DITARI PANDEMISË-RRËFIME NGA KARANTINA (Libri i ri i Prof. Agim Vinca) / Refleksione nga Prof. Dr. Resmi Osmani    

 DITARI PANDEMISË-RRËFIME NGA KARANTINA

Libri i ri i Prof. Agim Vinca

Një armik i padukshëm por i pranishem, i pabesë, tinzar e shpesh vdekjeprurës, një koronavirus i emërtuar Kovid -19, që se di nga vjen e si vjen u kthye në pandemi. Ndër masat mbrojtëse është edhe karantina. Mbyllja në banesë. Izolimi. Si shumë të tjerë,në Prishtinë e Kosovë dhe ne në Tiranë e Shqipëri, karantinës ju nënshtrua edhe Prof Agim Vinca në Prishtinë. Më duhet ta them, që Prof. Agim Vinca,është personalitet i shquar i kulturës shqiptare, me veprimtari te shumanshme: poet, kritik, historian i letërsisë, teoricien dhe metodist, publicist, veprimtar shoqëror,mendimtar, polemist i mençur, pedagog në universitet, autor i veprave të shumta e të larmishme. Dhe ja: është i detyruar të mbyllet brënda katër mureve! Një gjendje e pamenduar por e detyruar. Mund të rrish brenda mureve, por nuk ka mure që veçojnë njerëzit. Edhe kur është i vetëm, njeriu s’është fillikat. Me të janë mendimet, që i kapercejnë muret,janë kujtimet,  një jetë e shkuar, historia, por edhe e sotmja që e mundëson teknologjia, qoftë në aspektin vendor apo planetar.Por a mund të qëndrojë i ndryrë Brenda dhe t’i shkojë ditët në limonti duke përcjellë ngjarjet brenda mureve, dijetari Agim Vinca? Naturisht që jo. Vendos të mbajë ditarin e “ngujimit”.Që siç thotë në parathënie:”Të lë një dëshmi,nëse jo për histori, së paku për jetën e përditshme të njerëzve të një kohe, të neve që na ra në hise ta përjetojmë pandeminë Covid-19. Si dëshmi dhe borxh për ata që i vunë gjoksin kësaj semundjeje”. Dhe në një vend tjetër: nganjëherë më duket se po të mos e mbaja këtë ditar do të harroja ditët dhe nuk do të dija ç’ditë është sot: e hënë, e martë apo e mërkurë…Ditët brënda shtëpisë, vetëm apo vet i dytë, i ngjajnë aq shumë njëra-tjetrës, sa rrezik të mos i dallojë njeriu, jo vetëm si ditë po edhe si datë, po të mos ishin celularët dhe kalendarët. Kësisoj,ditë pas dite, fletë pas flete, u ngjiz libri ”Ditari i pandemisë-rrefime nga karantina”,që u publikua në Prishtinë nga “Artini”në korrik 2020, për t’ua vënë në dorë lexuësve.

Profesori, në pamundësi për shkak të kufizimeve, për ta dërguar librin e shtypur në letër, ma dërgoi  në postë elektronike. Pas leximit të vëmendshëm, nuk mund të mos parashtroj mbresat e mia, për lëndën që ngërthen ky ditar i veçante ne llojin e vet, që i ngjan,siç thotë autori, një përralle të bukur por edhe të frikshme njëkohësisht. Janë gjithsej tetëdhjet ditë, nga 14 marsi-1 qershor 2020.  Me përjetimet për ngjarjet e përditshme, por edhe ato të shtrira në thellësi të kohëve, informacionin nga vendi dhe bota, opinionet për përditshmërinë e jetës së trazuar politike, pikpamjet për jetën, kombin dhe atdhedashurinë, fëmijët dhe familjen, traditat, doket , zakonet dhe filozofinë, interest shkencore dhe artin e letërsinë, duke e kthyer këtë ditar në një rrëfim sa intim aq edhe publik, që ka vulën e bindjeve  dhe personalitetit vetjak të autorit. Nëpërmjet ditarit, lexuesi, njeh njeriun dhe dijetarin Agim Vinca, mendjehapur, që i thotë gjërat dhe zhvillimet ashtu siç i mendon dhe gjykon , me erudicion, kurajo e të pa ndikuar, që e do gjer në dhimbje Kosovën dhe Shqipërinë. Por nëpërmjet tij lexuesi mëson edhe shumçka nuk e ka ditur dhe për të përbën risi diturore.

