Poezi nga Lumo Kolleshi

Poezi nga Lumo Kolleshi

 

VJEN E MË PUTH NË KUJTIME,E SHTRENJTA NËNË
 
Ik, më tha nëna,
Do bëhem më mirë…
Mos ik! – më urdhëronte zemra nga brenda…
Mbetesh mbrapa me mësime,bir…
 
Fjalët e fundit kishin më të madhen etje
E buzët e saj po digjeshin zhur,
Mendimet më binin në hone të mistershme,
Gjunjët nuk më bindeshin e hapat u bënë gur.
 
Prapë u ktheva pranë shtratit lëngimtar.
Pesë kokrra koridhi ia shtrydha në buzë,
Putha të fundit lot, atë lot margaritar
Dhe u nisa për udhën pa udhë.
 
Dhe u nisa me një shpresë të leckosur…
Tani të gjitha stinët,pa ty,
Më bëhen vetëm vjeshtë e hirnosur,
Veç gjethe më rrëzojnë nëpër sy.
 
Të tharë i gjej koridhat mbi avllinë e gurtë.
Eh, lisat, tani nuk kanë ç’të përqafojnë.
Më vjen e më puth në ëndrrën e butë,
Më ikën buzë agut para se yjet të shkojnë.
 
 
 
TELEFONATA E MUNGUAR
 
E prisja një telefonatë nga ti, i madhi vëlla,
Një telefonatë që të më shkrinte akujt e zemrës,
Ti na ngrije e mblidhje fundtetorëve për në fshat,
Harrove që nesër është tidhjetepesëvjetshi i munguar i nënës?
 
Ti do ta kishe nisur shkopin tënd për udhë,
Atë shkop që e more me vete nën dhe.
Më dridhen duart e telefonit tënd akoma i bie unë,
Ende s’po më përgjigjet shpirti yt lart mbi re.
 
Ndoshta atje po çmallesh me të ikurit e shtrenjtë,
Ndoshta atje po ndez dhe nga një qiri për ne.
Më fal,vëlla,po më merren pak mendtë,
Alo,alo,alo! Po ç’mëri me mua sonte ke?
 
 
PËR DITË
 
Për ditë na vdes diçka nga vetja jonë,
Për ditë diçka nga vetja jonë na vdes.
Hera-herës bëjmë sikur s’shikojmë,
Hera-herës i hyjmë detit përmes.
 
Ja,na ra një flok i bardhë mbi supe,
I fryjmë dhe lusim të zërë erën,
Prej vetes sonë e duam larg e tutje,
Sikur i shkreti na kish zënë derën.
 
Pa hedhim këmbët në një park,
Një hap na lodhet s’di se ku
Dhe ishim nisur vërtet për larg,
Po largësia shpesh na zë me dru.
 
Na vjen,diku të lëmë një puthje,
Ilegalisht ta ngjitim si një trakt,
Nuk e arrijmë dot hapin e asaj buze,
Me dritën dhe me erën ikën larg.
 
Për ditë vdes diçka tek ne
Dhe pas krahëve tanë diçka lind,
Bëhemi tym,avull e re…
Për ditë pas nesh bëhet dhe dritë.
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s