Poezi nga Lumo Kolleshi
Kur ti më mungon…
Nuk ka ç’më duhet as hëna,
I them të hajë vetveten,
Të bëhet drapër,
Vezë e shtypur le të bëhet,
Le të vishet me re,
Të fshihet pas kodrash e malesh.
Krejt ndryshe më ndodh
Kur ti ma mbush dhomën e gjumit
Dhe hënës i them të bëhet e plotë,
Të hedhë rreze në dritaren e etur për dritë.
Tërmet në kafe
Ulur për kafe me një deputete,
Fjalët i hidhte shkëndija nëpër tym,
Batretë prisja drejt meje t’i shkrehte,
Vetveten pyeta:Po këtu Beluli pse hyn?
Mbiemrin do të më kërkoje ti kalamakërisht
Apo ti,tjetri do të hidheshe mbi pleh si gjeli,
Në onomastikë veç një Belul njoh sinqerisht,
Belulin e estradës që na la Buxheli.
Fjalën e merrte e sillte rrotull e rrotull,
Plasi sa e zbrazi paslistën më në fund.
Troç i thashë:S’ke emër në popull.
Nuk di nga ç’tërmet tavolina u shkund.
SHEGA
I flake të linjtat,
Fshehur prej syve e prej dritës,
I nxore në shesh gjinjtë,
I hodhe tej me dritën e mekur të hënës,
I prushërove yjet.
Harrove të hidhje krahëve një rrobëdëshambër
A doje që të plaste dhe dielli nga hiret e tua?
Veç gjaku yt e di se ç’heq përbrenda.
Peng po m’i merr sytë mëngjeseve dhe mua
E vargjet po thyejnë këmbët gurëve të kalldrëmit.