DANILL HARMS (1905- pushkatuar me 1942)
ÇFARË SHESIN TANI NËPËR DYQANE
Koratigini u nis për tek Tikakjejevi dhe nuk e gjeti në shtëpi.
Kurse Tikakjejevi në këtë kohë ishte në dyqan ku bleu aty sheqer, mish dhe kastraveca.
Koratigini u vërdallos përqak dyerve të Tikakjejevit dhe gatitej t’i linte shënim, kur befas sheh vetë Tikakjejevin ngarkuar me rrjeta dhe trasta.
Me ta vënë re, Koratigini iu gërmush Tikakjejevit:
– U bë një orë e tërë që po ju pres!
– S’është e vërtetë, – i thotë Tikakjejevi, – gjithëqysh ka njëzet e pesë minuta që kam dalë nga shtëpia.
– Ehu, nuk e di unë, – thotë Koratigini, – po një orë fiks po ju pres.
– Mos rreni tashi! – tha Tikakjejevi. – Turp me rrejt.
– O Zot i madh e i plotfuqishëm! – tha Koratigini. – Mundohuni t’i zgjidhni shprehjet.
– Unë e konsideroj… – deshi t’ia nisë Tikakjejevi, porse e ndërpreu Koratigini.
– Nëse ju e konsideroni… – tha ai, por këtu Koratiginin e ndërpreu Tikakjejevi dhe i tha:
– Vetë jeni i tillë!
Këto fjalë aq shumë e xhindosën Koratiginin, sa ai shtypi me gisht njërën flegër, kurse me tjetrën fryu qurret mbi Tikakjejevin.
Atëherë Tikakjejevi rrëmbeu nga rrjeta kastravecin më të madh dhe ia veshi Koratiginit për kaptine.
Koratigini zuri kokën me duar, u shemb përtokë dhe vdiq.
Ja, pra, se çfarë kastravecash shesin tani nëpër dyqane!
Përktheu në shqip: Agron Tufa