Zonja Lu / Poezi nga Ali Asllani

 
Poezi nga Ali Asllani
 
 
 
Zonja Lu
 
Një ditë dola për shëtitje,
Afër udhës në varreza
Pashë një zonjë më shumë habitje
Veshur krejt me rrob’ të bardhë
Duke i bërë veri një varri,
Që ti bësh veri një varri
Eshtë punë e një të marri.
Iu afrova… një flori
 
Mrekulli një bukuri…
Dorë e saja vente vinte
Bën veri e bën veri!
E un’ tepër i çuditur
I them zonjës të më falë
Dhe si gjysëm ngushëllimi
Pëshpërita dy- tre fjalë
Dhe iu luta të më thoshte
I kujt është ky varr i ri
Varr i freskët e i njomë
E përse i bën veri?
 
Zonja kuqet e stërkuqet
Bën të thotë e nuk më thotë
Nuk më thotë asnjë përgjigje
Lutja ime vajti kot.
Rrobe e bardhë që kish veshur
Më tregoi së mbante zi
Sado heshti buzë e kuqe
Foli syri saj i zi!
Lem të lutem.. dhe vazhdoi
Përsëri e përsëri…
 
Dorë e saj s’kish të lodhur
Bën veri e bën veri…
Nuk më ikej nga meraku
Po kur shoh se aty afër
Po ma bën me dorë një grua
Ajo ish një plakë e varfër
E më thotë eja e di unë
Të rrëfej se ç’janë ata,
Atë varr e atë grua
Në më jep disa para!
 
Edhe unë more zotëri
Më këto paratë e tua
Shkoj e blej një nuskë nga prifti
Të më zgjatet jeta mua,
Pse në vendin ton’ të dashur
Me fuqirin e florinjve
Edhe jeta blihet shitet
Rroftë magji e priftërinjve!
Tash ajo që pyesni ju
Eshtë zonjë e një poeti
Edhe quhet zonja Lu.
 
Varri është i të shoqit
Ish poet i madh i vendit
Që peshohej këngë e tija
Me dërhemë të argjendit!
Burrë e grua mish e thua
çift i ëmbël, çift me shije
çift o çift që s’ka të dytë
si dy kokërra qershije.
 
Një ditë burri u sëmur
Dy plevite në një vend
Një sëmundje shumë e rëndë
Zonja Lu u prish nga mend
Dhe i thotë burrit të saj
Nëse mbyllen sytë e tu
Unë veten do ta vras
Dhe bëj be që atë çast
Më ke pranë e më ke pas
 
Ti ma bërë shtratin tim
Kryefron të dashurisë
Dhe unë varrin tënd do ta bëj
Shtratin tim të nusërisë.
Jo, të lutem-i thotë burri
Shumë të lutem mos e bëj
Mirë athere, unë do mbetem
Gjithë jetën një e ve
 
Jo, të lutem, Luja ime
Mos e bëj dhe këtë be
Si pra unë të duroj
Në më zënte kjo rrebe?
Pra të paktën do të mbyllem
Dhe do rreshkem disa vjet
Jo, të lutem Luja ime,
Eshtë e shkurtër jetë e shkretë.
 
Vetëm prit e ki durim
Sa të thahet varri im.
Tash poeti ra e fjeti
Ra e fjet’ për mote jetë
Gjëmë e madhe që e gjeti
Zonja Lu thërret bërtet
Me oi e me oi
Për atë që benëj fli
 
Një minutë e dy vili!
Ç’më gjet mua, çmë gjet mua
Ulurin e zeza grua
U plagos, u shkatërrua
U plagos e u gjakos
Me biçakun e fildishtë
Fije fije bëri flokët
Copë copë i bëri mishtë.
 
Pas dy ditëve vjen një djalë
Një djalosh një bukurosh
E i thotë zonjës Lu
Ti shëndoshë e unë shëndoshë
Ti e unë një çift i ëmbël
Çift i bukur, çift me shije
Çift, o çift që s’ka të dytë
Si dy kokërra qershije.
 
Mirpo zonja është besnike
Ka dhënë fjalën ka bërë be
Sa të thahet varri burrit
Doemos do rrijë e ve
Meqë varri është ifreskët
Eshtë i njomë e është i ri
Që të thahet shpejt e shpejt
Zonja Lu i bën veri!
 
 
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s