Poezi nga Iliriana Sulkuqi
TË RRËFEJ MËKATET E MIA, Viti i Ri…
( Self Vetting, vetë vlerësim)
-Kam mëkatuar dyfish-me rètë dhe sytë –
….
Mirëse vjen, Viti i Ri…
Por, më parë
se të të prek te DITA e parë
e së tërës tënde ende prej ëndrre,
dua të të rrëfehem,
në emër të mëkateve të mia…
Më parë se të më “zgjedhësh”
në fronin e mbretërisë
brenda sundimit tënd të pandërgjegjshëm,
e bëj vetë vettingun,
pa èthe
për t’u fshehur…
……
Duke vënë dorën
mbi Kushtetutën e brezave:
-Kam pasuri të patundshme,
shënuar në hipotekat
e botës së dashurive
në meridiane e parale,
me firmë e vulë,
deri në të përtejme…
-Kam “mëkatuar”
me babain tënd, Viti i Ri.
Më urdhëroi të fusja dorën
në xhepin e të paxhepëve…
dhe, për inat,
më la shtatzanë,
në borxh me Ty, Viti i Ri…
…
Kam mëkatuar dyfish-
me rètë dhe sytë.
Sa herë më nxihej ndonjera
mbi krye
e ma fshihte diellin –
e shtrydhja deri në dhimbje
dhe ia “dërgoja” syve…
Aq, sa mezi po të shoh,
edhe pse me syza dylbije…
….
Mirëse vjen, Viti i Ri!
Mirëse të na gjesh!
O, shpëtomë nga mëkatet e mia,
o, vafsh në djall, si shumë të tjerë…