Poezi nga Mihallaq Qilleri

 
Poezi nga Mihallaq Qilleri
 
 
 
TANI MOS IK MË..
 
Në një cep të skajshëm të botës jam ulur,
Ashtu qetë, mendueshëm, duke vështruar
Hapësirat rreth meje dhe ndihem aq i vogël,
Aq qesharak dhe i padukshëm ngjaj,
Me boshin e madh të mungesës tënde,
Sepse pesha e vetvetes ka humbur gravitet.
 
Toka ka qendrën e vet të zjarrtë të patrazuar,
Oqeanet thellësite e mëdha pa dritë përkundin,
Galaktikat pafundësinë e errët fshehin mistershëm,
Dhe unë, unë, më duhet të nxjerr nga shpirti
Të vetmen vlerë që ka thellësia e vetvetes,
Kujtimin tënd të habitshëm si thesar fshehur..
 
Ky është çasti i magjishëm kur duhet të heshtin
Meteorët, vullkanet, oqeanet dhe të dëgjojnë,
Se brenda meje po rindertohet skaji i së vërtetës,
Ekzistenca, të menduarit, të ndjerët, të vështruarit.
 
Dhe ti që afrohesh magjishëm si thelb i shpirtit
Për të shkatërruar vetminë e heshtjen vrasëse,
Duke i dhënë tjetër kuptim qenies..
Nuk e dija se gjendesh strukur aq thellë meje.
Tani mos ik më…!
 
 
 
MËNDAFSH PREJ HËNE
 
Farfurinte veshja jote e mishtë mbi shtratin prej rëre,
Dhe bregu i detit kishte shtrirë heshtjen tejmatanë,
Nën margaritarët e drithërimës së yjeve të pakët,
Dhe tej, i thellë një mister pylli, prej botës na ndan.
 
I mahnitur endesha nën njollat e hijeve të brishta,
Anash gjinjve të bukur, këmbëve të drejta gjithë nur,
Dhe shijoja, shijoja, flakën e muzgët të buzëve të thara,
E hëna drithërohej mbi mëndafshin e tëndes lëkurë.
 
Një kordele blu prej vale psherëtiu aty pranë,
Së toku me fllade përmalluese epshesh të marrë,
Aq të ethshëm, aq të thellë sa më e bukura magji,
Asnjë herë qielli e toka nuk i kishte ndjerë, as parë,
 
Frymonte trupi yt i zhveshur nën ditë-hije të mugta.
Disi e zbehte hëna e mesnatës, e lodhur tashmë mbi ty,
Nën kupolën e universit pas pak do shuhej nata,
Pas psherëtimave të tua dhe ëndjes sime afër, aty.
 
Drithërima magnetike këmbenin trupat tanë,
Farfurinte veshja jote e mishtë në shtratin prej rëre,
Koha kishte tretur hapësirat e brishta të vetvetes,
Unë flija i mbuluar prej mëndafshit të lëkurës tënde.
 
 
 
D I V A N I
 
Divani ku u shtrimë ngjyrë álle të ndezur kishte,
E patën sjellë prej kopshteve të Semiramidës,
Dhe shtyrë thellë në një skutë europiane pa cak.
Babilonia në këtë dhomë të errët mbretëronte
Së toku me prushin e syve të tu magjikë,pa gjak.
 
Ne takuam buzët e zhurritur duke shtruar prushin,
Përvëlimin e thembrave si popujt ekzotikë,
Ne thelluam shikimet në terrin e dyshimit dhe frikës,
Ne trazuam zjarrin në lashtësinë e ndjenjës,
Pastaj pamë befasisht grinë e hirit të mbetej
Nën trupat e djersitur e të pafuqishëm.
 
Divani ishte djegur djallëzisht nga flaka e mendimit,
Të përndjekur nga mashtrimi i inkuizicionit mondan;
I kuq a gri, – kjo nuk kishte pikë rëndësie tashmë.
Poetët persianë me vargjet dru-zjarri na rrethuan
Ne mbetëm të tretur te njeri tjetri,
Me fundin e përkohshëm të ndarjes..
 
Babilonia në një dhomë të errët mbretëronte
Së toku me prushin e syve të tu magjikë..
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s