Për librin “TRIUMF” të Babeta Rexhepit (Triumfatore me shiringë dhe penë poetike) / Nga: Vullnet Mato

 
Për librin  “TRIUMF” të  Babeta Rexhepit
Triumfatore me shiringë dhe penë poetike 
 
Një poeteshë infermiere, e mbrujtur në jetë, veç humanizmit profesional, me mendime të fuqishme filozofike e letrare-artistike, më ka befasuar gjatë redaktimit me intelektin e spikatur, në librin e saj “Triumf”.
Duke qenë vetë triumfatore, me shiringë në dorë, në luftën e përbindshme kundër Cocidit 19, Babeta Rexhepi, sjell artistikisht për lexuesin, në prozë dhe poezi, një botë përpjekjesh të përgjakshme me këtë sëmundje mortore, ku heronjtë e sotëm të armatës së shëndetësisë, po shkruajnë faqe të ndritshme në historinë luftarake të jetës shqiptare.
Nga krijimet e saj letrare, kuptohet qartë, se kjo zonjë me bluzë të bardhë e maskë mbrojtëse në fytyrë, lufton me virusin dhe njëherësh shkruan me një shpirt të zjarrtë, që shpesh, mes vargjeve e frazave të prozës poetike të saj, të lë pa fjalë.
Është koha kur krijuesit e artit letrar, ashtu si luftëtarët e frontit të parë të shëndetit publik, duhet të frymëzohet prej tyre e të frymëzojnë lexuesit me këtë frymë të re luftarake, që kërkon atmosfera e sotme shqiptare e botërore. Babeta Rexhepi dëshmon konkretisht me këtë libër, se si frymohet dhe si duhet të jetë kjo frymë e shëndetshme, që kërkon sot letërsia dhe e gjithë shoqëria e këtij vendi shqiponjash, me shqipe si kjo infermiere, që nuk pranon të gjunjëzohet para vdekjes pandemike.
Kaq duhej thënë patjetër për kohën kur autorja boton këtë libër krahas misionit të saj profesional. Më tej, joshem të flas fuqishëm për poeteshën, Babeta, e cila me fuqinë e vargut të saj, bën herë të biesh në mendime dhe herë të dashurohesh me përfytyrimin metaforik, krejt origjinal që na servir në këtë libër cilësor.
 
“Ti mos u dorëzo, gjithsesi!/Edhe nëse ke pranë, ata që të duan!/
 
Në këto kohë fle djalli te njeriu për çudi,/Ndonëse engjëj duken, kur janë zgjuar / Më beso, mos hiq dorë nga vetja!/ Jo, në këto kohëra, kurrsesi!/Në njëmijë fjalë, askund s’gjen të vërteta,/ E historia ka gjithmonë, një version të ri.”
Përgjithësisht temat poetike të kësaj autorje janë meditime që përshkohen nga një frymë liriko-filozofike, në të cilën njeriu, me formimin e tij, vepron mbi njerëzit dhe mjedisin, për t’i transformuar në funksion të nevojave imediate të kohës:
“E sot jam rritur, pjekur po aq,/Luaj me fjalën, si bukën në gojë!/
Mësimet e marra, i përdor tash,/Tek të tjerët, të ngrihen kanë nevojë.”
Puna e kësaj poeteshe, ka brenda poezinë e hyrjes në shpirtin dhe ndjenjat e njeriut, për ta përgatitur atë shpirtërisht për shërimin.
“Ti, ndoshta akoma s’ke mësuar të lexosh hijet,/as t’ ia ndjesh zemrës, uljet-ngritjet-ndalimet./Me siguri as të depërtosh përtej ngjyrave s’të kanë mësuar,/Ndryshe plagën në gri, lehtas do kishe dalluar.”
Ndjenja e dashurisë përshkon gjithashtu një pjesë të mirë të krijimeve poetike, ku bie në sy vuajtja e partnerit për njeriu e zemrës:
“Pa ty, orët e mia mbyten,/nga forca e një dhimbjeje,/që të hesht nuk mund./Pa ty, unë jam thjesht një pritje,/që kërkon fytyrën tënde, gjithkund.”
Gjendja shpirtërore e heroit lirik në poezitë për dashurinë përshkruhet me nota origjinale deri në detajet e ndjesisë fizike:
“Rëndshëm më rëndon koka mbi shpatull,/Në irisët e lodhur, dritë nuk depërton më./Flokët e shpupuritur, rendin kanë humbur,/Këto buzë vetëm për emrin tënd, kanë zë.”
Vlera e njeriut të dashur përcaktohet mjaft bukur në këto vargje ndjesore:
“Si mund të lindë kaq shpejt dashuria?/Zemra prej kraharorit të kërkojë të dalë,/Si mund të largohet në pak çaste vetmia,/ Në një hije shpirti, të lindë një shpirt i gjallë?/
Gjithashtu edhe në prozën e saj me qëllim këshillimor, Bebeta Rexhepi, si pjesëtare e frontit të ruajtjes së shëndetit të grave, u jep kurajë shoqeve të rrezikuara nga kanceri i gjirit:
“Vishni këpucët e shpresës, e si një fëmijë që sapo ka mësuar të ecë, ecni në rrugën tuaj të jetës. E nesërmja do jetë më e bukur!”
 