Për nga shumllojshmëria e problematikës, dhe ngjyresa e veçantë e secilës prej tyre, ditari shëmbëllen me një tabllo-mozaiku modern, të hedhura pa simetri e planvendosje, në dukje pa lidhje, por kjo është dukje e rreme, sepse fundekrye lënda në shtrirje lineare, ka unitetin në kohë dhe hapsirë. Në pamje diturore, ditari përngjason me një enciklopedi, pasi në të sillen ngjarje të larmishme, të thjeshta por edhe komplekse nga fusha të ndryshme të dijes, te ndodhura jo vetëm në trojet amtare por edhe në hapsira të gjera, të shtrira në kohë, që nga mesjeta e gjer ne ditet tona. Per epidemitë: murtajën, kolerën, linë e bardhë, gripin spanjoll dhe epidemitë që kanë shuar miljona jetë njerëzish. Por në çdo rast, njerzimi ka triumfuar, shkenca ka përparuar dhe jeta ka vijuar. Covid-19 është sfida  me të cilën po ndeshet bota në ditët tona dhe autori beson se jeta do të dalë fituese edhe mbi këtë të keqe që e ka pllakosur.

Koha ecën, ditët i lenë vendin njera-tjetrës. Faqet e shkruara te ditarit-kronikë shtohen.Por çfarë përmbajnë ato? Janë disa subjektet peërmbajtesore: të rejat e ditës,që për shkak të karantinës përcillen kryesisht nga mjetet e komunikimit masiv. Për çdo dite thuajse nuk mungojnë njoftimet për pandeminë në Kosovë, Shqipëri dhe në botë, me shifra: të infektuarit, viktimat dhe të shëruarit,në dinamikën e kësaj të keqeje, ditë pas dite. Zvillimet e mbrapshta politike kryesisht në Prishtinë por edhe në Tiranë. Pjesë substanciale janë kujtime që përkojnë me data ngjarjesh të larmishme, që nga ato vetjake, familjare, të vendlindjes, apo të ngjarjeve të rezistencës, demonstratave studentore dhe luftës kundër pushtuesit serb, por edhe ato të karakterit kombëtar por edhe ndërkombëtar. Në të gjitha trajtesat, ditarmbajtesi erudit me dituri enciklopedike, shpalos jo vetëm ndodhinë për ditën e dhënë, që paraqet interes për veçantitë e saj, por jep edhe opinionin dhe pikpamjet vetiake, duke i lënë të drejtën lexuesit që të jetë ose jo i një mendimimi me të. Jane pjesë e ditarit edhe bisedat telefonike me miq, ato të përmallshme me djalin dhe nipërit në Amerikën e largët; një shëtitje në parkun e Germisë, apo nje kafe ekspres me miqtë në kafet e Prishtines, shoqëruar me përshtypjet e kësaj kohe jo të zakontë.

