Poezi nga Anila Varfi
FALJA VETES QIELLIN!
E pra, dije,
Se dielli dje dhe sot u dogj prej cektinës së shpirtrave pa shpirt!
Kallkan frymorësh gjithkund…!
Duhet ta dish,
se traun e tij
Kurrë se pa ky kafshë njeri…
Veç qimja e botës e bezdis!
Prapë duhet ta mësosh,
Që botës nuk iu shterkan
Karakatinat dykëmbshe
Që turbullojnë çatitë,nahitë
E vendin ku rrinë!(Zot na ndih!)
Pra duhet, ta dish
se kësisoj qeniesh janë kaq të pacipa
Sa pështyjnë kudo.
Duhet doemos ta dish,
Se këta trupeshq do të shesin dëngla nervozimi
E qejfmbetje rakitike …
E tërci … e vërci!
E po,
mos ngurro më tej,
Por bëj si bëj dhe arratisu qiejve,
Atje, ku veç ajri e di si ndihesh, e di…
Duhet ta bësh për hatër të vehtes,
O njeri i mirë:
falja vetes blunë e qiejve!
NË HELMIN E VETËVETES
Ia pimë dhe sot jetës
Kupën e vrerit me eks.
Prapë nesër zuzka botë
Në marsh të çmendur do t’i nisë mëngjeset moderne,
Në kacafytje sa majtas,
djathtas,
para, mbrapa
Do ta ngucë njerëzimin të çjerrë vetveten.
Në luzmë shterpë debatesh
Nesër do ta gjejmë veten kokëzbathur mendimesh,
Tabularasa të kohës digjitale,
Ku notojmën në pellgje llogjesh e deliresh.
E pse duhet të mendoni?!
Ata na duan trusqullur si molusqe,
Që pluskojnë në ligatina injorance,
Kacafytur ndër vedi me khetrat e lakmisë.
Kohë bajate,
Kohë memece,
Kohë lypsare,
Kohë mjerane,
Kohë vrastare,
Kohë ku gjerbim helmin e vetëvetes!
