Poezi nga Lumo Kolleshi

 
Poezi nga Lumo Kolleshi
 
 
 
JAM NDRYSHE
 
E pakryera që s’ bëhet dot e kryer,
E tashmja që e ardhme s’ bëhet kurrë;
Në dritare veç një xham i thyer,
Një gur në shkëmbin ku rrokullis veç gurë.
 
Kështu kam qenë e do të mbetem,
Një lot për syrin që s’u tha,
Një shirit i zi lidhur për vdekjen,
Që toka s’e mbuloi e dot s’e pa.
 
Kështu do iki nga kjo botë
Dhe unë, ndoshta, si të tjerë,
Si një zemër pa aortë,
Vetmitar pa zë të çjerë.
 
E, kur të iki, si të iki,
Humbëtirash tej si vetmitar,
Për bust,mermer, mos porositni,
Madje as dhe vend për varr.
 
Në këtë tokë vdekjet janë shumë,
Më digjni, më hidhni tym në re përpjetë,
Pastaj me shiun do vij unë,
Kur vapa nxin, t’ju jap pak jetë.
 
 
 
E HIRTË KJO E DIELË
 
E hirtë kjo e dielë në qytetin tim
E dielli mes reve mundohet më kot,
Rezet e tij vetë qielli i përpin,
Gjethet e shegës kanë ftohtë,shumë ftohtë.
 
Në lagje më ka vdekur një koleg,
Por paska dhe një ligj pandemie.
Dridhem si mbi lumë një shelg
Në erëra të zymta vetmie.
 
Ca cikma të largëta më hyjnë në shpirt
(Ky shpirt dikur do çante dhe qiellin).
Me borën e parë në mal sytë s’bëjnë dot flirt,
Lotët e tij lëndojnë dhe diellin.
 
Në këtë botë vijmë vërtet vetmitarë
Dhe çdo ardhje gjëmon me gëzim.
Kjo bota e sotme pa krehur,pa larë,
Na ndalon të shkojmë dhe në varrim.
Si të mos e zënë cikmat shpirtin tim?
 
 
 
PRITJE SHEGE
 
Ti nuk ke parë pritje shege në nëntor,
Para portës së shtëpisë, pritje shege nuk parë,
Ca kokrra i ka mbajtur mes shirave me zor,
Nga malli dhe pritja ca kokrra i ka çarë.
 
Sapo shkel poshtë saj,të lumtur mblidhen zogjtë,
Mbi supe dhe mbi flokë mbulojnë te verdhat fletë.
Malli pëlcet gurët e shkëmbit më të fortë,
Kështu më ndodh në vjeshtë kur shega pret.
 
 
 
MUND
 
Ti mund të më vësh taksë te riska e bukës,
Te gualli i qepës ngjyer me kripë,
Te këmisha e hollë e hudhrës,
Te guaska e vezës veshur me një cipë.
 
Ti mund të ma lodhësh varfërinë,
Për dheun e zi mund të më bësh edhe gur,
Taksë s’më vë dot për dashurinë,
Një zambak do të shpërthejë gjithë nur.
 
 
 
***
 
Ti kërkon më kot skenë dhe spektatorë,
Në labirinthet e Dedalit luan dramën jeta jote.
Po ta them sot e gjithmonë:
Me qira e kanë dhënë veten fytyrat,
Sot maskat janë pushteti i kësaj bote.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s