Poezi nga Miltiadh Davidhi

 
Poezi nga Miltiadh Davidhi
 
 
BUSTI
 
E hodhëm bustin
Në tokë,
 
Zvarrë e tërhoqëm
Nëpër shesh
Të urrejtjes,
 
Me ulërima deri në re,
 
Për të patur tribunave
Buste tè tjerè,
 
Votuar po nga ne.
 
 
 
LARGËSI
 
Çudi!
Qyteteve e njerëzve
Që dua më shumë
U largohem,
 
Ndoshta
Për ta ndier
Më tepër
Dhimbjen e dashurisë,
 
Dhe i ngroh
Si dielli
Me rreze
Nga larg,
 
Si të kem frikë
Se i djeg.
 
 
 
RRUGËT TONA
 
Hapësira para nesh është e pafundë,
Por rrugët e jetës s’mundëm t’i zgjidhnim vet,
E mira ime,ashtu si dhe kohën,
E hapësirën ku lindëm,
Ato na qenë të shfaqura
E ne na duhej të ecnim…
 
…Në rrugë drite si drita me diell e me shi
Dhe me hënë të përgjakura resh,
Në rrugë qiejsh
Si qiejt,zogjtë,avionët
Pa i braktisur kurrë ëndrrat…
 
Në rrugë detesh si valët,varkat,anijet,
Tragetet e pulëbardhat,gjithmonë
Duke mbartur me vete
Si thesarin e vetëm, èndrrèn,
Ndonse shfaqej me e pa lule
Për të shlodhur mendimin tonë.
 
Ndaj, ecë, ecë, e vetme pa kohèn,
Pa menduar për kufomat tona!
 
Rrugèt tona tashmë kanë ajër lirie,
E ne do ishte mirè tè merrnim frymë
Pa u grindur me njëri-tjetrin
Për sasinë që na duhet,
Sipas madhësisë së mushkrive,e pangopèsisè sonè,
 
Se rrugèt janë të bukura dhe kur ecim
Mbi dhimbje,mbi ëndrra,
Se në fakt, ne vetëm ëndrra
E dhimbje thurim në jete.
 
Të gjitha rrugët ku ecim kanë ditë,
Kanë natë, janë të shtruara
Me dëshira,me re,copëza kaltërsish,
Me guriçka yjesh,
Me bardhësi ndjenjash,
E mjegulla urrejtjesh,
 
Por, dhe pse s’i zgjodhëm vet rrugët ku ecim,
(Ishte kohë me dimër e diktaturë),
Jemi ende në udhëtim,
Bashkë me një re,një pemë,
E një zok që na i pikturon portretet tona
Në qiej e në tokë me cicërima drite,
Duke u ndeshur me shiun,furtunèn,
Për të mos na i zhdukur gjurmët.
 
Ato dhe pse të fshehura
Në mjegulla kohe, shekujve,
Janë të përjetshme,e mira ime,
Ne lindim për t’i gjetur e ecur nëpër to.
 
Megjithse kurrë në rrugën ku ecim
S’jemi të parët,e as të fundit…
Ndaj duhet të lemë gjurmë
Për ata që do vijnë pas nesh,
 
Ndoshta mund të na e gjejnë
Një ditë ëndrrën ku e lamë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s