Kosovës, si të mos i mjaftonte pandemia e Coronavirus-19, që kërkon një angazhim sipëror për t’u përballuar dhe shpëtuar jetët e rrezikuara të njerëzve, politika e zhyt Kosovën në një krizë të thellë me sherrnajën meskine për zotrimin e pushtetit. Koronavirusi, gjeti një aleat në Kosovë,politikën. E pazakontë. Verbëri politike në kohë pandemie. Grindje në zi! o Zot, o Perëndi!Është si një klithje. Kastat politika që kanë njëzet vjet në zotrim të pushtetit, janë turrur kundër Vet- Vendosjes dhe kryeministrit Albin Kurti, që ende si ka bërë as pesëdhjet dit qeverisje e që u votua si shpresë për të sjellë ndryshim. Mocion mosbesimi, séancë pas seancash parlamentare, diskutime pa fund;fjalë,fjalë, fjalë.Diskutime, replika, kunder- replika. Dalldi.Turp.Deri në absurd, një tragjikomedi dhe, në fund me makinacione qeveria rrëzohet. Me ngut vihen ne levizje mekanizmat,Gjykata Kushtetuese, nisin intrigat, lojrat e pandershme politike për të krijuar qeverinë e re.  E gjithë kjo maskaradë gjen pasqyrim të plotë dhe analitik në ditar. Autori i takon atij brezi dhe krahu qëka luftuar për Kosovën e lire, e që ka vuajtur nga represioni e shtypja serbe, shpreh vullnetin popullor, që aspiron ndryshimin, daljen nga moçali politik që po mbyt vendin. Mban anën e qeverisë legjitime, të partisë që ka fituar zgjedhjet, si shprehje e vullnetit popullor, demaskon kastën politike, krerët e saj të pasuruar me korrupsion që janë kapur me thonj e me dhëmbë pas pushtetit e që nuk pranojnë ndryshimin. Në faqet e ditarit, me stil brilant, humor të hollë e sarkazëm vihen në lojë e përqeshen drejtuesit e partive ashtu siç i quan populli: prsident Hashimi-Hasha, Haradinaj-Rambo, kryeministri Avdulla Hoti-Dulla, Isa Mustafa-Isa (ose Putin).Ky i fundit, politikan karriere, që u ka shërbyer shumë padronëve, me shkopin e tij të invalidit, po sjell verdallë gjith Kosovën. Janë personazhe të neveritshëm, qesharakë, të kësaj balloje politike me maska. Nuk mbetet pa u stigmatizuar edhe i dërguari i posaçëm i ShBA-ve, ambasadori Grenell, që bëhet palë për ndryshimet e qeverisë Kurti. Autori sheh te Albin Kurti shpresën e ndryshimit,ngaqë ai është i zgjuar, inteligjent, i formuar dhe mirinformuar, se nuk ka hyrë në politikë për t’u pasuruar apo pëër të gëzuar privilegjet qe gëzon pushteti. Djegia e tij politike është djegie e shpresës për luftë kundër së keqes. Dhe e gjithë kjo ndodh në kohë pandemie!

Në spitale personeli mjekësor bën luftën për të shpëtuar jetën, në ekrane luftë politike. Politika helmon.”Patologji politike”.Keshillave për antivirusin-shenon ne ditar autori- i duhen shtuar edhe: fikni televizorin, ndrroni kanal, shihni filma dhe emisione për kafshët.Shëroni shpirtin me muzikë dhe letërsi të mirë. E thotë këtë i neveritur, pasi politikanët luftojnë për pushtet si çakenjtë.Teksa bota lufton për shpëtimin e jetëve, çakejtë tanë-vëren autori- duan t’i hanë kokën njëri-tjetrit. Sllogani I tyre: urrej pra egzistoj!

Ndryshe nga gjinitë e tjera letrare, ku lexuesi vijon leximin duke hamendësuar zhvillimin e subjektit, ditari eshte si nje teresi të panjohurash, që prêt te zbulohen faqe pas  faqe të librit, për çdo ditë të dokumentuar në ‘të, çka e mban të tendosur vemendjen dhe kërshërinë për ta shpënë leximin deri në fund, si I thonë, me një frymë. Ja disa gjetje: gdhihet dita e re: besimtarët myslymane nisin ramazanin. Autori evokon kujtime nga ky muaj ne familjen e vet dhe të atin besimtar te devotshem, dhe gjen rastin te flase e trajtoje per harmonin fetare që është një ndër vlerat e shqiptarëve. Në ditën botrore të poezisë, evokohet poeti sirian Adonis. Në një rast tjetër një letër e shkruar në shqipen arbërore për një poet arbëresh; një vdekje në vendlindje, ku nuk mund të shkohet për të hedhur një grusht dhe, bashkë me dhimbjen evokohen cilsitë e mira njerzore qe e bejne njeriun te kujtohet gjatë. Nëndë maji, është dita e Europes,vendi I Shqipërisë është në Europë, por…Para se të hyjmë në Europë ne duhet të bëhemi Europë. Në pesëmbëdhjetë maj perkujtohet politologu dhe filozofi Ukshin Hoti, njëzet vjet I zhdukur, që ka hyrë në kufijtë e legjendës. Pjesë e përditshmërisë janë edhe leximet: autori pyet:ç’është një libër-a të  mirë? Dhe pohon: më kanë ndryshuar, më kanë shëruar nga vuajtjet dhe gabimet. Më kanë dhuruar lumturi, besim dhe paqe. Ma kanë kthyer shpresën. Rilexim me një këndvështrim të ri i “Murtajës” së Kamysë, ”Verbëria” e Saramagos dhe autori pyet: Mynxyra e koronavirusit do të na i hapë sytë, apo do të na verbojë më keq? Njëzet e dy maj. Ditlindja  e poetit.Një lkujtesë retrospective dhe mendimi përmbyllës: jeta, rendesi ka si e jeton atë , etj. Por ditët do të dukeshin më të zbrazëta pa muzikën dhe poezinë.Muzika, poezia dhe miqësia, bëjnë që për një çast të harrohet pandemija, mbyllja, izolimi. Miqtë kujtohen në ditë të vështira. Biseda telefonike me Prof.Rexhep Qosen, me shkrimtarë dhe poetë, shkëmbim mendimesh.

