Poezi nga Anila Varfi
…BRAKTIS KOHËN
M’trazojn pikëpyetjet,
Ngase t’lexoj hamendjet kësaj kohe të marrosur një orë e m’parë po du
I lyp vetes qortim,
ngase guxova t’i avitem enigmës.
Ngase ka shumë uri, u nisa me lyp
E kush s’të fal kurrgja.
Ah por…
Ngase plevit shpirtrash shitet veresie n’treg t’shumicës!
Veresi injorancën, tradhtinë, zilinë!
Muzgjet e stinës paskan zbritur t’acarta brisk
…. E ngase prapë mu desh me lyp…
Por… ngase kësaj here i lypa vetes për veten paqtim.
Veshët i rrasa fort fort n’ajër,
Ngase trilli për me përgju natyrën m’ishte ngjit n’lëkurë
Ç’po bën?
Po braktis kohën për veten!
SI MUND TA DISH?
Si të ta them se refugjat
Në toka të mjegullta
Netët i gdhij !?
Si të t’i tregoj rrënojat e ditëve
Me botën në sy?!
Si të ma kuptosh rënkimin e shpirtit,
Kënetës së vulgut?!…
Dhe si të të njoftoj,
Se jam ende gjallë e mund të dua…
Të të dua!!
Me ç’cicërimë të ta çoj
Të magjishmen fjalë:
“Faleminderit qiell,
Që ende jam gjallë
Përderisa ëndrrat më çojnë në mall!”
DJEGUR PA U PREKUR
Sa e bukur ajo minutë,
Sa i hijshëm ai çast!
Sa e marrë ajo ditë,
Kur verbërisht,
njëri-tjetrit
Veç prekjen ia njihnim!
Ehh, gishtat e tu
Ata të preknin pa të prekur…
E të mitë digjeshin thellë në xhepa fshehur.
Sa e purpurt ajo minutë!
Sa i dridhshëm ai çast!
Sa e njelmët ajo ditë,
Aq sa etja ëmbëlsisht na dogji
E prekjet pa prekur…
Ëndrra prej zilisë i mori
