Shefqete Gosalci simbol i mençurisë, i patriotizmit, i shqiptarizmit / Nga: Mustafa Ismaili

 
Shefqete Gosalci simbol i mençurisë, i patriotizmit, i shqiptarizmit
 
Kur flas e shkruaj për Shefqete Gosalcin e kam të vështirë të bëj portretin e saj të saktë. Është patriotja,luftëtarja, guximtarja dhe e përkushtuarja ndaj Zotit. Ajo shkëlqen në gjithçka që bën e kudo ku shkon, ndaj dhe mirënjohja për të është dhe duhet të jetë më e madhe. Le të jetë ky shkrim një pjesë mirënjohjeje ndaj saj!
Gjatë e jetës njeriu kërkon shokë, miq. Kërkon një fjalë të mirë që i mungon në një kohë të caktuar. Kërkon një dorë miqësore në sup. Në kohët moderne kjo dëshirë dhe nevojë është bërë më e madhe në ritmin e madh që ka jeta.
O zot, ku i buron kjo dashuri për kombin, për njerëzit, ky humanizëm, kjo edukatë, kjo aftësi? Është një emër që sa herë kujtohet, menjëherë ndrin e gëzon fytyra, se ajo është vetë burimi i gëzimit. Shefqete Gosalcin sa herë e takoj e mas hapin mirë. E mas shumë mirë fjalën. E peshoj fort mirë e prapë e kuptoj se i jam shumë borxhli për atë që ajo i ka dhënë shqiptarëve . Është pak të thuash se jemi krenarë me të, jemi krenarë se kemi një zonjë të vërtetë mes nesh. Një zonjë që di se nga vjen dhe di se ku shkon. Ajo i ka të gjitha cilësitë, më të mirat e të mirave. Fjala e bukur për të, është më e pakta që të mund t’i shlyejmë borxhit që i kemi. Ajo është një femër plot energji, buzëqeshje dhe dëshirë për të komunikuar dhe biseduar për gjithçka. Është një person krejt i veçantë jo vetëm për zërin femëror, qytetar e intelektual që rrezaton, por impresioni i parë me të është se ajo e do shumë kombin shqiptar! Ajo ka brenda vetes gjithë ylberët e shpirit shqiptar të Kosovës, të Shqipërisë të Çamërisë, Luginës, Iliridës të Malsise së Madhe,Arbërisë dhe Diasporës e kudo që jetojnë shqiptarët..Me Shefqeten gëzohesh shumë kur sheh sa e do kombin dhe shqiptarizmin. Kudo e kurdoherë kontribuon për atdheun amë. Edhe pse është burrëreshë në një moment gjatë bisedës loton,ka emocione kur rrëfen episode të hidhura për jetën e hidhur shqiptarëve nga të gjitha trojet. Sa mirë të kishim më shumë Shefqete në jetën tonë! Të dëgjonim fjalën e tyre, të shihnim sa e madhe është zemra njerëzore!Ajo ka mirënjohjen e të gjithëve, edhe mirënjohjen time. Është pak një shkrim për të, meriton më shumë për aftësinë dhe patriotizmin e saj. I zgjedh dhe i gdhendë mirë fjalët duke i zgjedhur e latuar në përshtatje me bashkëbiseduesin. Kjo kërkon mendim të qartë dhe aftësi për t’i respektuar asaj personalitetin. Këtë aftësi e kanë radhë disa njerëz që, si i thonë fjalës, ke qejf t’i vësh në krye të odës, t’i dëgjosh në kuvende. Njerëz si Shefqete Gosalci janë ata që kur i takon dhe kur ndahesh me ta, ndihesh nxënës i përjetshëm i mençurisë, i patriotizmit, i shqiptarizmit. Është vërtet gëzim i madh. Kurse përçarja është një hije e keqe për ne si komb me të shkuar e me një të pasur historike. Është krenari që e kemi njeriun më të nderuar me të cilin na bashkojnë dhe hallet, edhe gëzimet.
Shefqetja ka një shpirt të madh. Ka një kujtesë për admirim që mund edhe muzeumet e botës. E ka jetën si në pëllëmbë të dorës, ka fëmijërinë, ka rininë, ka sfidat e përditshme të jetës. E mendon atë dhe familjen e saj, e cila gëzon një shtëpi të re në lagjen e Spitali në Prishtinë. Ajo më thot-E çmoj shumë komunitetin shqiptar nga Lugina e Preshevës, ia kuptoj hallin asaj popullate që akoma është nën kthetrat okupuese të sllavizmit serbofil. Njoh shumë shqiptarë nga ajo krahinë. Janë njerëz vërtet atdhetarë, kanë ndjenja patriotike, por kanë nevojë ta shprehin këtë. Prandaj i përkrah pa fund. Edhe për ju kam respektë! Jeni njeri nga ata që keni sjellë në librat tuaja aromën e Luginës, na keni informuar për situatën dhe hallet e komunitetit luginas. Si komunitet gjithëkombëtar është mirë të ndërmarrim dhe të konkretizojmë aksione të ndryshme. Të jemi shembull, të tregohemi para të tjerëve se edhe shqiptarët kanë inteligjencë, aftësi formuese në dobi të komunitetit tonë.
