Thyerja e logjikës dhe kriza e besimit / Nga: Alma Hasalami

 

Alma Hasalami

 

Thyerja e logjikës dhe kriza e besimit

Njëherë më erdhi një djalë i ri rreth rreth 23 vjeç. Ai kishte humbur gjithë aftësinë për tu përqendruar në bisedë dhe kjo u vu re që në minutat e para të takimit. Kishte fenomene sinestezie shumë të theksuara si psh. muzikën e ndjente si prekje, ndërsa aromat si ngjyra. Ishte shumë i ndjeshëm dhe me një ndryshueshmëri të menjëhershmë të humorit. Herë qeshte, herë qante. Shumë ekpresiv dhe i ngrohtë në komunikim, por emocionet jo gjithmonë përputheshin me përmbajtjen e asaj që thoshte. Dukej që ishte inteligjent nga mendimet që artikulonte, por ishte e pamundur të strukturohej në bisedë për shkak të humbjes së përqendrimit. Asociacionet e mendimit mungonin plotësisht dhe hipervigjilenca ndaj mjedisit përreth ia shtonte akoma dhe më shumë mungesën e përqendrimit.

Seancën e dytë tregohet i sinqertë. Më thotë se kishte dashur të hapte syrin e tretë me patjetër, në mënyrë që të realizonte dëshirat e tij. Për këtë kishte gjetur një variant meditimi online. Kishte medituar “shumë fort” dhe e kishte hapur syrin e tretë. Dhe që nga ai moment kishte filluar gjithë ky çekuilibër psikik. Kur po i tregoja një skicë të caduceus/kundalinit, simboli i lashtë i mjekësisë, ku energjia femërore bashkohet në harmoni me mashkulloren rreth një boshti dhe balanca e këtyre dy forcave hap syrin e tretë, ai më ndaloi dhe më tha “Fiks këtë kam parë në meditim, mirëpo këtë boshtin e kam thyer!”. Nuk ishte në gjendje të gjente arsyen pse e kishte bërë, pasi i kishte ardhur në mënyrë krejt impulsive, të pavetëdijshme. Nuk donte që këtë ta merrnin vesh prindërit e tij, dhe për fatin e tij të keq, nuk erdhi më në terapi. Prindërit e tij besonin më shumë te pilulat.

Me një tjetër person, duke u futur në disa dhoma shumë të thella të psikës, zbuluam se nga ana anatomike psika është e ndarë në tre pjesë: Misteri/femërorja, Ligji/mashkullorja dhe Persona/boshti. Persona është pjesa që bashkon Misterin me Ligjin dhe ruan balancën mes tyre. Misteri është errësira, subkoshienca, imagjinata, hapësira krijuese (term të cilin e dëgjova në një Konferencë Filozofie mbi Bergsonin, në Tiranë… term që më pëlqeu shumë!), lëvizja, mitra, magnetizmi, e padukshmja, e pathëna… por Realja dhe vetë Universi. Ndërsa Ligji është struktura, fjala, forma, arkitekturimi i mendimeve dhe i mendjes, shprehja e jetës në konkrete, fallusi, elektrikja, ligjet e natyrës. Persona është vetja, Uni, identiteti, imazhi, dëshira, roli, teatri, shfaqja, shprehja e vetes, krjimi i përveçëm apo krijimi i animuar, njeriu.

Sipas anatomisë së psikës që Frojdi na serviri, mund të themi që Idi/subkoshienca është Misteri, Superego është Ligji, ndërsa Ego është Persona. Kisha dëshirë ta sqaroja këtë për të gjithë ata që kanë keqkuptuar terminologjinë e Frojdit, dhe për të gjithë antifrojdianët të cilët e sulmojnë atë pa e studiuar mirë.

Në rastin e mësipër, djali ka thyer boshtin/Persona-n prandaj është kaq psikotik. Kur Eugen Bleuler në 1908 e quajti persistimin e psikozës Skizofreni, e kishte shumë të qartë se me çfarë kishtë të bënte. Termi skizofreni vjen nga greqishtja e lashtë/ilirishtja σχῐ́ζω (skhízō, i/e çarë) + φρήν (phrḗn, “mendje, zemër, diafragmë”). Dhe thyerja e boshtit që djali përmend ka lidhje pikërisht me çarjen mes Misterit dhe Ligjit, mes Idit dhe Superegos, mes ndjeshmërisë dhe mendjes. Ndonëse sot profesionistët e shëndetit mendor mendojnë se duhet vetëm t’i korrigjojnë mendimet pacientit ndërsa ndjesitë t’ia shuajnë me substanca, në Iliri psika shihej si një unitet mes mendjes, zemrës dhe barkut.

