Poezi nga Manushaqe Toromani
MALL
Mbrëmë në ëndërr
më erdhi im Atë,
ulur në qoshe
grinte duhan në çark.
Pastaj eshkën shkrepi me masat
dhe e ngjeshi në llullën e mbushur
bishtëgjatë.
ÇAST… VJESHTE
Mbi qiell ca re
ca re fytyrëzbehta, mendjelehta,
që nxitojnë të sjellin Vjeshtën.
Dhe shiu i trembur, të nisë a të mos nisë!
Një flutur përballë
me ngjyrat e saj më çorienton
e kuqja, apo e verdha e saj.
Filxhani kafesë gati i mardhur.
Nuk jam këtu
harroj ta kthej
ti vjen e më trazon.
JAM E VËRTETË. (Naive)
Kam jetuar gjatë me ëndrrat e mia
ka qënë njësoj si të ushqehesha
me lugën bosh.
Dhe bëja sikur haja, ngopesha
Kur vinte nata
diçka më grryente në stomak.
Tretesha çdo dit nga pak
Ëndrrat më vinin në gjumë
e kishin të lehtë
më kishin dobësuar e bërë si vetja
E luanin me mua
më shfaqeshin para syve
si të ishin perri.
J’u besoja,
më kishin bërë magji.
Do ngrihem një ditë
mbi ëndrrat e mia
Unë do t’i vë në gjumë
do jetoj pa to,
më kanë lodhur shumë
Do t’ju them jam e vërtetë
nuk jam si ju
Në doni ejani t’ ju prek
ndryshe jetoj ate jetë që kam, si të dua vetë.