Poezi nga Rami Kamberi

 
Poezi nga Rami Kamberi
 
 
 
MIKU IM, PETRIT…
 
Ike, miku im, ju dha qiellit
Unë rrugëve të malësisë, të kërkoj, sikur dikur
Kur erdhe me rreze t’diellit
Me zanin e kushtrimit, si shqiponja, në flamur
 
Më le rrugëve të Tetovës, si penën, që ma le mbi fletore
Me amanetin e fundit: të pres n’Vlorë, ditën e njëzetetetës
Me Nëntorin e Tretë, për ditët, më të lumtura, Arbërore
Më premtove, n’besë të Zotit, se shqip, do t’i flasim, jetës
Me petale t’lules At’dhe, që stuhitë i ndanë, prej kurore
 
Ike, miku im, ju dha qiellit
Borxh të të mbetem, për një grusht me dhe Sharri
Të të vij, me rreze t’diellit
Flamur, si zani i kushtrimit, siç e ka adet, shqiptari
 
Me ditë të kujtesës, siç u takuam, nëpër jehona, të lirisë
Mes maleve të Sharrit plak, unë si mal, ku po ndlojnë rrufetë
Me këngën e bashkimit, me guximin e maleve t’labërisë
Më erdhe, miku im, me shikimet liri e me lulëkuqet, plot jetë
Me sytë At’dhe, n’dasmën e madhe si dasmor t’Arbërisë
 
Ike, miku im, ju dha qiellit
Unë, mbeta në pritje, si hutë e penë, që m’i le, amanet
Të të vij, me rreze t’diellit
N’Vlorën e bashkimit, me njëzetetën e Nëntorin e Tret’
 
 
 
PËR LAHUTËN, QË M’KA MBETUR PA TEL…
 
Mbrëmë, nata kishte sy
Tinza, m’i shikonte, n’Sharr pyjet
Sot dita m’është me shi
Bebëzat, tokës, m’ja kërkojnë yjet
 
Unë e pres, përsëri natën, që t’del
Mes fletëve, ku germat m’i kërkojnë ngjyrat
Për lulëkuqen që më, s’po na çel
Si n’pranverë, bardhokeve, t’u qeshin fytyrat
Për lahutën, që m’ka mbetur pa tel
 
Mbrëmë, nata kishte sy
Terri i hutuar, dukej, yjet, m’ja pinte, qiellit
Sot dita m’është me shi
Stuhi e re e rrufe, m’i kanë vënë pritë diellit.
 
 
 
PËR FJALËT TUA, NËNË…
 
Me buzët e tamblit e putha tokën
Si ti, nënë, kur më dhe gji, herën e parë
Me dhe të tokës e lava dhe kokën
Sikur vesa në malësi, kur rigon mbi barë
 
Tek sytë e tu, kur e pashë, si po duket, qielli
Kur n’djep m’përkundje, me ninullat e shpresës
Kur n’ballë t’kullës, na preknin, ca rreze dielli
Të shikonim udhët, kah ecnin, udhëtarët e besës
 
Me buzët e tamblit e putha tokën
Si herën e parë, kur më dhe, gji, moj nënë
Me dhe të tokës e lava dhe kokën
Për fjalët: t’jesh malësor, kur m’pate thënë.
 
 
 
S’DI, N’KA EMËR…
 
Dashnia, që më mbeti, në zemër
Ma frikëson jetën, ma trishton kujtesën
Bardhoke i them, s’di n’ka emër
Ndër sy më rri, si malet që e kanë besën
 
S’di besa, në më dashuron, s’më ka thënë, kurr’
E di se shikimet e syve, m’i piu, me bebëza ngjyrën si jeta
Me t’bardhën fustanellë, që i valëvitej si flamur
Në qytetin tim, kur më erdhi nga qyteti, ku flet, njëzeteteta
E Nëtorit të Dytë, si hyjneshë e Ilirisë, plot nur’
 
Dashnia, që më mbeti, në zemër
Ma frikëson jetën, besa, po s’ma panë, sytë
Bardhoke i them, s’di n’ka emër
Ajo, që m’pret, t’takohemi, Nëntorin e Dytë
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s