Elif Shafak, zëri i mirënjohur i letërsisë turke / Nga: Gladiola Jorbus

 

Elif Shafak, zëri i mirënjohur i letërsisë turke

 “Si e shohim Zotin është një pasqyrim i drejtpërdrejtë i asaj se si e shohim veten. Nëse Zoti na sjell ndërmend kryesisht frikën dhe fajin, kjo do të thotë se mbartim shumë frikë dhe faj brenda nesh. Nëse e shohim Zotin plot dashuri dhe dhembshuri, të tillë jemi dhe ne ”

E lindur në Strasburg, nga një nënë diplomate në 1971, Elif Shafak është autore e disa romaneve dhe njëherazi shkrimtarja më e lexuar e Turqisë.

 Veprat e saj janë përkthyer në mbi 30 gjuhë, teksa jeta e Shafak-ut është e ndarë midis Stambollit (qytetit të saj të zemrës) dhe Londrës.

Në korrik të vitit 2012, për angazhimin intelektual në favor të lirisë së mendimit dhe kontributin e saj në dialogun ndërkulturor dhe të drejtat e njeriut Ministria e Kulturës e Republikës Franceze, i ka akorduar titullin ‘Kalorëse e Urdhrit Kombëtar të Arteve dhe të Letërsisë’.

Elif Shafak ka jetuar në Madrid, Ankara, Këln, Aman, Boston, Michigan dhe Arizona. Ka marrë titullin Doktore e Shkencave Politike nga Universiteti i Lindjes së Mesme (METU) në Ankara dhe ka një Master me temën “Studime mbi gjininë dhe feminizmin”. Rrugëtimi kozmopolit dhe angazhimi i saj humanist i përshkuar nga edukimi perëndimor dhe kultura osmane, pa dyshim kanë ndikuar në krijimtarinë e saj artistike.

Madje pasazhet letrare të romanit ‘Bastardja e Stambollit’, prekin një temë të ndjeshme e disi të harruar. Ato zgjuan butësisht çështjen e gjenocidit armen duke bërë që Shafak të ndiqej penalisht  në vitin 2006, sipas nenit 301 të Kodit Penal Turk, i cili ndalon ‘denigrimin publik të Turqisë, identitetit turk ose institucioneve turke’.  Fatmirësisht, shkrimtarja u shpall e pafajshme, por të tilla ligje kontroverse dhe përndjekje me karakter obskurantist luajnë rolin e tyre duke krijuar impakte të rëndësishme në formimin e çdo shkrimtari.

 E lidhur ngushtë me shumë shkrimtarë dhe filozofë si Gabriel García Márquez, Lev Tolstoy, Fyodor Dostoyevski, Joyce Carol Oates, Edgar Allan Poe, Honoré de Balzac, Ahmet Hamdi Tanpýnar, herë në stil, herë në frymë, dhe herë pa ndonjë arsye të caktuar, Elif Shafak tërheq me magnetizmin e saj një audiencë të larmishme në mbarë botën, përmes eksplorimit të një game të gjerë subjektesh me shqetësime të thella dhe gatishmërinë për të përqafuar horizonte të reja letrare.

Përmes angazhimit të saj akademik në të dyja traditat letrare dhe filozofike, Perëndimore e Lindore, puna e saj pasqyron një angazhim të thellë për të manifestuar larminë e përvojës njerëzore, ndërkohë që ende pranon se, pavarësisht nga kontradiktat tona të brendshme dhe të jashtme, ekziston një pikë e përbashkët për të gjithë.

Megjithatë, suksesi i Shafaku-t ka jehonë në mbarë botën dhe temat universale të trajtuara prej saj si dashuria, identiteti, tradita, emigracioni, dilemat midis shkrimit e mëmësisë ngjallin entuziazëm dhe bëjnë që titujt e saj të përpihen me kërshëri e kënaqësi nga lexuesit.  ‘Herën e parë që dëgjova fjalën mërgim – sürgün – në turqisht, isha fëmijë. Më bëri përshtypje sepse rimonte me një fjalë tjetër: hüzün – melankoli’, – thotë Shafak.

