Poezi nga Lumo Kolleshi
SYVE TË DRITËS
Shkulem dhe bëj të ik nga kjo mjegull,
Nëpër qiej zhytem e përhumb.
Mendimet? Një çati e thikët, pa tjegull,
Shpend i dyzuar: korb e pëllumb.
Në pikën e nisjes: për arrati i etur,
Në pikën e mbërritjes: arratia më tej e zhuritur.
Etja s’më lë te bie në pikën e vdekur,
Në krahë shqipesh sytë i kam pikur.
Dhe mjegulla davaritet luginash,
S’arrin të bëhet re përmbi mal.
Më hapet përpara një diell dëshirash
E rrezet? Syve te dritës ua fal.
SE…
E dua ndonjëherë
Të bëhem edhe furtunë,
T’i lë këmbët nëpër erë,
Ta lë veten të më mundë,
Të më mundë e të më shkundë
Dhe të them që s’paska fund.
Një emër
Deri dje ishin të gatshëm t’i lexonin nekrologjinë.
E grisën sot,
Kanë filluar t’i bëjnë apologjinë.
***
Dikush më pëshpëriti:
“Vdiq bleta”.
Varrin mes lulesh ia gjeta.
…
Ia ndërrova bateritë orës së vjetër,
Akrepat prapë hanë njëri-tjetrin,
Koha mbetur në sytë e të verbrit.
…
Nepërkëzat e flokëve të artë
Mbi shullërin e gjinjve të pushonin.
Buzët e mia,për vdekje,le t’i kafshonin.