Poezi nga Namik Selmani

 
 
Poezi nga Namik Selmani
 
 
 
Ndryshësi
 
1.
Robotë që luajnë shah me mentarë e …marrin kupa
Lule të marra nga Poli i ajsbergëve a gjer larg, në Tropik.
Libra që myken në plasmasë mes himeve të ngarkuara
Raki e papirë se po na deh të gjithëve ekrani internetik.
 
2.
Papagallë të qorrolepsur që me fjalën e belëbëzuar garojnë.
Manekinë që flasin në trupa, mbase të ardhur nga Franca.
Akuariume ku peshqit në ujëra të fjetura si zhaba notojnë.
Zonja dembele që iu mbeti në duar manikyri dhe kafja.
 
3.
Viça që shtrijnë të plandosur lëkurat e gjakta në mishtore.
Të ardhur nga një stalla me hekura e me drita tuneli.
Fëmijë që dalin nga epruveta pa dashurinë dridhërore.
Vajzërusha me celularë që presin takimin te moteli…
 
4.
Këngë të bëra në kuvli të vockla, me mura të kadifenjta.
Pa flladin, tufanin e trokëllimën e agimit të bardhë.
Këngëtarucka që nxjerrin vithet, gjoksin e shtrihen te skena.
Si pulat kokërrjepura që shtrihen në qymeze me glasë.
 
5.
Kuaj të bukur që gërdallisen dhimbshëm si Rosinantët
Tagjia ka mbaruar në trasta e në arë kanë mbirë gjemba.
Në udhët e shumta mes pluhurit të mbysin markat e benzave.
Në stacione pa fund shoferët të kapin të gjithë nga mënga.
 
6.
Pula larushe që bëjnë vezë me susta dhe pulte komandash.
Kunguj që shartohen përditë me shalqinjtë zemërkuq.
O. ç’t’u themi fëmijëve kur duan të shohin bjeshkët e larta?
Ç’t’u themi për Përrallën e lashtë të Kecave me Xhuxhë?
 
7.
Ç’të themi për ndryshësinë????!!!!
Me çfarë sysh të ecim në këtë udhë sympirë???
 
 
 
Mos më mëkato
 
Më ndëshko për mëkatin e hidhur të ditës që vjen
Ma hiq kupën e verës dhe kafshatën nga sofra
Më lër me një këmbë si rri para klasës djali rebel,
Më lër dhe zbathur kur të vrapoj tek sheshi me lodra!
Lotin e fshehur të dhimbjes mundet një ditë të ma nxjerrësh
Me hak, pa hak m;i lidh dhe këmbët në valle.
Retë e zeza të qiellit ktheji në shi dhe mes pranverës,
Gurët e kështjellës një nga një t’i ngjis nëpër shpate.
Urdhëromë të eci me këmbë te gjakosura majë një mali
Të mos ua vë dorën pajtonëve, taksive, avionëve drejt qiejve.
Më lër të dridhem si zogu në strehë nga ngrica dhe acari!
Mes një hapi që bëhet edhe më i ngadaltë nëpër vite!
Shtoma një thinjë të padëshiruar në kaçurrelat e zeza!
Jepmë pak heshtje mentari para neneve të ligjit të rreptë!
Veç luleve të mbira tek pragu të mos iu vihet lesa
Në varrin e nënës mos më ndalo të hedh lotin e nxehtë.
Veç mos më hiq miqtë e babait dhe ata të hallit nga lista!
Mos më thaj ujëvarën e tingujve me mollëzët e buta.
Fletën e bardhë mos ma hidh në koshin me mbeturina
Në kërkim të një loti gëzimi që të jep e puthura. \
Ah, veç mos ma terro agimin e ditës ku prek mirësinë!
Ku qielli duket sa një tepsi para udhës që shkel
Të çurgojë djersa si gurra e madhe që del në luginë,
Në shpirt mos vyshket lulja e urimit që ndrin tre jetë.
 
 
 
Udhëtim në Egnatia
 
Kam ecur prej shekujsh në këtë udhë të lashtë
Egnatia e gurëzuar më dha krenari dhe forcë.
E jam bekuar si udhëtari në hapat e pamatë
E jam bërë princ modern në dritat që të verbojnë.
I njoh gurët e udhës që shkonte mes pyjesh
I njoh symbyllur qemeret ku ecën kuaj, krushq, kaçakë.
Para një sofre haneve të vetmuar kam numuruar yjet
Në duar kam shtrënguar në të pergamenët e rrallë
Më duket se kam 3000 vjet që eci e s’ndalem
me ca karvanarë në kuaj a mbi qerre lufte
Kam pëshpëritur fjalëngrohtat dhe në tufane
Buzë Shkumbinit kam hedhur një shall të kaltër në supe.
I kam ndier gjer në eshtër goditjet e çekanëve mbi çdo gur
Sikur e prek djersën e ballit të mjeshtrave të lodhur
e prapë kam qenë pjesë e karvanit me në ballë flamurë
Kam qenë udhëtari i një rruge që më ka bërë të pamposhtur.
Ballkani më është dukur sa një oborr shtëpie
Roma këtu po më duket sa një vrap kali larg
Mbi valë Adriatiku shkoj e vij si zgalem mes kaltërsie
një Egnatia të re ringrej brenda vetes ditë e natë.
Në një varg që rrëzëllin
Jepi jetës ditë të bardha!
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s