Dhe pikërisht tek shembulli i djalit mendimet e tij ishin të sakta, madje shumë inteligjente. Por ndjesitë ishin shumë intense dhe komplet të shkëputura nga mendimet e tij. Aftësia për të krijuar asociacione mes ndjesive dhe mendimeve ishte komplet e dëmtuar.  E për rrjedhojë, aftësia e tij për tu përqendruar dhe për të gjykuar realitetin mungonte plotësisht. Përmes pilulave mund t’i shuajmë ndjesitë që vijnë nga realiteti dhe mund të modifikojmë mendimet, që janë produkt i eksperiencave të mëparshme të jetës së tij, por Persona i tij do mbetet gjithmonë i zhdukur. Përmes këtyre pilulave mund të krijojmë një zombi, por jo njeriun.

Filli i Ariadnes

Jemi në mitin e lashtë të Kretës (bëhet fjalë sërish për kulturën ilire). Tezeus ishte luftëtari i cili duhej të vriste minotaurin, përbindëshin. Përbindëshi mbahej burgosur brenda një labirinti shumë të komplikuar, që arkitekti Dedalus kish ndërtuar. Labirinti ishte shumë i ngatërruar që të mos i jepte mundësi përbindëshit të dilte jashtë, ligji që strukturon Idi-n ose animalen. Kjo arkitetkurë e komplikuar bënte që të gjithë meshkujt që futeshin në labirint të humbisnin, të çmendeshin e të vdisnin. Gjithë kjo ngjarje përbënte një traumë të madhe. Përbindëshi nuk ishte natyral, por një krijesë hibride e pangopur që donte vetëm shkatërrim, ndërsa labirinti aq i ngatërruar sa vetëm po merrte jetë njerëzish.

Por Tezeus nuk ishte si gjithë të tjerët. Ai kishte me vete fillin e Ariadnes, i cili do t’i tregonte rrugën e daljes nga labirinti. Nuk mund të themi që filli i Ariadnes ishte inteligjenca, pasi labirinti i Dedalusit ishte akoma me inteligjent e i komplikuar se një fill. Por mund të themi që filli i Ariadnes ishte ajo fije që e mbante lidhur me botën jashtë labirintit, me të vërtetën, me shpëtimin e tij. Filli i Ariadnes ishte asociacioni mes ndjesive (përbindëshi) dhe mendimeve (labirinti).

Trauma e minotaurit në labirint është trauma që kemi ne sot. Kemi ligjet, rregullat, normat si struktura artificiale e labirintit. Kemi dhe përbindëshin i cili ushqehet vazhdimisht me energjitë tona e jetën tonë, falë ekzistencës së labirintit. Dhe kur humbasim nëpër këto labirinte, nuk kemi humbur vetëm rrugën. Kemi humbur veten. Mund të çmendemi akoma pa parë përbindëshin dhe pa kuptuar traumën. Kështu labirinti i pandemisë mund të na drejtojë drejt covid-it si problem, ndërkohë që përbindëshi fle në drejtimin tjetër.

Në krizat ekzistenciale, ku nuk kuptojmë kush jemi e çfarë po bëjmë (çmenduria e labirintit), kërkojmë me përpëlitje të kapemi diku. Kemi nevojë të besojmë diku. Dikush kapet tek informacioni i gatshëm që vjen nga media, nga partia, nga feja, nga propagandues të ndryshëm. Dikush tjetër kujtohet që e ka fillin brenda, atë fije që e lidh me të vërtetën dhe me origjinën e vet. Dikush beson se zoti është alien, edhe pse nuk ka asnjë fakt per të. Të tjerë besojnë në teori të ndryshme fetare edhe pse s’kanë asnjë fakt për to. Nuk duhet të harrojmë që besimi i pa mbështetur në fakte do çojë gjithmonë në çmenduri.

Të tjerë besojnë se e vërteta është vetëm ligji, rracionalja. Mendojnë që strukturat janë të pandryshueshme dhe kështu përjashtojnë dallgën e madhe e cila mund t’i përmbysë strukturat dhe të krijojë një tjetër realitet. Të qenit rracional, brenda një rracioni, përjashton misterin, femëroren. Gjykatësi e ka ligjin përpara, por i duhen dhe faktet, realiteti jashtë, në mënyrë që të marrë një vendim sa më të logjikshëm. Gjykatësi është Persona që po vendos ekuilibrin mes Misterit dhe Ligjit. Është persona që ka gjetur logjikën, fillin e Ariadnes.

©Alma Hasalami

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s