Poezi nga Suzana Malaj

Poezi nga Suzana Malaj

 

Fugë

E pamëshirshme kjo fugë,
kjo ikje,
kjo arrati!
Më shpejt, shumë më shpejt se të di të pathënat e gjuhës së gjarprit,
më shpejt se të di sekretin e qumështit në të carat e shkëmbinjve,
përpara se shtatë herë të mund ta shoh fugën e bengut të ulur mbi fik,
përpara se t’i ngjitem asaj qafe e frikën time
ta bëj fugë-vajze të kolme e të ngathët.
Më shpejt, shumë më shpejt, me hov, me vënie flake!
Mbi bebëza – fytyra motesh të ikura, të djegura…
gjurmë mbi ujë, në bebëza…
Në zërin e bërë polifoni do këlthasë korbi
para se të njoh timbrin e cdo zëri e qyqja pa e ditur unë
do nisë vajin për mua…
Balli që rreket si i urti do shkrihet
para se të ftillohen ujërat e palara
Mbas kurrizit të dheut eshtrat e mia do bëhen pergamenë
para se të mbulohem me rrasat e gurit.
Kjo ikje e cmendur, kjo fugë më con gjithnjë në lindje
për t’i vjedhur teshat gjarprit.
Gjarpri i zi i Drinit të bardhë po shullëhet në diell…

 

Gjarpërinjtë e shuguruar ( në kolonën vertebrale)

Pashë një gjarpër duke gëlltitur bishtin
në formë vetëvrasjeje,
ndërkohë dy gjarpërinj janë shuguruar në mua,
në shpinën time…
Spërdridhen trupit aq hijshëm e aq herë
sa mosha e kryqëzimit të Krishtit
Hapin shtatë porta e i lyejnë dy buzët me mjaltë,
kur lidhin trupin me ndërgjegjen time
Është fobia që i mban të fjetur
pa besimin e prekjes
në ujë e në vatër.
Dëshirova t’i flas atij gjarpri të frikur prej meje…

 

Uliksi nuk ishte poet

Nga vjen ai zë i thellë e i largët?!
Kjo këngë e magjepsur nga vjen?!
Këndojnë sirenat apo të lumet e natës?!
E dëgjoi Uliksi e nuk foli.
E dinte se lajmësi nuk mund të bënte keq e nuk foli.
Me siguri e thëna
nuk mund ta përshkruante atë këngë
në dritë e në mëkat.
Si mund të përkthehej ai zë prej natyre
në ndërgjegjen e njerëzve?!
Uliksi nuk ishte poet!

 

Më dhimbsen sytë

Del nga asgjëja kjo dallgë mashtruese
që kalamendet në sy!
Ndaj më dhimbsen sytë
se nuk dinë të gënjejnë.
Dallgët e ballit janë nënujore.
Nëse i afrohen bermudës mentale
do të ketë stuhi.
Alga të kuqe do mblidhen në brigjet e syve
e do të bëjnë stigma në sy.
Më dhimbsen sytë dyfish
ndaj i ruaj nga balli…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s