec nga një magazinë në tjetrën, nga një shef kuadri në anëtar byroje. Në gërmadhën e vjetër të Naumit, tregtarit që pushkatove me dorën tënde, ndërtove shtëpi elbasanase, me oborr të madh përpara dhe prapa. Me ndryshimin e sistemeve e ndërtove shtëpinë trekatëshe, i nxore takëmet që u vodhe borgjezëve të dikurshëm, unazat dhe xhevahiret e fshehura dhe hape dyqanin e bizhuterive në qendër të qytetit.
O Reshat Meçka, o pusht i pushtave, unë jam ai që isha, djalosh idealist plot ëndrra dhe dëshira të pambukta. Hëngra ciflën e granatës në pritën e parë. Përballova dhimbjet e tmerrshme kur ma prenë këmbën me sharrën e drurit pa narkozë.
E kupton o Reshat Meçka, o qen i biri i qenit se çfarë po ndodh me mua! Në çfarë luftë rraskapitëse jam me veten. Në ketë botë të flamosur nuk ec, apo zvarritem. Jam kokulur si dikur. Kam qenë dhe mbetem i ndershëm, me merakun e përhershëm të rrëzimit të papritur, duke hequr këmbën e drunjtë zvarrë. E di ti o pusht, që s’mu ndanë asnjëherë radhët e gjata. Muri i shtëpisë më bie sa herë rrjedhin shirat dhe marr bukë me listë. Zvarritem si një breshkë e vjetër, duke tërhequr pas vetes protezën e plasaritur dhe të drunjtë.
O Reshat Meçka, o biri i bushtrës, o vrasës, katil e bir katili. Çfarë faji bënë ata të rinj dhe shumë të tjerë, të pambrojtur, i vrave me gjakftohtësi xhelati dhe u vodhe qypet me florinj? Hëm, unë fakiri ec si kërmill dhe hija ime përthyet në xhama. Jo, nuk jam kërmill dhe nuk do jem kurrë kërmill deri në frymën e fundit. Jam njeri dreqi ta marrë, që kam një zemër, të thjeshtë, të mplakur, të lodhur, të drobitur.
Ndërsa ti o Reshat Meçka s’je njeri, je lubi, oktapod, përbindësh, dreqi me brirë. Nuk e di, në jam naiv, i trashë nga mendja, i luajtur nga fiqiri, apo pleqëria dhe rrëgjimi i halleve më ka katandisur për ibret të zotit, në një thes të vjetër me byk e kashtë. Por përsëri ta them me bindje o Reshat Meçka, jam Njeri. Ndoshta e mira e shumëvuajtura ime Anjeze e djali im Xhuvi kanë të drejtë dhe kjo kaploqja ime e shkretë ka mbetur qytyk, me mendime të prapambetura si më parë.
Një brengë kam dhe një dert të madh, më shumë se ujërat e lumenjve, liqeneve, deteve dhe oqeaneve. Një pyetje të madhe:
Çfarë ndryshim ka, gjoja partizani, sharlatani, vrasësi me gjakftohtësi, Reshat Meçka dhe shokët e tij, nga kriminelët e tjerë. Bënë sikur luftuan për liri, drejtësi, barazi dhe, vranë e prenë të pafajshmit. Tashmë këta malukatë i sheh të krekosur, të pasuruar, të pangopur dhe prej atyre të mjerëve, klasës që e quajtëm të përmbysur, gjakpirës, tregtarë të poshtër, katilë, të cilët i shpronësuam, i përndoqëm, i burgosëm, i vramë pa mëshirë si të ishin kakarroçë? Ata që në qindra vjet, në brezni, vunë kamje dhe pasuri, luftuan për komb dhe atdhe.
Ndërsa ti krokodil i pashpirt Reshat Meçka me shokë qysh në fillim tradhtuat idealin, gjakun e të rënëve, vodhët, u pasuruat, jeni më të keq se të këqijtë. Cilët kanë qenë dhe janë katilë dhe rezilë, ata që u munduam ti shfarosnim me zjarr e me hekur, apo jeni ti përbindëshi Reshat Meçka me shokë?
Oh, ju lutem, ju lutem shumë zbërthejeni fillin e këtij lëmshi të koklavitur, më thoni, më tregoni, mos më mundoni. Siç e shihni jam plak, me një këmbë, mund të vdes shumë shpejt dhe fatkeqësisht do marr me vete në atë botë, në varr naivitetin, ndershmërinë e një veterani sakat të dalë mode?
Më besoni as vetë nuk di se çfarë kërkoj. Nuk e di kujt ti drejtohem, kujt ti hapem; vetes, miqësisë, njerëzisë në qoftë se do mundnin të më përgjigjen. Ti kthehem fanatizmit gërdallë, idealizmit të zhvlerësuar, bërë prostitutë rrugësh, marrëzisë, çmendurisë? Kujt?! Kudo është shurdhëri, shkretëtirë… Më vjen keq për veten por dhe njëherësh dua të qesh me të madhe, të shkulem së qeshuri, aq sa të thyhen xhamat e vitrinave, të buçasin sirenat e makinave, të prishen hijet, të shqyhen rrjetat e merimangave dhe të shkundet i gjithë qyteti…

KRISTAQ@TURTULLI
(fragment nga novela “ZHGËNJIMI”, Amazon 2014)

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s