Poezi nga Altin Meçja
Fragment…!
Në mëngjes po lexoja fragmente të Niçes,
krimbat u zgjuan, urithët ulën kryet poshtë,
po qeshja,
zogjtë nuk po vinin më.
Ne frymën time të shpirtit,
kam thyer kraharorin,
këmbët e cunguara nuk më përgjigjeshin,
koha e tyre kishte ndaluar.
Dukem mrekullisht i çmendur,
në turmat e masturbuara komerciale,
mediat kishin ndezur injorancën,
nisa të mbledh dhimbjet e syve.
Disa më thonë poet,
nuk jam,
thjesht nxjerr tezgave ngarkesën time,
macet po flinin, ngjitur me dasmorët e dehur.
Me të ardhurat e pakta të miat,
blej dhimbjet e librave të vjetër,
ata më njohin, ecim njësoj,
gongu ra, çmenduria ime shkëlqeu.