Poezi nga Rudina Muharremi Beja

 
Poezi nga Rudina Muharremi Beja
 
 
At…!
 
At,
Ti e di se i urrej dimrat.
Ata më zhveshin,
m’i marrin të gjithë ngrohtësitë,
e më sjellin pranë,
kujtimin e humbjes tënde.
 
Më trishtojnë Dhjetorët!
 
Atë mbrëmje Hëna s’u duk,
kurse mëngjesi u zgjua me bubullimë
një uragan befas qiellin nxin,
Tërsëlliu porta,
e dimri me këmbët çjerrur kalldrëmeve
mbërrinte me gulçe ere,
ndërsa dielli do të lindte matanë…
 
E dita do të shihte terrin e saj…!
 
Para meje shfaqej kurmi Yt pa frymë,
dergjur nën dritën e një feneri të zbehtë
pa dhimje,
nisej udhës së amshimit,
me buzën në të qeshur,
e Tokës do t’i çonte tërë atë hijshmëri
veshur me akullin e një bukurie
e kostumin e zi,
peng i një trishtimi…
 
Do t’i çonte dheut fytyrën e pastër
përkundur në një heshtje të paqme
e sytë mbyllur me një gardh qerpikësh
nën ballin e lartë.
 
Tërë botën tënde do ta merrje me vete,
n’kafaz të kraharorit
zemrës së begatë
e shpirtin tek fryma e Zotit
Asgjë tjetër,
asnjë testament
as ara, e as çifligje…
 
Që atëherë, shtegtuan dallëndyshe
prapë bënë fole ndër vite,
e prapë i braktisën për të humbur në re tymi
e së fundmi një tërmet i shembi
por s’ u venit imazhi yt,
etur balli për një puthje…!
 
U dhanë dimrat që ta ngrinin
u dhanë vjeshtat që ta zverdhin
vera kujtimin deshi të zbehë
trajtave të nesërme,
por pranverës zambakët çelnin
në ngjyra të bardha
njomur me lot
duke pëshpëritur tinëz,
se të kam dashur fort!
 
Po At,
dhe monopatet ta kanë ruajtur gjurmën
e deti gjithnjë për ty mërmërin…,
as mua fjalët s’ mu mbaruan,
njërën dorë vë mbi mermer
tjetrën në zemër,
Zotin lus,
e atë qiparis që ajrin gris
të të ruajnë kur qiejtë të rrebelohen,
e kujtesa më pranë meje të të sjell!
 
 
 
VENDLINDJE
 
Dheu im,
harliset në festë e tërë njerëzia,
skuqen ekranet
flamuj shpalosen anë e kënd
por Ti, s’ buzëqesh,
Më thuaj toka ime e mjaltë,
ç’të dhemb?
 
Të dhembin kufijtë mbi pergamena?
Të dhembin bijtë që t’ mbajnë me rrena?
Të dhembin fjalët e pathëna?
Vyrtytet që kalben brenda?
Ç’ të dhemb Atdhe,
apo shqiponja me dy krena?
 
Oh Zoti im,
S’ Të dhimbset kjo begati e hajthme
me kurmin shtrirë nën këmbë malesh
njomur përrenjsh e lumejsh,
përkundur shekujsh në djep hallesh?
 
Mos vallë ka kund më t’ bukura perëndime
me jehona që vijnë përmes një fëshërime?
A ka mëngjese që lindin si në tokën time?
Apo ndonjë det që flet me gjuhë mërmërime
si të tutë, o Ferri, Parajsa ime…
 
Në kraharorin tënd ballin mbështes,
aty ku Ti fsheh kaq shumë halle
sekrete, tmerre, marrëzi,
m’rreshk loti Yt,
e botës i bie qark t’kërkoj më mirë…
 
Po në ç’krahë mund të kem të ëmblin gjumë,
përtej murit të pafund të mjegullës,
Në ç’tjetër vend dheu im përvevç se tek ti ?
 
 
 
Për të veshur një buzëqeshje
 
Si mund ti këndosh fitores
kur kurme pa bekime
e pa shenjën e kryqit
dergjen ftohtësisë së dyshemeve
mbi gjoks peshën e rëndë të turpit
se dhe pse ti s’e di,
Edhe i vdekuri ka dinjitet…!
 
O qenie lakmimtare
që endeni zbrazëtive,
humbur shkëlqimeve kalimtare
venerimit të hipokrizive…!
 
Si mundet hapa të hidhni,
e të zbrisni
me rrokullima amorfe fjalësh,
kur akulli brenda tendës shpon ende me çengelë
e zbehtësia e fëmijës tremb dhe nënën e vet ?
 
Ndërsa vorbulla e egër e erës,
stërpikur me grimca dëbore,
ndalet,
ah e përulet,
para një shëmbëlltyre,
lëvruar prej parmendës së vujtjes
e që prap gjen forcën,
të rrëmojë mes zhelesh
për të veshur sërish një buzëqeshje.
 
 
 
 
Përjetë në lundrim
 
Bota zhytej territ të natës
furia e dallgëve shqetësonte shpirtrat,
ndërsa ajo,
si një Andromedë,
buzë detit qëndronte,
mes valëve dhe bregut.
 
Portretit të pa korniza, mimitizohej,
stërkalave hieroglife n’thërmim,
e befas përreth gjithça hipnotizohej…
 
U kthye të shohë nga pas…
Stuhia tashmë kishte reshtur,
s’kishte më as natë…
vëzhgonte tinëz tempujt e fshehtë
e çapitej ngadalë,
gjurmëve të humbura viteve.
 
U mbështoll mantelit të asaj ndjenje,
dëgjohej vetëm kambana e shpirtit,
braktiste trasta imagjinare,
orteqë mllefesh,
jetës kapërcyer si anijet
shfaqur e zhdukur
fatit të lundrimeve pa fund…!
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s