Poezi nga Sokrat Habilaj

 
Poezi nga Sokrat Habilaj
 
 
DY GJYSMA DASHURISH
 
Asgjë s’mund të jetë siç ishte më parë,
Sepse kemi brenda vetes diçka tepër.
Një gjysmë dashurie nga ty e vrarë,
Dhe atë që ruaj unë, gjysma tjetër.
 
Por sot të ndara janë ato, veç e veç,
Ashtu siç jemi të ndarë unë dhe ti.
Tek njeri rri ajo që nuk di të vdesë,
Dhe e vdekura pa një varr tek tjetri rri.
 
Ndodh rrallë të shihemi në sy të heshtur,
Mbështjellë me urrejtje, mbështjellë me mall.
Unë që s’vrava kam pjesën tënde të vdekur,
Ti që vrave ke pjesën time të gjallë.
 
 
 
KU T’I NDER LOTËT?
 
Mundet që të shkruaj, si shumë të tjerë,
E lotin gjithë lulka, ta bëj nëpër rreshta.
Ndërsa poezitë, nëpër tela do t’i nder
 
T’u them:-I blini, se s’janë të shtrenjta!
Po kur loti im, nis e kthehet në vjershë,
Thërrmohet ngadalë, si një pirg me dhè.
Nëse vargjet në tela, shpërndaj t’i shes,
Më thoni pra për lotin, si ta var atje!?
 
 
 
HERONJTË
 
Mos prisni më, të shikoni heronj,
Heronjtë e fundit, u vranë në luftë.
Kapur pas tyre, mbahen me thonj,
Ata që nuk shkrepën asnjë pushkë.
 
Ata që i lëndojnë dhe në piedestal,
Ata që sherret ua hedhin mbi vete.
Ata që të vdekurit i vënë përballë,
E japin komandën për ca skelete.
 
Ata që i bëjnë të ndihen më keq,
Ata që ua heqin nga supet armët.
Ata që prita zënë shteg në shteg,
E me armë trofe, vrasin të gjallët.
 
Ata që ua fshehin emrat në baltë,
Ata që emrat e tyre venë mbi to.
Ata që rendin e mburren te gratë,
Hero më deshe!? U shpalla hero!
 
Po gratë i presin sërish të trishta,
Eh gratë!Gratë s’i kuptuan kurrë!
Kur shohin se i ke fituar të gjitha,
Ndodhë dhe të tallin:-Palo burrë!
 
 
 
NJË ÇAST
 
Ne që u druhemi mungesave të mëdha,
Ndodhë që vetmi të trishta na zënë pusi.
Ai që mungon është burri që ke në krah,
E ajo që më mungon mua, ndoshta je ti.
 
Ndërsa gjumi na ikën, ndihemi si në faj,
Ulur në cep të shtratit kurriz më kurriz.
Ne që s’donim të humbitnim asnjë detaj,
Po humbasim njeri-tjetrin në çdo grimcë.
 
Kokën në heshtje ma vendosë në gjunjë,
Si në një tjetër kohë, a në tjetër moshë.
As më humbet, e as të humbas dhe unë,
Po shpesh gjendemi si bosh. Kaq bosh!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s