Në ditar pasqyrohet edhe një pyetje që e bëjnë sociologët, psikologët por edhe shumkush nga ne që përjeton privacionet e pandemisë: si do të duket bota pas pandemisë, si do të jetë jeta pas pandemisë? si do të duket ajo? Dhe autori mediton: njerëzit do të kenë arsye ta duan më shumë njëri-tjetrin; më dashamirës, e solidarë, më humanë, por në kërkim të kohës së humbur mund të bëhen edhe më grykës e më egoist se më parë! Lufta kundër koronavirusit duhet të ishte edhe luftë kundër së keqes. Dhe një vrejtje:”Ndoshta prej kohësh e kishim braktisur veten dhe karantinimi duhet të na ndihmojë të rindërtojmë veten, pa u ndikuar nga të tjerët.Karantina duhet të shërbejë si katarsis dhe refleksion për jetën, si është jetuar dhe si duhet jetuar.

Më Një Qershor, hiqet karantina. Rastis të jetë festa e ditës së fëmijëve. Prishtina është plot jetë. Fëmijë, vocrrakë të shoqëruar me prindër, në parqe  i gëzohet ditës së bukur dhe jetës. Jeta, vëren autori, është si ai lumi i madh degëshumë që se ndal asgjë; as partitë, as qeveritë, as grindjet, as marrëzitë, e madje as sëmundjet dhe epidemitë.

Më 18 maj, autori shkon në zyrat e sigurimeve, për një deklarim jete! Njëri nga nëpunësit e njeh dhe i thotë”Profesor na shkruani diçka të mirë”.Bëhet shkak kjo kërkesë që në ditar të vijojë një përsiatje për letërsinë e mirë dhe kërkesat e lexuesve duke i ndarë, sipas Mopasanit lexuesit ne disa grupe, sipas prirjeve dhe kërkesave që ata kanë për një libër si: më ngushëlloni,më argëtoni,më pikëlloni, më mallëngjeni,më shtyni të ëndërroj, më bëni të qesh, më bëni të dridhëm, më bëni të qaj, më shtyni të mendoj! Është ky rasti që autori I ditarit, në mënyrë fine dhe elegante, të bëjë pyetjen: ”Artisti provon me sukses apo pa sukses. A do të jetë i tillë ky ditar? A do t’i shtyjë lexuesit të qeshin, të qajnë, të mallëngjehen, të argëtohen, të pikëllohen, të ëndërrojnë, të mendojnë?

Dua t’ia heq këto dyshime autorit të “Ditarit të pandemisë” Ky ditar është i tillë. Të bën të mendosh, të pikëllon, të vësh buzën në gaz, të mallëngjen, të revolton dhe të mëson gjëra të reja e që si ke ditur. Lexuesi do të më japë të drejtë kur ta lexojë e të pasurojë bibliotekën  me këtë libër të veçantë në llojin e vet.

Ditari mbyllet, në vend të epilogut me poezinë “Dollia e fundit”, e poetit kilian Nikanor Parra, një dolli për të nesërmen, si një hymn për jetën.

Dhe në fund urimi për të keqen”Shkoftë e mos ardhtë”.

  

Refleksione nga Prof. Dr. Resmi Osmani    

Tiranë, më 19.08.2020

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s