CÉSAR VALLEJO (16 mars 1892 -15 prill 1938) – PERU / Përktheu në shqip dhe përgatiti materialin Kolec P. Traboini

 
CÉSAR VALLEJO (16 mars 1892 -15 prill 1938) – PERU
 
César Vallejo Abrahami Mendoza ishte poeti peruan që botoi vetëm tre libra me poezi gjatë jetës së tij. Përkundër kësaj, ai është konsideruar si një nga novatorët më të mëdhenj poetikë të shek. XX dhe për të gjitha gjuhët. Thomas Merton (1915 – 1968) e ka quajtur atë “poeti më i madh universal, si Dante.” César Vallejo, u lind më 16 mars 1892 në qytetin e Santiago de Chuco, Peru.
Punoi në një gazetë në vendlindje, por gjatë një revolte punëtorësh me pasojë vrasjen e një polici, u akuzua si nxitës trazirash dhe u largua nga atdheu. Në Luftën e Spanjës ishte i dërguar i posaçëm i shtypit të huaj. U sëmur papritur në Paris dhe vdiq më 15 prill, 1938 në moshën 46 vjeçare. Qeveria e Perusë nuk lejoi që trupi i poetit të përbotshëm Vallejo të kthehej e varrosej në atdheun e tij. Një vit më pas do të botohej postmortem vepra e tij e tretë poetike “Poemas humanos”.
Cesar Vallejo konsiderohet gjithmonë një hap përpara të gjitha rrymave letrare. Poeti dhe kritiku britanik, Martin Seymour-Smith, një autoritet kryesor në letërsinë botërore, e ka quajtur Vallejo-n “… i madhi poet shekullit XX në të gjitha gjuhët.”
 
 
 
“WORLD POETICA 1, 2”
 
GURI I ZI MBI GURIN E BARDHË
Do të vdes në Paris, nën reshje shiu,
në një ditë që unë tashmë e mbaj mend.
Do të vdes në Paris – por kjo nuk më shqetëson
– pa dyshim të enjten, si sot, në vjeshtë.
Do të jetë një e enjte, sepse sot është e enjte
siç po shkruaj këto rreshta, i kam vendosur
shpatullat së keqes. Kurrë si sot nuk e kam
kthyer e drejtuar udhëtimin tim në rrugët ku
ndjehem i vetmuar.
César Vallejo është i vdekur. Ata e goditën,
të gjithë ata, anipse ai nuk u bëri asgjë,
ata e goditën fort me një shkop dhe akoma më
fort me fundin e një litari. Dëshmitarët janë: E enjtja,
kockat e shpatullës, vetmia, shiu dhe rrugët …
 
 
 
NË QOSHKUN KU FJETËM SË BASHKU
 
Në qoshkun ku dikur fjetëm së bashku aq netë,
jam ulur tani
në prag të ikjes së fundit. Divani i dashurisë së
vdekur është hequr, a kush e di, ka qenë veç
në kalim.
Ti shpejt iu ktheve punëve të tjera
dhe tani nuk je më këtu. Në këtë qoshk
ku, mbështetur pas teje, lexoja një natë
në mes bisedës mbi tenderët. Më kujtohet
një histori nga Daudet. Është qoshku
që dua më shumë. Mos e vër në dyshim.
Gjithmonë do të kujtoj ditët e
verës së humbur, ardhjet e ikjet e tua,
pakëz ose shumë e zbehtë, nga dhoma në dhomë.
Në këtë natë me shi,
kur jemi aq larg, drithërohem nga zhurma e papritur.
Janë dy dyer, hapen dhe mbyllen,
dy dyer që nën ecejaket e erës, përplasen
hija pas hijes.
 
 
 
PARIS, TETOR 1936
 
Nga të gjithë këta, unë jam i vetmi që iki.
Nga ky stol shkoj larg, nga pantallonat e mia,
nga një gjendje mrekullore, nga veprimet,
nga numri im ndarë anë për anë,
nga të gjithë këta, unë jam i vetmi që iki.
Nga Champs Elysees apo më e çuditshmja
lugina e Hënës bën një kthesë,
vdekja ime shkon tej, shtrati im i gjetheve,
rrethuar nga njerëzit, i vetmuar, prerë jo saktë,
ngjashmëria ime me njeriun vjen rrotull
dhe largoj hijet e tyre një pas një.
Largohem prej gjithçkaje, pasi gjithçkaja
mbetet për të krijuar alibinë time:
e këpucëve të mia, vrimat e lidhësave, baltës së tyre
dhe madje edhe kthesës në bërryla
të këmishës sime me butona.
 
 
 
NË KUJTIM TË VËLLAIT TIM MIGUEL
 
Vëlla, sot po ulem në sofatin prej tullash të
shtëpisë,
ku solle një zbrazëti të pafund.
Mbaj mend kemi luajtur në këtë orë dhe nëna
kujdesej për ne: “Por, bij …”
Tani po shkoj të fshihem
si më parë, në të gjitha mësimet
e mbrëmjeve dhe besoja se nuk do ikje larg.
Nëpër sallon, kthinave, korridoreve.
Më vonë, u fshehe, dhe unë nuk të ika larg.
Mbaj mend, bëmë veten për të qarë,
vëlla, ngaqë qeshnim aq shumë.
Miguel, ti ike dhe u fshehe
një natë në gusht, diku drejt lindjes,
por, në vend të çuçurisje, ishe i trishtuar.
Me zemër të thyer asaj mbrëmje të vdekur
nuk arrita të shoh e të gjej. Dhe tani
një hije trishtimi bie mbi shpirtin tim.
Dëgjo, vëllaçko, mos u vono
të dalësh jashtë. Kështu pra! Se nëna do të
shqetësohet.
 
Pjesë nga libri me shqipërime nga letërsia e huaj
 
 
 

Përktheu në shqip dhe përgatiti materialin Kolec P. Traboini

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s