Poezi nga Miltiadh Davidhi
Erë trëndelinë
(Nënës në gjashtë vjetorin e ndarjes nga jeta)
Nëna ime! Kur ti filloje e flisje
Zëri yt pikonte nga hojet qiellore
Në shpirtin tim,
Si pikëz mjalti në gojën
E një fëmije të uritur,
E ndjehesha degëza e një peme
Me shumë vlerë,
E lëvizja i lumtur duke fishkëllyer,
Si gjethez nëpër erë.
***
Kur ecje, ecje ngadalë,
Si fëshfërimë mëngjezi
Duke trokitur lehtë me këmbë
Në tokën e lagur
Me shira dhimbjesh,
Sikur kërkoje një vënd pa lot,
Ku të varrosje shpirtin.
***
Eh, nëna ime e mirë, tashmë je kthyer
Në një hënëz të bukur,
Se, hëna s’ka qenë hënë, por grua,
Ndaj, sa herë del hëna,
Më duket se ke dalë ti
Nga meraku e malli për mua.
***
Mëngjeseve, nëpër vazo mbillje lule,
E ato mbinin ndër varre.
Shpirti yt lotonte e qante për to,
E ndoshta, sërish aty, lule mbjell.
Vdekjen dot se shmangim,
Ndaj duhet të kemi një shpirt të bukur
Si në tokë dhe në qiell.
***
Erë trëndelinë: Rrugët,
Shtëpia, kopështi ku rrije.
U përkujdese së gjalli,
Ashtu si dhe hallë Naqia,
Trëndelinat t’i fusnin
Edhe në arkivol, edhe te varri.
Eh, nëna ime, degëz e vogël,
Gjethe e tretur,
Trëndelinë erëmove,
Si në jetë edhe e vdekur.
***
Çudi! Qyteteve, njerëzve, e varreve,
Që dua më shumë, u largohem,
Kështu largohem nënë
Dhe nga ti, e varri i yt,
Duke ecur jetës shteg më shteg,
E të ngroh si dielli me rreze nga larg,
Si të kem frikë, se të djeg.
Dt.17.12.2018-13.09.2019.Modena.
Fshehur në qënien time…
…E kam dhe unë një qiell me hënë,
Një lëndinë plot yje e meteor të shumtë,
Që digjen dhimbjes,
E lumturisë së tyre,
E më mbajnë gjallë,
Re që lagin e blerojnë mendime,
Një det që dallgëzon,
E pastron shpirtin e vet,
Një Univers të pafund
Plot me diell vërtetësie nëpër ditë,
Erëra që çelin lule,
E sy të bukur me dritë,
Një perlë të çmuar me lumenjtë e mi,
Që rrjedhin çdo çast
Me ujë të kulluar,
E vadisin të mirën,
Duke mbetur përjetë të dashuruar.
Fshehur në qënien time
E kam dhe unë një qiell me hënë,
Një lëndinë plot yje,
E meteor të shumtë,
Që dhimbjes digjen me ëndrrat e tyre.
Dt.11.10.2017. Modena.