Poezi nga Myrteza Mara
GËZUAR!
Gëzuar të gjithë!
Edhe ata që s’më njohin nga afër,
nga urimet
vetëm urime mund të presësh,
me urime bota bëhet më e pastër!
Edhe zogjt e qiellit,
yjet e uritur për këngë,
edhe stolat e ndezur
me puthje në parqe,
nga mot blerim!
Edhe ata
që dinë të kërkojnë ndjesë,
pendimi është pragurimi.
S’kemi kufij për të ndarë
kemi tapitë e fjalës së shkruar
në penatgramenët e legjendës së besës,
në këtë botë s’jemi më shumë
veç shtegtarë me hap pelegrini!
Urova edhe kujtimet,
burimet e krojeve të dhimbjeve,
zemrat pa kthim
mbuluar me tylin e heshtjes,
por jo nga harrimi!
Do të doja më shumë urime,
por s’më lenë plagët e shpirtit,
plagët kanë nevojë
për melhelmin e fjalës,
fjalët janë bërë gurë.
Vetëm hijenat e natës
nuk i dëgjojnë urimet,
janë në kërkim të vetes.
Zoti u ndriçoftë shpirtin
të paktën mos mbeten të verbër!
Gëzuar!
KJO BOTË
Mbi këtë botë,
veç hënës memece,
ka dhe satelitë të tjerë,
shushunja-vampirë
që rrotullohen si gjarprinjë
në vorbullën e gravitetit.
Pronar orbitash
si gurahedhës,
lidhur me litarë mallkimi
vetëshpallen botë.
Emrat ua dallojmë vetëm në errësirë:
Bota e djajëve-veshur si ëngjëj,
bota e urithëve-krrusur si klerik,
e kërrmijëve-parfumuar si dhëndërr,
e prositutave-ngjyer me ditë,
(politikanët nuk kanë botë
janë asteroidë tranzit).
Pastaj bota e Brutëve,
e Jagove, Mamuthëve,…
të gjithë bëjnë hije
mbi supet e këtij planeti
si lëkundje tërmeti.
Nën pluhurin kozmik të tyre
zvarriten hamenjt e botës
duke mbjellë fidanat e eshtrave
deri në palcën e tokës….
Po vazhdoi kështu
edhe pak,
kjo botë s’e ka të gjatë!