Poezi nga Sabit Rrustemi

 
Poezi nga Sabit Rrustemi
 
 
 
VETËM LE TË VIJË
 
E prisja fluturimin e saj drejt meje
si grishë si mëllenjë a si trincë
 
E kisha admiruar me ditë e net
me mijëra e mijëra vjet
ushqyer i kisha sytë
me bukuritë e saj
 
Ajo
si një dashuri që përndezet me pak
gjetkë fluturoi
ra atje ku nuk e arrij
në një planet të humbur ra
 
E
nuk është Atlantidë
as Trojë e djegur e lavruar
Fushës së Mëllenjave kohë pas kohe vegon
me qafën e bardhë zgjatur kah unë
me syrin shqiponjë
më shpon
 
Oooh
ç’e dëshiroj ç’e pres
atë frymë hyjnore shpirtdlirë
atë njomësi që shton jetë
 
Vetëm le të vijë
ajo flakë zjarri që shkrin
ajo gjuhë e përndezur që ëmbëlson
ajo shenjtëri së cilës i falem në çdo kohë
 
Për hir të dashurisë që s’shuhet
gjithë torturat e pritjes
vonesat
mungesat
e heshtjet
i qofshin falë.
 
 
 
PAQEMBJELLËSI ANTON ÇETA
 
Korniza gurësh e muresh theu
përmes gjuhës e buzëqeshjes
pa zhurmë e rrahagjoks
Me dashurinë e zemrës
i ra në gjunjë Nënëlokës
faqeve me një mal rrudha
ua piu lotët
 
I mbështjellur ilirishte
kryevepër kohe u bë
në krye oxhaku
 
Një botë shqipesh
qiejve të arratisur
mbi supe e mbajti
derisa e zbriti në tokë
për t’ua mësuar sërish ecjen
 
Urtaku i fjalëve
në Fjalë të Urtë u kthye
përmes Faljes e Pajtimit
Lavruesi i arave të serta
paqembjellësi Anton Çeta
 
 
 
EMRI QË RUHET NË SIRTAR
 
Liria ka përzgjedhur për bashkëudhëtar të jetës
një burrë
Babai i të cilit vdiq
pak para lindjes së tij
 
Fryti i parë i dashurisë së tyre
u pagëzuan përmes një Ceremonie publike
me emrin Pavarësia
 
Populli autokton
sipas një tradite të lashtë
uroi Çiftin e Ri të ketë edhe një djalë
 
Emrin Sovran po e ruajnë ende në sirtar.
 
 
 
 
 
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s