Gjuha e shpëtuar – Histori e një rinie” – Elias KANETI (Vepër autobiografike) / Përktheu nga orgjinali në shqip Aristidh Ristani

 
 
“Gjuha e shpëtuar – Histori e një rinie” – Elias KANETI
 
Vepër autobiografike
 
Nuk i marr dot seriozisht njerëzit me krenari kaste, e çdo lloji qoftë një krenari e tillë; ata me ngjajnë si kafshë ekzotike, por edhe paksa qesharakë. Ashtu si pa e kuptuar, vë re se edhe unë vetë kam paragjykime të anasjellta, domethënë kundër atyre njerëzve që i japin njëfarë rëndësie prejardhjes së tyre të shquar. Në fillim më duhej që atyre pak miqve të mi aristokratë të mos ua vija re kur flisnin për këtë punë, por, sikur ta merrnin me mend sa mund më kushtonte një gjë e tillë, me siguri që do të kishin hequr dorë nga miqësia ime. Çdo paragjykim kushtëzohet nga një tjetër paragjykim, dhe më i shpeshti është ai që lind prej anasjellës së vet.
Kasta ku e fuste veten nëna ime ishte, krahas prejardhjes së saj spanjolle, edhe një kastë e parasë. Në familjen tonë, por sidomos në familjen e saj, kam parë se ç’pasoja mund t’u sjellë njerëzve paraja. Kam vënë re se më të këqijtë janë ata që kaplohen nga ethet e parasë. Kam njohur tërë ato shtigjet që çojnë nga lakmia për para gjer te mania e persekutimit. Kam parë vëllezër që makutëria i ka bërë të rrënojnë njëri-tjetrin në procese gjyqësore disavjeçare dhe që i vazhdonin këto edhe pasi nuk u kishte mbetur më asnjë kacidhe. E megjithatë, ishin prej së njëjtës familjeje “të mirë”, për të cilën krenohej aq shumë nëna ime. Këtë gjë e shikonte edhe ajo vetë, dhe bisedonim shpesh. Qe shumë e zgjuar dhe pati mësuar t’i njihte njerëzit jo vetëm duke lexuar veprat e mëdha të letërsisë botërore, por edhe nëpërmjet përvojës jetësore vetjake. I kuptonte mjaft mirë edhe shkaqet absurde që i patën shtyrë pjesëtarët e familjes së saj të shqyenin shoqi-shoqin, dhe do ta kishte pasur lehtë të shkruante një roman të tërë për këtë temë, por s’e linte krenaria familjare. Po të ishte nga dashuria, edhe mund ta kuptoja nënën, por shumë syresh nuk i donte fare, disa e indinjonin, ca të tjerë i përçmonte, kurse për familjen si e tërë ndiente vetëm krenari.
Por më vonë kuptova një gjë, dhe pikërisht faktin që edhe unë, duke i parë të gjitha këto në një rrafsh më të gjerë të marrëdhënieve njerëzore, jam i gatuar njësoj si ajo. Pjesën më të mirë të jetës sime e kam kaluar duke nxjerrë në shesh anët e këqija të njeriut, ashtu siç na paraqitet në rrjedhën historike të qytetërimeve. E kam analizuar pushtetin dhe i kam analizuar tërë elementet e tij përbërëse me po atë kthjelltësi të pamëshirshme që karakterizonte nënën time kur analizonte proceset që zhvilloheshin në gjirin e familjes së saj. Janë të pakta ato anë të këqija, si te njeriu ashtu edhe te njerëzimi, që mund të mos i kem vënë në dukje. E megjithatë, krenaria që ndiej për njeriun e për njerëzimin vazhdon të jetë aq e madhe, saqë vetëm një gjë urrej me të vërtetë: armikun e tyre, vdekjen.
 
(Elias Canetti: “Gjuha e shpëtuar – Histori e një rinie”,
Titulli i origjinalit: “Die gerettete Zunge – Geschichte
einer Jugend”, 424 faqe.)
 
 

Përktheu nga orgjinali në shqip Aristidh Ristani

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s