Enkas për ditëlindjen… / Tregim nga Rudina Muharremi Beja

Enkas për ditëlindjen…

 

Tregim nga Rudina Muharremi Beja

Së shpejti festonte ditëlindjen e saj të tetëmbëdhjetë dhe i fejuari do vinte enkas për ta festuar së bashku me të. Brishtësia përtej të zakonshmes, ndonëse kurrë nuk mund të thuhej, manifestohej me bulëza djerse mbi ballin e vogël dhe trupin fëmijënor.
Doli ta priste në aeroport ku njerëz e valixhe popullonin tërë hapësirën. Drojtja e saj luhatej mes emocioneve dhe ndrydhjes, e cila bënte që të skuqej lehtë në fytyrë dhe të ulte sytë poshtë. Sa mbërriti, ai e përshëndeti në mënyrë traditacionale, u takua dhe me të afërmit e tjerë dhe faturoi një taksi. Si zune vend dhe makina u nis për rrugë, me shumë përzemërsi i tregoi të tëra dhuratat zgjedhura me kujdes për ditëlindjen e saj. Mezi priste të shkonin në shtëpi për të provuar rrobat e përzgjedhura. Së fundi taksia me një xham të krisur që vajza kishte fiksuar tërë udhës, ndaloi para shtëpisë së saj dhe ata zbritën. Në dhomë nisi menjëherë biseda e përzemërt, ndërsa ajo si një fëmijë e vogël mori dhuratat dhe i provoi njëra pas tjetrës në pasqyrë. Ishin gjëra të rralla që nuk i imagjinonte dot për momentin, pasi kufijtë sa kishin rënë dhe veshje të tilla klasifikoheshin si luks. Fjeti me atë gëzim në shpirt, ndërsa këpucët që shkëlqenin me brilantë, s’i hoqi fare. Të nesërmen do të festonin në qytet së bashku…! Nuk kishte asnjë mendim të çuditshëm, thjesht do dilnin dorë për dorë e do të shëtisnin gjithkund. E nesërmja erdhi shpejt. Në dalje të portës së madhe s’di pse vështrimi i të emës dhe buëqeshja tjetër soj e të atit i mbeti në mendje dhe dukej sikur po e shponin. U kthye, kërkoi të kuptojë ndonjë gjë më tepër, por ajo me kokë i bëri shenjë të ndiqte të fejuarin. Gjithësesi atë sekuencë kujtese të vështrimit të saj nuk mundi ta shqiste nga memoria.
“Ç’donte të thoshte vallë” – pyeti veten, rrugës për tek autobuzi më i afërt, tek lozte me unazën që rrotullohej rreth gishtit të vockël. I ra nga duart dhe padashur e shkeli.
U këput!!!
“Oh”, u këput” – tha vajza e trembur.
-S’ka gjë – mbërriti përgjigjia e të fejuarit. Së shpejti do zvëndësohet nga ajo e arta. Do ta shohësh sa e bukur është. Ka edhe një diamant, do të pëlqejë shumë– dhe i shtëngoi më fort dorën vockël.
Ndihej si fëmijë i pafajshëm, që ndiqte një rrugë, ku të gjithë njerëzit duhej ta kalonin.
Qeshte, gëzonte tek eksploronte ambiente të reja, me ngazëllim komentonte fasadat, vitrinat, muzeun e më pas detin që fliste e fliste me gjuhë perëndish.
Mbrëmja ra shpejt dhe prilli ishte i freskët.
-Do të flemë në qytet sonte, tek një i afëmi im këtu. Kështu rashë dakort me prindërit e tu.
-Mirë – tha ajo, s’është problem, dhe sistemoi instiktivisht fashon e gjërë elastike që kishte vënë në gjoks për të mbuluar ato kodërza të vogla mishi….
Darka qe e gjatë dhe sofra mikpritëse që shtruan për të i kishte të gjitha. Plaka e shtëpisë kishte gatuar kaq mirë, sa ajo vazhdonte ta pyetje plot kureshtje për recetat e gjellëve të shijshme e sidomos për ëmbëlsirën, duke marrë më pas në dorë një frut molle që e lau, e fshiu me kujdes dhe e kafshoi.
Sytë e tij e shpuan për një moment, ndonëse nuk ngjanë aspak qortues…
Ajo mendoi se gaboi, ndoshta duhej ta qëronte, ta priste, por pak më tutje edhe djali i zotërinjve të shtëpisë, shqiste me ngut një thelë nga molla e tij….
U qetësua pak dhe pasi mbaroi u lut të ndihmonte edhe ajo në sistemimin e pjatave.
-Jo, i tha zonja e shtëpisë e prerë! Shkoni në dhomën tuaj ju të dy.
Ajo hapi sytë e trembur, si të kishte parë djallin, pastaj mblodhi pak veten dhe vijoi të lante duar, këmbë, dhëmbë tualetit bri korridorit. Doli pa rënë në sy dhe i foli të zonjës së shtëpisë me zë të ulët;
-Unë mund të fle edhe këtu. Nëse s’ka vend shtroj një dyshek përtokë, s’ka gjë.
Ajo me një vështrim tepër qortues i tha:
-Ju kam shtruar në dhomën tuaj, secili në divanin e vet, je tetëmbëdhjetë vjeçe tani -dhe sforcoi një buzëqeshje.
Uli kryet dhe kuptoi pse e kishte vështruar ashtu atë mëngjes e ëma. U fut në dhomë ku ai mezi e priste dhe derën e la gjysëm të hapur.
-Mbylle derën ?– tha ai. S’ është verë akoma…!
Ajo u ul mbi divanin e vet duke verifikuar vazhdimisht që fashoja elastike ishte në vend.
-Eja pranë meje. Kam bërë gjithë atë rrugë enkas për ty.
Ajo mbylli sytë dhe vizatoi në mendje buzëqeshjen e habitshme të të atit…
-Jo- tha ajo me ngut. Do të fle këtu!
U shter e tëra e dridhej si një gjethe vjeshte, gati për tu shkeputur nga dega dhe fluturuar nëpër ajër.
-Eja zemër. S’duhet të kesh frikë nga mua.
-Unë jam akoma e vogël – mundi të thoshte ajo.
Tërësisht i habitur prej brishtësisë së saj që manifestohej pothajse me lot, u tkurr në divanin e tij.
-Po ti je imja. E kupton këtë?!
-Po, u përgjigj ajo, por jo sot, jo këtë radhë- dhe vijoi të qëndronte e ngurtësuar në atë mur të angësht që kufizonte me një dritare nga ku shiu trishtë rrëshkiste mbi xhama
E kuptoi menjëherë se me të vërtetë ajo ishte e trembur dhe e luti vetëm ti qëndronte pranë. S’ ju përgjigj dhe fjeti me fytyrën përmbys. Ai e kishte soditur tërë natën, madje i kish dëgjuar dhe dihatjen e shpeshtë të frymëmarrjes. Në mëngjes hapi sytë, kurse ai ishte akoma i ulur aty ku e kishte lënë.
Hapi derën e qetë dhe me sytë të ciltër përshëndeti pjestarët e tjerë të familjes që me ngut skanerizonin vështrimin e saj që nuk thyhej.
U larguan duke falenderuar për mikpritjen dhe kur u kthye përqafoi fort të ëmën.
Ajo nuk e mori vesh asnjëherë përsenë e një përqafimi kaq të përzemërt… .

Ai kishte ardhur enkas për ditëlindjen.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s