 Çdo libër i saj është gjithpërfshirës, një udhëtim i brendshëm, i mbështetur në ndjeshmërinë dhe dëshirën për të kapërcyer kufijtë e vetvetes. Gjithashtu Elif Shafak nuk resht së përshkruari dhe marrëdhëniet familjare në romanet e saj. Duket se familja turke është një dobësi që e intrigon jashtë mase. Ajo duket sikur ngulmon të zbulojë format dhe mënyrat që përzgjedhin njerëzit për të lënduar të dashurit e tyre. Ndonjëherë Shfakut në romanet e saj i pëlqen të jetojë në dy kohë dhe kapërcen nga vitet 2000 në retrospektivën prapavështruese. E rritur nga nëna dhe gjyshja e saj, shkrimtarja e mirënjohur është shprehur, se rritja në një familje jofunksionale ka qenë e vështirë në shumë mënyra, por nga ana tjetër mjedisi jopatriarkal ka gjeneruar një ndikim pozitiv tek ajo.

Jo më kot, në romanet e saj hasim gra kryelarta, të të gjitha origjinave – myslimane, të krishtera, hebreje, plot sfida emocionale. Duke qenë se Turqia është një vend kompleks, sa i evropianizuar, aq dhe konservator e patriarkal, ku shumica e lexueseve janë gra, Elif Shafak ngjall shumë diskutim.

Ajo është një grua që shkruan, në një vend ku kultura e shkruar mbetet nën përgjegjësinë mashkullore. Sipas saj gratë lexojnë e burrat shkruajnë.

Pikërisht këtë model Shafak e sfidon natyrshëm, me profesionalizëm dhe veçori artistike të spikatura, por edhe si një aktiviste për të drejtat e grave, të drejtat e minoriteteve dhe lirinë e fjalës, që shkruan mbi një sërë çështjesh përfshirë politikën globale dhe kulturore, të ardhmen e Evropës, Turqisë dhe Lindjes së Mesme, demokracinë dhe pluralizmin.

Ndër lexuesit e saj renditen, gra me shami, liberalë, feministë, nihilistë, sekularistë, mistikë, agnostikë, kurdë, turq, alevitë, sunitë, homoseksualë, amvisa, biznesmene etj. Këtu qëndron dhe mrekullia e letërsisë, njerëz të cilët nuk njihen e nuk komunikojnë aspak me njëri-tjetrin, lexojnë dhe pëlqejnë të njëjtën autore, të njëjtat rrëfime fiction-i. ky emërues i përbashkët quhet Elif Shafak, në veprat e së cilës shfaqet prirja e vazhdueshme për të përkrahur traditën sufiste, që e konsideron aq të pasur dhe paqësore, e veçanërisht poetin Rumi.

Nuk mund të lëmë pa përmendur faktin se Stambolli ka zënë një vend nderi në librat e Shafak, madje ka qenë në fokus të tyre. Ajo e përshkruan qytetin si një ‘Ajo-qytet’ duke e krahasuar me një grua të moçme, por me zemër të re, e cila përjetësisht ndjen uri për histori dhe dashuri të reja.

Shafak ka theksuar se Stambolli duhet kuptuar jo intelektualisht, por intuitivisht, se Lindja dhe Perëndimi mbeten përfundimisht koncepte imagjinare, dhe në këtë mënyrë mund të deimagjinohen apo të riimagjinohen, aq sa e krahason me një set kukullash matryoshkaqë zbulojnë njëra – tjetrën. Kështu ndodh dhe me nënshtresat e veprave të saj, ku ndërthuren teknikat e Lindjes dhe të Lindjes së Mesme të tregimit, me format letrare perëndimore, në veçanti zhanri romancesk.

 Sipas Shafakut, Lindja dhe Perëndimi nuk janë si uji e vaji. Ato mund të përzihen. Dhe në një qytet si Stambolli, ato përzihen intensivisht, pandërprerë, për mrekulli.

Elif Shafak është cilësuar nga kritika si “një nga zërat më të shquar të botës bashkëkohore letrare turke”. Ndër librat e saj mund të përmendim: ‘Dyzet rregullat e dashurisë’, ‘Bastardja e Stambollit’, ‘Nderi’, ‘Tri bijat e Evës’, ‘Çiraku i arkiktektit’ etj.

 

Nga: Gladiola Jorbus

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s