Poezi nga Vasil Çuklla
Më ler…
Më ler,
të harbohem
trupit tënd, të brishtë
Të ngjitem breg-gjireve
dhe le t’i zbres,
zvarrë!
Herë ujk, uri-etur,
në lojë të dyfishtë
E herë,
qengj i butë,
dynënokesh, manar!…
Me puthje t’i vesh,
unë,
shpirti bohem
Të t’i laj, me Miro,
ndër epshin e valë…
Të zhbëhem, fund- honesh
e më, – çfarë të them?!
Ofshamë, pa nxjerrë kurrë,
pa belbur, një fjalë!
Ngrije tani një gotë…
Mbushe tani gotën, të urohemi në heshtje
E di më ke dashur shumë… Më do shumë e di.
Po nuk ke se me çfarë, shtrydhe një pikë lot
Tani hesht, mos fol. Heshtja është flori…
Heshtja flet më shumë dhe e di çfarë thotë.
Këngëvaj…
Këpucët në duar, hëna përmbi kokë
Marrur e ke udhën, o bir e o djalë!…
Shkon t’i falësh detit, një jetë. Nënës lotë,
Kthyer gjoksin dallgës… era trazon flokë
S’do më të frymosh, si s’fole një fjalë?!
Këpucët në duar, hëna përmbi kokë
Në kë valë, mjerania, të vij, të të qaj?
Bëjnë të njelmët detin. Ah, të Nënës lotë!
E hepojnë valën, e shndërojnë në dallgë
E shndërojnë ninullën, në kujë të përvajë!
Këpucët në duar, hëna përmbi kokë
Cila valë, kush dallgë, o bir, t’u bë stromë?!
Djalë, o djalë i Nënës, që s’më kishe shok
Më thinje, më trete, shpirtin bëre hon…
Kujëgrisur shkëmbenjve e shndruar jehonë!
Ah, ky fustan…
Fustani,
mbetur varrur,
mallon,
format e trupit…
Atë deltë të bukur,
drithnuar
prej turpit.
Atë gjoks ikonë,
si ftonj të arirë
Dy duar,
dorë ëngjënjsh,
mbulojnë gjinjtë mirë!…
Ato kofshë, derdhur,
porsi dy qirinj
Sytë nuk i shikojnë,
mëndja i arrin
Ky fustan i bardhë,
që dhe mes territ ndrin
Ku vall, ma mban fshehur,
gjithë Bukurinë?!
Sa Troja?!
(Nuk është Trojë, vetëm Troja…)
Ra Troja!…
U shkatërrua,
Troja!…
U shkretua, Troja!…
Troja, rrënim,
në të sajat rrënoja!…
Ah, Troja!…
Shqyer,
gjinjëjashtë,
si grua e pafat.
Ç’virgjëruar, dhunuar,
përbaltur në baltë
o kuje e zezë,
çfarë ish ajo natë?!
Brinjëzhveshur,
e zhurritur,
toka!…
Toka
nuk ka kohë,
gjakun të gëlltisë.
Troja këlthet!
Ulërrin,
lemerridehur,
në të tejskajën
kujë.
Në kujë,
të shkretisë.
Troja,
brinjëpluguar,
mërdhin,
lotit të valë,
nën lotë, të vetmisë!
Ra, Troja!…
U shkatërrua, Troja!…
U shkretua, Troja!…
Troja mbeti këngë,
në të kohës rrënoja!…
(Dhe unë vazhdoj,
numëroj Troja!)