Poezi nga Flutura Açka
Nëpër mesbotë
Po shkoj diku, për te
parajsa, ku do t’takohem
me mungesën, s’e di se si se ku
qielli shtyhet t’më bëjë vend, t’shoh
shenjat, e udhë mos humb
asseku, e pres jermin
t’më gatuajë befasitë, dhe pse e di
se kurrë nuk u shpik zemreku
i orës së kohës, bekimi
që t’na kthejë në dikur. Ja
një qenie bri meje m’kqyr, e po
ma vizaton portretin me shikim, shenjon
thonjtë e nxirë nga malli, e trupimin
e t’bardhit shtegtim. S’jam
Demetra, i flet heshtja ime, as
dheun s’e shkretoj me tërbim, nuk
lutem të jeni kori i pikëllimit tim, jam
njerëzore, aq
e përkohshme, sa
naive, e
mekun heshtjes qenie iluzore. Në m’pyet
ç’po kërkoj eterit, e di
shenjëhijen e Tij kam marrë, tek
e shkërbej me ngulm, të jem Ai
është tani i vetmi mundim, ndaj
ngadalë, ah sa bukur, po
i vesh retë e sheshta, si
tunikë parajsore e Tij, dhe zbres
në shkallaren e mesbotës, të shkallmoj
tonat, t’egrat kufij.