Shefqetja Ka takuar shumë personalitete të kombit. Ka njohur urrejtjen dhe dashurinë. Ka punuar me kaq sakrificë për kombin. E kudo është në majën e shkallës që është ngjit. Provoi forcën e karakterit të saj prej shqiptareje, kurrë nuk u mposht, idealin prej një shqiptareje të mirë e ka pasur që në moshë të re. Shefqetja duket se ka bërë vëllazëri me mirësinë dhe begatinë. Nuk dëshiron të tregojë kontributet që jep në aktivitete. Jeta është një bashkim i madh dhe emiocionues me artin,e arti ka një gjuhë universale që nuk njeh kufi, nuk njeh flamur. Pa dyshim ne të gjithë, e dimë njerzitë e artit janë më afatgjatë në kujtesën e brezave.
Njerëz si Shefqetja nuk janë njerëz që në mbrëmje bëjnë llogari paratë e fituara, të kursyera apo të plaçkave që do blejnë. Ata kujtohen për veprat e tyre që në kohët moderne bëhen edhe më të njohura në publik.Nuk është vetëm nevoja materiale për të jetuar që e nxit të punojë pa pushim. Jo. Ajo flet me gjuhën e së ardhmes. Për të nuk ka natë dhe ditë. Për të nuk ka orar, se arti i vërtetë ka brenda sakrificën njerëzore, ka të nesërmen. Arti është një “alfabet” që e njohin të gjitha gjuhët e botës.
Ajo ka shumë miq që e mbështesin në atë që bën e do të bëjë. Shefqetja përveç pasionit të poezisë ka dhe pasionin e muzikës. Është një këngtare dalluarë.Ka qenë gjithnjë aktive në shoqëritë kulturore-artistike që nga bankat e shkollës fillore vazhdon edhe sot në aktivitete duke u prezantuar me këngë e valle, veçmas për festat tona kombëtare dhe manifestime e promovime librash.Është inspiruese dhe nxitëse kulturor e kombëtare e gjeneratave të reja.Është e pathyeshëme e guximshëme, ambicioze, gjithnjë aktive dhe e pashterur. Gjithmonë e gatshëm të japë më të mirën nga vetja. E tillë është edukuar edhe mbarë familja e sajë tanimë e madhe.
Shefqete Gosalci me veprimtarinë e saj ka lënë gjurmë në opusin e letërsisë shqipe si poete.
Poezia e saj ka thyer kornizat nga brendësia e letërsisë shqipe duke lundruar drejt një poeteje te lexuar edhe tek popujt tjerë. Në edukatën familjare si fëmijë krijoj një urrejtje ndaj pushtuesve tanë gjithmonë. Poezia e saj,sot është më kolorit artistik mjaft drithëruese. Në vargun e saj dominon poezia patriotike ,sociale por edhe nacionale.
Shefqete Gosalci u lind në në fshatin Marec të Malësisë së Gollakut. Të parët e saj vinin nga fshati Llapashticë e Medvegjës dhe mbanin mbiemrin e familjes se madhe Ajeti që lindi burra te mëdhenj si Akademik Idriz Ajetin etj. Reprezaljet dhe dhuna serbe në vitet 1878 nxiten shpërnguljet e mëdha dhe të detyrueshme të shqiptarëve nga e cila edhe kjo familje nuk mundi t’ju përballoj presioneve të regjimi serb dhe u detyruan ta ndërronin mbiemrin nga Ajeti në Gosalci (emërtim toponimi nga fshati në Komunën e Artanës, ish Novo-Beredes). Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Prishtinë. Vazhdoj studimet në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës poashtu në Prishtinë. Gjatë viteve 1989/90-ta, vepronte në lidhjen e studentëve në ilegalitet që e kërkonte koha. Shefqetja ra në syrin e pushtetit me aktivitetet e saj nga e cila, po ashtu ndikoj familja e saj që mbeti gjithmonë kundërshtare e pushtuesve. Edhe pas dy vitesh studimi u përjashtua nga studimet, dhe bashke me shumë moshatarë të saj për t’ju shmangur burgut mërgoi në Zvicër, dhe për 4 vite organizoj mësimin shqip për fëmijët e bashkatdhetarëve atje.
