Poezi nga Teuta Dhima
Stinët përcjellin njëra-tjetrën
Më duket se dimri ka harruar të vijë.
Ka ende gjethe ndër pemë
dhe vjeshta zvarritet rrugicave
duke i zverdhur e kuqëluar.
Ndoshta do jetë përhumbur?
Apo bashkë me festat vjen?
Stinët kanë filluar të mos mbajnë më kalendar.
Zvarriten, vinë para kohe,
Janë bërë disi kapriçoze.
Më pëlqen kjo fundvjeshtë
dhe ky pragdimër ku stinët,
përcjellin njëra-tjetrën.
E di, dimri do të vijë me erë shumë,
do të shkundë gjithë gjethet e mbetura,
e bryma, do t’i gëzohet diellit mëngjesor
bashkë me trumcakun e uritur.
Me faqet e skuqura prej prekjes së dimrit,
do fillojmë pranverën të ëndërrojmë.
E më pas, mes sythash e cicërimash
do të mendojmë për zhegun e vapën
e në breg, përkëdhelur nga puhiza
do të themi: – Ah vjeshta sa ka lezet!
E në fundvjeshtë, do të pyesim për dimrin
të vetmin burrë mes tri grash…
Amen!
Pëllumbat u ngritën me vrull,
tre rrotullime rreth e qark shtëpisë.
Në grup, bashkë të pandarë.
U ulën më pas mbi parvazë
dhe i gugatën ditës që po lind.
Dielli sapo ka nxjerrë syrin
dhe spiunon natën,
tek heq këmishën e gjatë.
Avionët, si zogj gjigandë
lënë gjurmë të bardha në qiell.
Ndryshe nga ata,
pëllumbat përplasin veç krahët
pa lënë pas tyre re të stërgjatura bardhoshe.
Një ditë e re po nis
me ritualin përshëndetës të pëllumbave:
tre rrotullime rreth shtëpisë,
si të duan ta bekojnë me paqe.
Amen!