Poezi nga Fatbardha Sulaj
Akord festash
Ti le natën në shi,
me ca yje piroteknikë
të kohës moderne
dhe zgjohesh mëngjeseve
të kthjellët me diell.
Dhe bota qeshet,
dhe jeta qeshet.
Pastaj e bukura nis e rritet me ditën
nis e vallëzon me erën
dhe nuri përshpërit
dhe ëndërra uron.
Më vonë dhe muzgjet
rrëzojnë thinjat.
Kohë paqeje në dukje…
Bekim dite
Të shoh dhe mbushem me ajër,
bekimet bien mbi heshtjen tonë prej qëmoti.
Ecejaket e mia treten zbrazëtive të rrugëve
pa njerëz.
Ti si nje shami spërkatur me dritë hyjnore,
sfidon trishtimet dhe mërzine e kohës.
Ti miti i ëndërrave të mia të kaltra,
që stepesh nga trokitja e buzëqeshjes tënde,
që le pas gjithë zahiret e botës.
Me ra me fjet
Me pa andrrën e liqeneve të ftohta,
ku pranvera e një viti si flutun u ul.
Me tkurr natën e me sos bishtukët e kohës,
tuj sjell në mend bekimin e nanës,
e gjalmin që mes gishtave tirrte fatin e lumë…
Me ra me fjet,
tuj dëgju kangën e hutinit që msyn natën.
si ninullë Ore dehun me aromë mali.
Me ra me fjet,
e pasandaj me të pa në sy…
Dhimbje të arnume
Pak kohë prej teje,
prej të ftohtit të janarit,
ku lulet kanë frikë me çel.
Kanë frikë prej të gjithë dimnave të paudhë
prej të stisunve,
e kanë vu krys qeleshe prej dëbore.
Kanë frikë me kanë vetja.
E n’do dhimbje arnojnë netëve
tuj knu në heshtje
eposin e Bjeshkëve të Namuna.
S’ ka kambë ylli,
e s’ka as frymë me ngrohë
qytetin e vetmuem pa buzeqeshje,
me zogj në ikje.
Pak kohë prej teje,
si shenjë jete dridhet ftohtit..