Irma KURTI (Itali) – Poetë të takimit Trirema e Poezisë Joniane, Sarandë, Albania 2020

 
Irma KURTI (Itali)
 
International Poetry Meeting Saranda 2020 (Albania)
Takimi Ndërkombëtar Poetik, Sarandë 2020
 
Irma Kurti është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Në vitin 1980 u nderua me çmimin e parë në konkursin kombëtar me rastin e 35-vjetorit të revistës “Pionieri”. Në 1989 fitoi çmimin e dytë në konkursin e organizuar nga Radio – Tirana, me rastin e 45-vjetorit të çlirimit të Atdheut.
Për poezinë dhe prozën i janë akorduar më tepër se 50 çmime në konkurse të ndryshme letrare, ndërmjet të cilave shumë çmime të para, të dyta e të treta në Itali, në Zvicër, në Shqipëri dhe SHBA.
Ka shkruar rreth 150 tekste këngësh për të rritur dhe fëmijë dhe njihet si autore e shumë këngëve të suksesshme në festivale të muzikës së lehtë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.
Irma Kurti ka botuar njëzet libra në gjuhën shqipe, dymbëdhjetë në italisht dhe katër në anglisht. Poezitë e saj janë përkthyer edhe në gjuhën rumune.
Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër. Në 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin: “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë Poetike Italiane, Ëikipoesia.
 
 
Vend i lodhur
 
Të gjeta të lodhur këtë herë vendi im,
mbuluar me rrudha njerëzit dhe rrugët,
me mijëra thërrmija pluhuri fluturonin
nëpër parqe, pyje edhe lugje.
 
I gjeta të lodhur të rinjtë, të humbur
në udhëkryqe, në ankime, pakënaqësi,
ëndërronin si të iknin larg prej teje,
të kalonin kufijtë natë e ditë.
 
Përsëritet koha, trishtimet gjithashtu.
Shumë po të braktisin, ashtu si dikur.
Në krahëror të kanë mbetur veç brinjët
që si degët thyhen pa zhumë.
 
 
 
Pantoflat e vetmisë
 
Spektakli për sonte mbaroi
dhe sipari u ul me mundim,
aktorët: miqtë e mikeshat
u kthyen në shtëpi.
 
Salla u zhyt në gjysmëhije,
ikën të fundit spektatorë.
Teatri antik i hipokrizisë
vazhdoi të luhet edhe sot.
 
U bë vonë, duhet të shkoj
në strehëzën e qetësisë.
Poshtë divanit më presin
pantoflat e vetmisë.
 
 
 
Kam harruar …
 
Kam harruar këto kohë që të jem grua:
të vishem me taka e me fustan elegant,
të përdor të kuq e të trukohem sa dua,
me hiret e mia të provokoj dikë pastaj.
 
Me pantallona xhins e këpucë sportive,
me flokët e prera fare shkurt si djalë,
me hapin e rëndë unë dukem si ushtari
që në strehëzën e tij kthehet me mall.
 
Veç shpirti, ai nuk ka ndryshuar aspak,
i gjerë, i thellë, s’matet as me detin,
naiv, konfuz, i prapë, po mbi të gjitha
i dridhshëm porsi një tel instrumenti.
 
 
 
 

 

Antologji e takimit Trirema e Poezisë Joniane, Sarandë, Albania 2020

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s