Poezi nga Enertin Dheskali
RRJETA E KOHËS
Endin sekondat rrjetën e ashpër të kohës,
Si merimanga të uritura,
Që ngjiten pas trupit
Për të thithur edhe pikëzat e fundit
Të lëngut të jetës…
Vetmia fshin lotët e shpirtit,
Dhe ushqen etjen vrastare të dhimbjes,
Duke fishkëllyer bashkë me erën,
Një muzikë vajtuese…
Askush nuk të dashka në këtë botë,
Përveçse si pronë a si një lodër,
Që e hedhin tej në të parin rast,
Kur xhelozia u prek pak egon e brishtë…
Sekondat endin rrjetën e ashpër të kohës,
Teksa mua më bluan zemrën dita e trishtë…