-Me shkrime ka filluar të merret në moshën e re,pos punimeve të shkollës që ishin në përkujdesjen arkivore të publikuara në muret e shkollës , ajo filloj të botoj edhe ne vitet e 90-ta. Poezitë dhe shkrimet e saj të para u gjeten ne rubrikat e kulturës në shtypin e kohës, Rilindja, Mollekuqja, Bota e Re, Pionieri, Shkëndija, Çlirimi, Zëri i rinisë etj. Shkruan poezi për të rritur dhe fëmijë. Ka të botuara 4 përmbledhje me poezi “GJAKU GJAKUT I PERGJIGJET”2002, “ME KE URE NE QIELL”2006, “VLIME THELLESISH”2011 e cila është përkthyer edhe në gjuhën angleze dhe italiane, si dhe përmbledhjen me poezi “PORTA TE HAPURA”2009. Është shpërblyer me shumë çmime për poezi në shumë konkurse letrare brenda dhe jashtë Kosovës. Në vitin 2008 Shefqetja është shpallur poetja e vitit nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, si dhe ka fituar çmimin letrar Sofra Poetike “YMER ELSHANI”. Veç poezisë, Shefqetja një pasion tjetër e ka edhe këngën.
Ka marr pjesë në shumë festivale të folklorit ku edhe është vlerësuar lartë me zërin dhe varietetin e saj artistik!.
Në vitin 2014 poezitë e Shefqetes janë përkthyer dhe botuar në Antologjinë botërore me titull “THE SECOND BENESIS” e botuar në Indi. Pjesëmarrëse ishte si e vetmja poete nga Kosova në mesin e 55 shteteve të botës. Është anëtare e Lidhjes se Shkrimtarëve të Kosovës. Po ashtu edhe “Karvanit të Shkrimtarëve për fëmijë- AGIM DEVA”.Ajo është edhe sekretare e Galaktikës poetike”ATUNIS” për Kosovë.
Qe nga viti 1993 Shefqetja bashkë me motrën Shyhreten(kolonelja e pare e UÇK-së) dhe vëllain Muharremin u anëtarësuan ne Lëvizjen Kombëtare PËR Çlirimin e Kosovës(LKÇK) në te cilen kontribuon për shumë vite, te përkrahur edhe nga prindërit Ismajli dhe Gjyla si dhe gjithë familja e cila deri në fillimin e Luftës në vitin 1998/1999 strehoi shumë ilegal të asaj kohe. Kontributi i familjes Gosalci u shqua edhe në shpërndarjen ilegale të revistës “ÇLIRIMI” – organ i LKÇK-së).Gjatë vitit 1998 Shefqetja me urdhrin e Komandant Rrustem Mustafes merr detyrë për qepjen e 250 palë uniformave për njësitet speciale te UÇK-së, si dhe qëndisi flamurin Kombëtar (tetor-nëntor 1998), flamur i cili u ngrit me 11 Qershor 1999 në lagjen Taslixhe të Prishtinës nga njësitet e gueriles B.I.A.
Kjo familje strehoi edhe shumë të zhvendosur nga zonat e Luftës që vinin në Prishtinë. Uniformat e UÇK-së. Shefqetja bashkëpunoi me Bahtije Berishen, me materialin qe ne shtëpinë e saj e sollën dr. Flora Brovina, dr. Emin Kabashi dhe Zahide Zeqiri, të cilët gjatë asaj kohe shpesh u strehuan në familjen Gosalci. Shefqetja ishte me kohë e radhitur edhe ne UÇK, qe nuk e kursej as jetën për çlirimin e Kosovës. Shefqetja ishte edhe dhuruese e shumëfishte vullnetare e gjakut në frontin e luftës me motrën Shyhrten dhe vëllain Muharremin, që e mbronin atdheun me pushkë në dorë.
Gjatë viteve 2012/2014 ka punuar në Tiranë si përfaqësuese e Universitetit VITRINA nga Tirana për Kosovën. Po ashtu ka punuar shumë në integrimet brenda shqiptare.
Ajo nuk ishte e kënaqur me arritjen e vet në fushën e ngritjes shkollare ,por ndërmori hapa tjerë për ti ndjekur mësimet edhe për “Shkenca Politike” dhe i kreu me notë të lartë. Bagazhi ,vlera dhe kultura e saj e frymëzuar në çështjen kombëtare këtë artiste shqiptare nxit të jetë në shumë organizime të kulturës .Po ashtu do të jete pjesëmarrëse në takimin e madh që do të mbahet për herë të parë në Fshatin Dabishec e organizuar nga “UNIONI KULTUROR PER FSHTRAT DABISHEC HAJKOBILLE DHE GLLOGOVICE” Në këtë takim kulturor do të jetë kryesuesja e jurisë për poezi dhe ndarjen e çmimeve.
 
 
 

Mustafa Ismaili

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s