Nurie EMRULLAI (Maqedoni e Veriut) – Poetë të takimit Trirema e Poezisë Joniane, Sarandë, Albania 2020

 
Nurie EMRULLAI (Maqedoni e Veriut)
 
International Poetry Meeting Saranda 2020 (Albania)
Takimi Ndërkombëtar Poetik, Sarandë 2020
 
Lindur në vitin 1992 në Kërçovë të Maqedonisë, ka mbaruar Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë shqipe në Universitetin e Tetovës, aktualisht është në përfundim të masterit në Letërsi. Ajo shkruan kryesisht poezi, të cilat shumica prej tyre janë botuar në revista të ndryshme, njëra ndër ta Revista letrare e Tiranës ‘Illz’. Ka qenë përfaqësuese e Maqedonisë në Forumin Letrar të Evropës Qëndrore të mbajtur në Ningbo të Kinës. Gjithashtu është përfaqësur me poezitë e saj kushtuar gruas në eksopzitën ‘Vajza, jo nuse’, 8 Mars ‘18, në Zurich të Zvicrës. Aktualisht po ndjek dhe kurse të cilat kanë të bëjnë më poezinë dhe letërsinë. Gjithashtu e ftuar në Festivalin FemArt në Kosovë, në natën e poezisë (Poezi për fuqi). Ka publikuar librin e saj të parë me poezi “Për gjysmën tjetër të hënës” dhe ka në proces librin e dytë.
 
 
PRITJA
 
ma thuaj cila pritje
e ka ba njeriun me buzëqeshë
e me ja gëzu shpirtin?
 
ma thuaj cila pritje
s’ka hap varre në përkujtesë
për t’imbush ata me andrra t’lana n’gjys?
ma thua dot?
 
cila pritje nuk ngjan me orën e kurdisun
që t’zgjon me u ba gati, e ti s’din për ku?
 
cila pritje nuk t’ka mbajt me kokën ngjeshur n’orë,
e ora vërtetë s’ka pas randësi
 
cila pritje nuk t’ka çu me pa kalendarin
t’çdo nate që pjellë diell të ri.
 
cila pritje nuk ka ngjarë n’krakëllimë korbi
i mbështetun n’degë t’pritjes,
me prit me ia nis kangës, mbase…
 
ma thuaj cila pritje
t’ka ba me besue n’premtime
që s’kanë qenë veç dalldisje çasti.
 
e ty t’them që pritja
asht ma e fortë se harrimi…
 
po cila pritje ka ba njeriun me buzëqeshë
e prap me e lane t’harrojë.
 
 
 
ATIJ QË ERDHI
 
Ti je pjesa më e trishtuar e trupit tim:
Një gisht i thyer kur të mbaja për duarsh,
Një dhëmb i rënë prej fjalëve pavend,
Ca flokë të thinjur nga pyetjet e kota…
 
Po s’do e doja veten pa këto, jo.
 
Ti je pjesa më e trishtuar e shpirtit tim:
Kujtime të harruara deri te detajet më të zakonshme,
sy të zbehtë që i përvidhen të tanishmes,
buzëqeshje e formuar nga trishtimi,
puthje e dhënë shkarazi dhe kur je vetëm.
Një ëndërr e parë veç për ta harruar mëngjeseve.
Trëndafil i këputur vjeshtës së vonë,
i vyshkur tashmë.
Një gjeth i shkelur në tokë
Nga kalimtarë që nuk nguten për askund.
Askush as nuk i kërkon.
 
Ti je
Një dridhje e lehtë toke
Dhe veç ata që e presin dridhjen të ndjejnë.
Ti je një kuti shkrepse
E lagur nga shiu në pallton e njeriut që s’pi cigare.
Ti je ballë i rënduar
Nga hallet që s’qenë kurrë të tuat.
Ti je lule dielli, që diellit kurrë si ra ndërmend të të rrisi.
Ti je vetë dritë dielli por, parë në netët me hënë.
Ti je ylber krijuar
Veç me një ngjyrë…
 
Ti je çast
I pajetuar
Dhe të të jetonte kush
S’do kishte guxim.
 
Ti mund të jesh gjithçka për dikë
Po asnjëherë ndjenjë.
 
Ti je pranverë e vonshme jetuar në dimrin e hershëm.
Ti je ujë i mbledhur nëpër duart e atyre
Që digjen nga etja.
 
Je një vijë e hollë
Varur në mur
Që imiton hijet e njeriut.
 
Ti je një zë
Ardhur nga pylli atëherë kur ishte lule malli.
 
Andaj je ngjyrë dheu.
 
Ti je njeriu i parë
Që erdhe,
që puthe,
që dhe
Atë
që askush s’mund ta jepte para teje.
 
Ti je ajo gjuhë e vdekur
Që jep jetën e një bote të pajetuar.
 
Je çdo shkronjë që s’mund të shkruhet,
Çdo tingull që nuk shqiptohet.
Çdo pasthirrmë që shuhet nga heshtja
Dhe unë të thërras nga toka e nëndheshme.
 
Eja këtu i dashur pranë meje,
Dhe ji çdo gjë në mua, veç ji. Ashtu siç je, veç dhé.
 
Gjithë trishtrimi i trupit dhe shpirtit tim, ji.
 
 

 

Antologji e takimit Trirema e Poezisë Joniane, Sarandë, Albania 2020

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s