 
 
Babeta Rexhepi
 
Si të gjithë autorët që jetojnë sot me pulsin e halleve të popullit kjo poeteshë mediton artistikisht, duke ndjerë dridhmën e pikëlluar:
“Ti botën e njeh më mirë se unë/O qiell i bukur pikëllimi!/ Dridhen themelet, kur ti rënkon/Ulur këmbëkryq, fytyrëvrazhdi: Mjerimi.” Në misionin e vet të artit bashkëkohor, kjo autore ka parasysh, se në jetë duhet të dalësh e përgatitur, për të luftuar mençurish me të keqen shoqërore:
“Jetë është, të shohësh fundin,/dhe kur akoma s’ke filluar/ Të ecësh, biesh, por kurrë mos ndalesh,/As të mos ndihesh i dështuar.”
E keqja nuk është abstrakte në poezinë e kësaj autorie, ku ajo bën edhe përcaktimin e lënduesve në të gjitha sferat shoqërore, që shkaktojnë të keqen:
“Lënduesit nuk janë të gjithë njëlloj/Oh, jo!/Ka të këqij dhe, edhe më të këqij,/Ka nga ata që thikën ndyjnë/E nga ata, që kalbin gjithë njerëzinë.”
Një nga temat interesante të saj, është dhe ajo e raporteve mes dashurisë së burrit dhe gruas:
“Ti, ke lindur për të më provuar, /se, fluturat mund të jetojnë/ dhe brenda meje/E, se rrahje zemra ka,/Por më të forta,/ Vetëm pranë teje.”
Për të dhënë një ide të saktë se ç’është partneri në dashurinë e përbashkët, poetesha zbraz vargjet e zemrës:
“Ti je frymë brenda frymës,/ apokalips ndjenjash,/Je e vërteta, që vonë mësova ta lexoj;/Je det furtunash, dallgë pasionesh,/ Je drita e dejeve, që thellë më depërtoj.”
Për autoren jeta nuk është vetëm dashuri, por dhe një ulërimë, ku klithmon e vërteta:
“Të lutem hesht, lermë një çast!/të ndjej përtej asaj ulërime,/ ku enë të tërbuara gjaku, ngjyer jeshil,/klithmojnë një të vërtetë, gati sublime!”
Por kuptimi për jetën nuk mund të jetë as kësisoj shkruan
Poetesha:
“Të jetosh s’do të thotë të ngrysësh mbrëmjet,/As të punosh, sa për të ngrënë, aty ku shkon,/As të puthësh çupa, të dehesh me miq,/Jetë, kësaj nuk i thonë.”
Më tej, në rrafshin e prozave të saj, ajo shkruan: “Nuk është e lehtë të jesh femër në një botë maskiliste, ku feminiliteti mban aromë silikoni… Do të duhet të kalosh nëpër mijëra valë e interferenca emocionale, të rrëzohesh e ringrihesh për të mos u dorëzuar kurrë. Të mbash mbi supe nga njëra anë gurin sizifian dhe nga ana tjetër kutinë e pandorës. E sërish përballë mentalitetit, të kundërmosh aromë çokollate dhe prej gojës tënde të dëgjohen vetëm fjalë dashurie.”
Ndryshe nga disa talente te rinj që ndodh shkruajnë edhe për të mbushur faqet e një libri, kjo autore shkruan, sepse ndjen brenda shpirtit trokitjet dhe dridhmat e forta, që i shkakton bota e trazuar rreth saj. Siç bie në sy dukshëm, vet niveli cilësor i krijimeve të poeteshës Babeta Rexhepi, dëshmon se përveç arsimimit mjekësor, ajo ka lëçitur mjaft letërsi nga fusha të ndryshme dhe ka pasur dhuntinë t’i përtypë mirë ato. Kjo dhe talenti i spikatur, përbën garancinë e sigurt të saj, për ecuri dhe ngritje të mëtejshme të nivelit artistik.
 
 
 

 

Vullnet Mato –Shkrimtar-“Personalitet i Shquar”

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s